Moderniteti në artet pamore? Është ky që është

Grua e fotografuar në mesin e viteve 20 të shek XX nga Dhimitër Vangjeli
Elsa Demo
Edicioni XVII i Onufrit ekspozita e arteve pamore prezanton 100 vjet art me frymë moderniteti. Dominon fotografia e piktura. Asnjë video, triumfi i dimensionit ndërkombëtar të çdo Onufri. Sepse jemi në një terren shqiptar të modernitetit, nga fillimet në ditët e sotme, i zhveshur ky terren nga grami dhe lulet e serës, thënë me fjalët e kuratorit, një koleksion veprash pa influencat artificiale dhe sipërfaqësore të artit bashkëkohor që hyri dhe u lëvrua në vitet e hapjes së Shqipërisë, një kërkim që kërkon ta vërë atë përballë vlerave universale dhe ta lërë të hapur qëllimin e tij.
Tri foto nga Dhimitër Vangjeli gjatë Luftës së Parë Botërore marrë nga koleksioni i Bashkisë së Ersekës, janë veprat më të hershme të Onufrit XVII; Kristaq Sotiri me një cikël portrete grash; tablotë e pa ekspozuara të Rafael Bendos, Dashamir Myftarit e Dhimitër Kokoshit, rikthimi i Paços me një kokë vajze të viteve shtatëdhjetë e fondit të GKA-së, që ka zbukuruar zyrën e drejtorit Shima; dhe të rinj që krijojnë brenda e jashtë vendit me tablo të jetës moderne: Klodiana Alia, Brilanta Kadillari, Sidi Kanani dhe piktorë me një pjekuri artistike Shpëtim Kërçova, Orion Shima.
Gjatë konferencës për shtyp që u zhvillua para ceremonisë së ekspozitës në Bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve, kuratori Alban Hajdinaj shprehu përfundimin se: cilësia e artit as është rritur e as ka sjellë me vete shkallën e dëshirueshme të mendimit estetik e kritik mbi artet pamore
Onufri këto vite është përpjekur të japë një informacion se çfarë ndodh me artin pamor në Shqipëri dhe i çfarë niveli është ky art.
Ka ardhur koha e një reflektimi ideor dhe financiar njëherësh që Onufri të rihapë kufijtë.
Rubens Shima: Onufri 2011 është prezantim i një kërkimi të kuratorit duke qëmtuar fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, koleksione private, studio artistësh, duke ndërtuar një diksioner të elementëve të modernitetit në Shqipëri. Janë përzgjedhur 22 artistë që përcjellin këtë modernitet nëpërmjet pikturës, skulpturës, fotografisë, vizatimeve, dizenjove të modës. Në fund të shpjegimit të muratorit, jemi të hapur për pyetje që mund të keni.
Alban Hajdinaj: Edicionet e tjera të Onufrit janë bazuar te arti dhe artistët e kohëve më të fundit. Ka pasur brenda ndarjen e çmimeve dhe ka qenë njëlloj gare mes artistëve.
Ndërsa ky edicion e thyen këtë lloj rituali. Duke u përpjekur që të shkojë mbrapsht në kohë dhe të gjejë elementët e modernitetit qoftë te fotografia e viteve 1920-30, qoftë te piktura e viteve 1960-70 e deri në ditët tona, duke përfshirë brenda ekspozitës atë periudhë që ne e quajmë realizëm socialist. Pra ky nocion i ekspozitës së artit bashkëkohor është thyer për të ngritur një pyetje se çfarë është arti bashkëkohor, apo sa bashkëkohor është arti, sa i saktë është ky nocion dhe sa na bën punë për të kuptuar natyrën e vërtetë të artit.
Nuk kemi të bëjmë me një kërkim të mirëfilltë për datën ekzakte, autorët dhe të gjitha faktet e mundshme. Duke sjellë këto vepra dhe artifakte, kuptojmë se çfarë ndodh sot. Pra, kërkimi duke shkuar mbrapsht, është bërë për të kuptuar më mirë të tashmen. Besoj se duke bërë këtë lloj lëvizje, çlirohemi nga disa nocione fikse, të ngurta, që kemi ndërtuar mbi atë që quajmë art bashkëkohor.
