Brukseli: Hiqni imunitetin, shpresë për statusin brenda 2012-s

Në përfundim të takimit dyditor Shqipëri-BE, drejtori për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian Pier Mirel dhe Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu kanë rinovuar apelin për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe politikanët. Shtohen shpresat për akordimin e statusit të kandidatit gjatë tetorit të këtij viti
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, përfaqësuese e palës shqiptare në takimin dyditor të Komitetit të tretë të Stabilizim-Asociimit Shqiperi-BE, i kërkoi dje palës europiane që heqja e imunitetit e zyrtarëve të lartë të vendoset si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.
Bregu deklaroi se mazhoranca është e gatshme të votojë cilëndo alternativë që do të zgjedhe opozita për heqjen e imunitetit.
Në një konferencë për shtyp dhënë për mediat, në fund të takimit ministrja Bregu tha midis të tjerave se, “Lidhur me imunitetin shpreh bindjen e palës shqiptare se është çështja më thelbësore, pjesë e prioritetit 8 të Planit të Veprimit; madje do të ftoja palën europiane që heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe për gjyqtarët në Shqipëri, ta vendosë si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Le të jetë ky testi dhe prova më e afërt për politikën shqiptare! Mazhoranca ka shprehur vullnetin e saj se do të votojë cilëndo alternativë që do të zgjedhe opozita, qoftë me ndryshim kushtetute, qoftë me një ligj të veçantë duke shtuar se, së shpejti në Tiranë do të zhvillohet një konferencë me Këshillin e Europës për të diskutuar dhe për të arritur në oferta konkrete për heqjen e imunitetit.
Duke i kushtuar po aq rëndësi sa ministrja Bregu, heqjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë, drejtori për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian Pier Mirel, tha se për të treguar që ka një historik në luftën kundër korrupsionit, do të ishte e rëndësishme heqja e imunitetit.
“Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, nëpërmjet kuadrove ligjore dhe institucionale kemi parë që ka një angazhim të qartë; ajo që ne kemi kërkuar të shikojmë, është ajo që e quajmë një historik të qartë, një sërë arritjesh në vazhdimësi në këtë fushë. Për të treguar që ka një hsitorik, do të ishte e rëndësishme për ne heqja e imunitetit. Në fakt, kur flitet për heqjen e imunitetit, shpeshherë mund të lindë pyetja si mund të pritet të ketë një gjyqësor të pavarur, kur nga ana tjetër, do t’u hiqet imuniteti gjyqtarëve. Por, që të jesh i pavarur, nuk do të thotë që të mos kesh mundësinë të japësh llogari”, u shpreh drejtori Mirel.
Pala europiane mirëpriti zgjedhjen e Avokatit te Popullit duke kërkuar që kjo procedurë transparente me seancë dëgjimore dhe me përcaktim të kushteve për zgjedhjen e kandidatëve, të aplikohet dhe për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese.
Drejtori për Zgjerimin Mirel vlerësoi zhvillimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri që prej nëntorit dhe veçoi tri prej tyre: punën e Komisionit Parlamentar për reformën zgjedhore, grupin e punës për rregulloren e Parlamentit dhe sinjalet pozitive përsa i përket dialogut konstruktiv politik që po vazhdon në vend dhe që ka çuar në miratimin e disa ligjeve me 3/5.
Për sa i përket çështjes së pronave, në emër të palës europiane, Mirel vlerësoi pozitivisht faktin që është hartuar nga qeveria shqiptare një strategji e re, sepse sipas tij, pasi të jenë sqaruar dhe zgjidhur çështjet e pronësisë, ekonomia shqiptare do të ketë mundësi të ecë përpara akoma më tej, për sa i përket investimeve, qofshin ato vendore apo të huaja.
Komisioni vlerësoi pozitivisht zbatimin e deritanishëm të MSA-së nga Shqipëria, ndërsa cilësoi si produkt të një pune gjithëpërfshirëse Planin e Veprimit, i cili pritet të miratohet sot në Komitetin Ndërministror për integrimin.
Në mbyllje të fjalës së tij para mediave, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit tha se është provuar tashmë që integrimi në BE është prioriteti kryesor i vendit, dhe që ky proces të ketë sukses, nevojitet një konsensus i gjerë mes palëve politike.
“Është pikërisht ky konsensus që ka prodhuar edhe këto arritje të cilat ne i përmendëm dhe që janë përkthyer në veprime konkrete. Është thelbësore që ky konsensus të vazhdojë, pikërisht siç e kemi parë gjatë këtyre muajve”, tha Mirel.
Në takimin dyditor të Komitetit të tretë të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, që u mbyll dje me një konferencë të përbashkët për shtyp të përfaqësuesve të palës shqiptare dhe asaj europiane, respektivisht ministrja Bregu dhe drejtori Mirel, u analizua zbatimi i MSA-së dhe ecuria e vendit në çështjet më të rëndësishme të kriterit politik, ekonomik, asistencën financiare, tregun e brendshëm, doganat, tatimet etj. Te gjitha këto çështje, sikurse të gjitha temat e diskutimit të këtij takimi, do të pasqyrohen në raportin e progresit në tetor.
Më pas drejtori për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian Pier Mirel, ju përgjigj edhe interesimit të gazetarëve
Në pamundësi të përmbushjes së 12 prioriteteve, sa prej tyre duhet të plotësojë vendi deri në vjeshtë për të marrë statusin e kandidatit?
Kur flasim për 12 prioritetet kyçe është e vështirë të themi kjo apo masë duhet plotësuar, kemi të bëjmë me një seri gjërash të secilit prej prioriteteve kyçe. Unë evidentova faktin që kemi një Avokat të ri të Popullit dhe është pikërisht emërimi i këtij avokati që përbën një nga elementët e një prioriteti prej 12 prioriteteve kyçe. Ajo që ne duam të shikojmë, është që në një sërë elementesh të një prioriteti kyç të ketë ecuri që të na lejojë të japim një vlerësim pozitiv për Shqipërinë.
Për aq sa diskutuat rreth progresit të deritanishëm gjatë këtyre dy ditëve të takimit, a mendoni se kemi shansin të marrin statusin e kandidatit?
Sikur të kisha mundësi të parashikoja të ardhmen, do të isha bërë shumë i pasur, pa le sikur të kisha mundësi të parashikoja se çfarë do të ndodhte me vendet e rajonit, të cilët janë puna ime. Vlerësimi ynë i radhës do të jetë sigurisht ai i vjeshtës në atë që ne e quajmë raportin e progresit. Rezultate janë arritur, në fakt, sidomos gjatë muajve të fundit, por nuk duhet të fshehim faktin që ka ende shumë punë për të bërë. Pikërisht kjo është arsyeja që ne po lutemi që ky angazhim të vazhdojë në Shqipëri, një angazhim i qartë dhe i vendosur i qeverisë, opozitës, mbi të gjitha nëpërmjet Komisionit Parlamentar të Integrimit, me të njëjtën frymë dialogu që e kemi parë gjatë muajve të fundit.