Lamtumirë Dashamir Dini! Ish-drejtori i Radio Shkodrës dhe RTSH Shkodra përcillet në banesën e fundit

Gazetari, poeti, ish-drejtori i Radio Shkodra dhe RTSH Shkodra, Dashamir Dini, u përcoll për në banesën e fundit.
Homazhet u zhvilluan në hollin e institucionit që drejtoi për 7 vite, teksa kontributi i tij në këtë medie i kalon dy dekadat.
Të afërm, kolegë, miq dhe drejtues të institucioneve i dhanë lamtumirën e fundit njeriut që për 22 vite kontribuoi me përkushtim dhe profesionalizëm në Radio Shkodra, ku shërbeu si gazetar, kryeredaktor dhe dy herë si drejtor në periudhën 2000–2003 dhe më pas 2017–2021.
“Ishte një sfidant ndaj sëmundjes, së cilës nuk iu dorëzua. Ka lënë një gjurmë që nuk shlyhet,” tha Gëzim Podgorica.
“Është një humbje për qytetin e Shkodrës. Një qytetar model, personifikim i qytetarisë,” u shpreh drejtorja e ZVA-së Shkodër, Brisela Kadija.
“Një njeri me kontribute në drejtim të institucioneve të ndryshme; një njeri me vlera të jashtëzakonshme qytetare,” tha Oltion Luli, kryetar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës.
“Jetoi bashkë me dhimbjen, bashkë me familjen… kujtimet që ka lënë në qytetin tonë,” theksoi Teuta Qyteza, zëvendëskryetare e Bashkisë Shkodër.
“Për ne si kolegë të Dashit është dhimbje e dyfishtë. Në çdolloj rrethane, Dashi diti të mbetet njeri, të jetë profesionist i i mirë pa e humbur njerëzillëkun,” tha kryeredaktorja e RTSH-së, Nermin Spahiu.
“Në fakt, pati një emër të bukur: Dashamir. Ai ishte dashamir ndaj familjes, shoqërisë, punës, kolegë, ndaj qytetit të vet,” tha Jonuz Hallaçi, drejtor i RTSH Kukësit.
“Ishte me kulturë e horizont të gjerë. Njeri serioz, që dinte të njihte edhe raportet institucionale, por edhe raportet njerëzore,” u shpreh kompozitori Zef Çoba.
“Ishte njeri i mirë, prind i mirë, shok i mirë, poet i mirë e i talentuar. I gjithanshëm!” tha dramaturgu Mustafa Tukaj.
Në përfundim të ceremonisë, arkëmorti u përcoll për në varrezat publike të Shkodrës, aty ku do të prehet mes njerëzve që e deshën dhe e vlerësuan.
“Po përcjellim një koleg, një njeri që e pati të shenjtë përkushtimin profesional. Po përcjellim një njeri erudit, të kulturuar, që pati një thellësi mendimi për t’u admiruar nga të gjithë ata që e njohën,” deklaroi drejtori i RTSH Shkodrës, Jetmir Shpuza.
Radio Shkodra humbi një zë. Shkodra humbi një njeri të mirë. Gazetaria humbi një profesionist të rrallë.
Lamtumirë Dashamir Dini! U shofsh në paqe!
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/