Ky prezantim ka një aspekt tjetër që është marrëdhënia me esenë e Sharl Bodlerit e cila përveçse na jep një çelës apo modul për të kuptuar se arti ka qenë modern në të gjitha kohërat, ngre edhe disa rezonanca. Faktikisht kjo ka qenë dëshira personale: për të ngritur rezonanca mes subjekteve që sjell eseja e Bodlerit dhe subjekteve që mund të gjejmë te arti në përgjithësi e pse jo dhe te arti i ditëve tona. Shumë nga punët e ekspozitës janë afri me subjektet që ka kjo ese. Aty shohim një interes të veçantë për veshjen, modën, për figurën e njeriut të burrit apo të gruas, edhe për objekte apo elementë të kohës që besoj janë interesantë në çdo moment për tu parë dhe për tu studiuar.
Piktura e jetës moderne, është një lloj zhargoni i estetikës dhe i kritikës së artit që njihet mjaft mirë në botë. Kur themi piktura e jetës moderne, kuptohet se për çfarë po flasim. Kjo në Shqipëri nuk është njohur, edhe fakti që kjo ese as nuk është përkthyer, për ne është një nocion i ri. E pashë me interes për ta futur këtë nocion në problematikën e artit tonë.
Tv Vizion Plus: Pjesëmarrja është ndërkombëtare apo siç është bërë këto tri vite, vetëm me artistë shqiptarë?
Hajdinaj: Ideja kërkon modernitetin në Shqipëri. Edhe kam thënë edhe më parë, unë jam pak skeptik për përfshirjen në ekspozitën ndërkombëtare të artistëve të huaj, sepse nuk e di sa cilësore ka qenë edhe sa ka sjellë një diskutim mbi artin.
Ne prezatojmë sot punë të artistëve Arben Bajo, Sotir Capo, Rafael Dembo, Brilanta Kadillari, Sidi Kanani, Jakup Keraj, Shpëtim Kërçova, Dhimitër Kokoshi, Guri Madhi, Janaq Paço, Orion Papleka, Kristaq Sotiri, Dhimitër Vangjeli, Ergys Zhabjaku etj.. Siç e kuptoni dhe nga emrat janë të kohëve të ndryshme.
Shekulli: Përse e keni zgjedhur Sotirin?
Hajdinaj: Sepse mendoj që fotografia e tij vërtet manifeston modernitetin. Gjithë kërkimi im ka qenë duke u nisur nga ky nocion.
Tv Vizion Plus: Ekspozohen për herë të parë veprat e autorëve të hershëm?
Hajdinaj: Disa janë vepra që i kam gjetur në fondin e Galerisë së Arteve. Nuk janë të panjohura.
Shekulli: Keraj, Madhi, Paço, të tre krijuan gjatë periudhës kur dominonte metoda e realizmit socialist. Me çfarë e pasurojnë ata modernitetin e pakët të artit pamor shqiptar?
Hadinaj: Janë përzgjedhur sepse paraqesin një karakter tjetër nga ai që e njohim rëndom si realizëm socialist. Janë dy portrete realiste të Kerajt që mund të qëndronin fare mirë në çfarëdo lloj vendi dhe kohe. Edhe një portret i Guri Madhit ndihet i çliruar krejtësisht nga dogma e realizmit socialist. Për mua ato janë thjesht vepra arti dhe nuk mbajnë epitet më tepër se kjo.
Shekulli: Si lëviz moderniteti nga një brez në tjetrin, nga një kohë në tjetrën?
Hajdinaj: Kërkimi që kam bërë ka qenë ai i vazhdimësisë së imazhit modern te artistë të ditëve tona, artistë që lëvrojnë portretin, figurën, këtë lloj qëndrimi që dëshmon pikturën e jetës moderne, një kërkim dialektik brenda figuracionit. Imazhi realist apo piktura realiste është konsideruar si një imazh pro kapitalist shpeshherë në mënyrën e gabuar, ndërkohë që modernizmi njihet si një kulturë antikapitaliste. Kjo nuk është gjithmonë e vërtetë, sepse brenda realizmit, brenda figuracionit, mund të gjesh mundësinë për ta shqyrtuar imazhin dhe në mënyrë dialektike, e fare mirë dhe ai mund të kthehet në një kritikë të kapitalizmit. Me kritikë të kapitalizmit e kam fjalën për shqyrtim i marrëdhënieve nëpërmjet imazhit, pra nëpërmjet asaj që na vjen dhe marrim nga imazhi. Besoj që edhe artistët e rinj, shfaqin këtë lloj aspekti.
Shekulli: Në Shqipëri ka së paku dhjetë vjet që bëhen bienale të artit bashkëkohor, ekspozita të panumërta në galeri private e qendrore. Nuk ka kont