E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lambrinidis e Fratini takojnë Haxhinaston, AK i pret me vërshëllima

TIRANE- Ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidis, dhe homologu i tij italian Franko Fratini mbërritën në Shqipëri sot rreth orës 10:30 ku nisën një takim me ministrin tonë të Jashtëm Edmond Haxhinasto. Në këtë takim diplomatët europianë kanë shprehur mbështetjen e tyre për integrimin e Shqipërisë, por kanë kërkuar prej saj angazhim konkret për përmbushjen e reformave. Ministrat sot takim edhe me Topin, Berishën e Ramën.

Por ardhja e tyre për t’i dhënë Shqipërisë sinjalet e duhura me qëllim integrimin në BE, duket se nuk është pritur mirë nga aktivistët e Aleancës Kuq e Zi.
Këta të fundit kanë protestuar kundër ministrit të jashtëm grek Lambrinidis, i cili pak ditë më parë i bëri thirrje Tiranës zyrtare të pranojë marrëveshjen e ujrave me shtetin helen. Pikërisht këto deklarata aktivistët e AK, i interpretojnë si presione të palës greke, për tu bërë avokatët e shqiptarëve në BE, por që nga ana tjetër kërkojnë favore territoriale.

LAMBRINIDIS-FRATINI: JU MBËSHTESIM NË BE, POR BASHKËPUNONI
Ora 11:26- Zyra e shtypit e ministrisë së Jashtme zbardh takimin e ministrave Fratini e Lambrinidis me homologun e tyre shqiptar Edmond Haxhinasto. Të shoqëruar në këtë takim nga ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sequi, diplomatët kanë ndërmarrë misionin e përbashkët, të koordinuar me BE, për t’i dhënë një shtysë procesit të integrimit europian të Shqipërisë .

Gjatë këtij takimi ministrat kabë shprehur mbështetjen e tyre për integrimin e saj në BE, ndërsa kanë kërkuar rezultate konkrete nga pala shqiptare. Lambrinidis e Fratini i kanë bërë apel politikës shqiptare “të angazhohet për reformat, pasi Shqipëria duhet të ketë progres të gjithanshëm”.

Në orën 10:45 dy ministrant kanë parashikuar një takim me kryeministrin Berisha, ndërsa afërsisht një orë më vonë ata do të takohen me kryesocialistin Edi Rama (11:30). Nga selia rozë ata pritet t’i drejtohen Presidencës, ku do të zhvillojnë një takim me kreun e shtetit Bamir Topi në orën 12:15, e më pas të dy ministrat do zhvillojnë një konferencë të përbashkët shtypi.

SITUATA POLITIKE,  SOT NË TIRANË LAMBRINIDIS E FRATINI
Ora 08:10- Mediat greke thonë se ministri i Jashtëm grek Stavros Lambrinidis, kishte propozuar që BE-ja të marrë një rol më aktiv në vend duke bërë vizita politike të nivelit të lartë në Tiranë, për t'i dërguar në mesazhin e duhur udhëheqjes politike shqiptare për maturim dhe përkushtim në procesin e reformave në perspektivën e pranimit të Shqipërisë në BE.

Të dy Ministrat e Jashtëm do të takohen me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe liderin e opozitës Edi Rama. Vizita bëhet një muaj para publikimit të raportit të vlerësimit vjetor të Komisionit për ecurinë e reformave në Shqipëri, të cilat do të diskutohen nga Këshilli i BE-së në dhjetor.
(a.j/m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›