Lamtumira e fundit për Esmeralda Uruçin, homazhet te TOB

Esmeralda Uruçi
UPDATE - Familjarët, kolegët dhe miqtë i japin sot lamtumirën e fundit ish-ministres së Kulturës, Esmeralda Uruçi.
Homazhet do të nisin rreth orës 10.00-11.00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
51-vjeçarja Uruçi u nda nga jeta dje në pavijonin e neurokirurgjisë në QSUT, ku gjendej e shtruar.
Uruçi u përfshi në një aksident automobilistik në aksin Tiranë-Durrës në 17 dhjetor të vitit të kaluar, ku mbeti e plagosur së bashku me bashkëshortin.
Mësohet se shkak për ndarjen e parakohshme nga jeta kanë qenë komplikacionet nga aksidenti automobilistik.
Uruçi ka qenë lektore në disa universitete të vendit, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, Drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në Bankën e Shqipërisë, Ministre e Kulturës, Rinisë e Sporteve e të tjerë.
Nesër në orën 10-11 do të mbahen homazhe në nder të Uruçit.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi u ka shprehur ngushëllime familjarëve të ish-ministres. Me hidhërim të madh mësova për lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të intelektuales e ish-ministres së Kulturës, Esmeralda Uruçi, e cila me dinjitet dhe profesionalizëm u shërbeu institucioneve dhe popullit shqiptar! Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të shtetit shqiptar, tju shpreh ngushëllimet e thella dhe të sinqerta!, thuhet në mesazhin e Topit.
Ndërsa kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shprehur ngushëllimet e tij nëpërmjet një postimi në Tuiter. Keqardhje e thellë për vdekjen tragjike të Esmeralda Uruçit, ngushëllimet më të ngrohta familjes, shprehet Rama. /G.N/