Lamtumirë Dushk
Astrit Patozi
Demokratët i bëjnë jehonë propozimit socialist: "Kjo nismë është lamtumirë e një sistemi që ka krijuar deviacione të mëdha të votës së qytetarëve shqiptarë"
Partia Demokratike tha dje se qartësisht, me ndryshimin e Kushtetutës për sistemin zgjedhor po shkohet drejt largimit përfundimtar të deformimit të votës. Kryetari i deputetëve të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, si dhe nënkryetari i saj, tha se ndryshimi i Kushtetutës pas nismës së ndërmarrë nga PS-ja për sistemin zgjedhor është “lamtumirë për sistemin e Dushkut. Kjo nismë është lamtumirë e një sistemi që ka krijuar deviacione të mëdha të votës së qytetarëve shqiptarë”. Sipas Patozit, hapi që ndërmorën kundërshtarët politikë socialistë paraqitet si amendament kushtetues që përvijon përgjithësisht sistemin proporcional rajonal, ndonëse nuk ka detaje të qarta. “Këto detaje do t’i lihen ligjit elektoral që do të miratohet më vonë. Ndaj në këtë kontekst, nuk shikoj nevojën për një reagim agresiv nga cilido aktor politik, pasi diskutimi i çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me Kodin Elektoral, janë në një etapë të mëvonshme”, - tha Patozi. Ndryshimet në Kushtetutë, që detyrohen nga sistemi i ri zgjedhor, sipas Patozit, kanë nevojë të kthejnë në kujtesë të “gjithë gamën e problemeve dhe ngërçeve politike”, sikurse u shpreh, të shkaktuara nga “keqinterpretimet dhe gropat që ka Kushtetuta në këto dhjetë vjet, në mënyrë që me një lëvizje të zgjidhen disa probleme njëherësh”. Duke argumentuar të drejtën e çdo deputeti apo grupi deputetësh për të ndërmarrë nisma në Kuvend, Patozi kritikoi partitë e vogla që nuk e mirëpritën këtë zhvillim. “Reagimi është i pajustifikuar, aq më tepër është një reagim emocional dhe shumë agresiv, për shkak se, në radhë të parë, kemi të bëjmë me një nismë dhe nisma nuk mund t’i mohohet një deputeti të thjeshtë dhe jo më një grupi të madh parlamentar. E dyta, ajo është një nismë që mund të korrektohet dhe mund të plotësohet më tej, para se të shkojë në seancë plenare”, - tha Patozi. Nisma e Partisë Socialiste është pranuar megjithatë, si propozim konkret nga PD-ja për sistemin proporcional rajonal mbi bazën e të 12 qarqeve aktualë. “Në rast se ne do të prekim Kushtetutën, do të prekim sistemin, do të thotë që ne do të prekim themelet e ngrehinës së shtetit, që janë zgjedhjet dhe mënyra sesi krijohet parlamenti i ardhshëm. Unë besoj që ky ndryshim thelbësor të reflektohet edhe në katet e tjera të ngrehinës së shtetit”, - tha Patozi. Ai shtoi se shpresonte që të gjithë aktorët në Kuvend do të bëhen të arsyeshëm, pasi pranoi se “ne kemi nevojë të dukshme për ta kapërcyer këtë sistem të deformuar që kemi dhe më pas do të gjenden rrugët e kompromisit për të arritur në një Kod Elektoral sa më të pranueshëm” dhe se “miratimi i këtij amendamenti i hap rrugën dhe e orienton më drejt komisionin e posaçëm zgjedhor, në mënyrë që ne të arrijmë në një kod të pranueshëm dhe sa më konsensual”.