E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë ‘fenomen’!

Ish sulmuesi brazilian, Ronaldo është pensionuar të hënën, duke përfunduar njërën prej karrierave më të suksesshme në futboll. 34 vjeçari, tri herë futbollisti më i mirë në botë dhe dy herë fitues i Kampionatit botëror me Brazilin, ka thënë se lëndimet dhe problemet fizike i pamundësuan të vazhdojë. Nga Express më 14 shkurt 2011 në ora 18:18

Ronaldo është pensionuar nga futbolli në moshën 34 vjeç. Braziliani, i cili konsiderohet si njëri prej sulmuesve më të mirë i të gjitha kohërave, ka qenë duke luajtur në Corinthians, por trupi i tij nuk mundet më t’i bëjë ballë barrës së futbollit profesionist.

Gjatë karrierës së tij të ndritur, Ronaldo i njohur me nofkën ‘Fenomen’, luajti për disa nga klubet më të mëdha evropiane, përfshirë Barcelonën, Interin, Real Madridin dhe Milanin.

Në tri vite ishte zgjedhur si FIFA futbollisti më i mirë në botë mes 1996 dhe 2006, ndërsa ka shënuar rekord 16 gola në kampionate botërore. Ronaldo ka njoftuar për pensionimin e tij gjatë një konference për shtyp në Brazil, të hënën.

Ai pritet të vazhdojë me Corinthiansin deri në fund të sezonit, por eliminimi i papritur i ekipit nga Copa Libertadores këtë muaj, për të cilën tifozët e fajësuan edhe sulmuesin jashtë formës së mirë fizike, i ndihmoi Ronaldos të bindet se ka ardhur koha për t’u tërhequr.

“Kam qarë si fëmijë”, tha ai, derisa përshkroi humbjen e Corinthiansit nga Deportes Tolima në dy ndeshjet e fazës së parë të garës elite të klubeve nga Amerika e Jugut.

“Dua të vazhdoj, por nuk mundem. Mendoj për një lëvizje, por nuk mund ta bëj. Është koha. Më dhemb trupi. Koka ime dëshiron të vazhdojë, por trupi nuk mund të ballafaqohet më tepër”, tha Ronaldo.

Ish reprezentuesi brazilian e filloi karrierën e tij në Cruzeiro më 1993 dhe ishte si 17 vjeç i ftuar për në Kampionatin botëror 1994 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai nuk luajti në të parin prej katër kampionateve botërore, por siguroi transferimin në PSV Eindhoven, ku filloi karrierën e ndritur 13 vjeçare në Evropë dhe arriti të bëhet sulmuesi më i frikshëm.

Në karrierën e tij me arritje të jashtëzakonshme, por edhe rënie të rastësishme, Ronaldo mund të jetë më së tepërmi i njohur në botë për rolin e tij në kampionatet botërore 1998 dhe 2002.

Ronaldo gati sa mungoi në finalen e edicionit 1998 për shkak të gjendjes jo të mirë fizike, por u paraqit dhe luajti nën nivelin e tij të zakonshëm, derisa Franca regjistroi fitore 3-0. Më 2002, Ronaldo shënoi të dy golat në fitoren e Brazilit 2-0 në finale ndaj Gjermanisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›