E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bamiri, shpresa e të vegjëlve

Bamir Topi

Presidenti del kundër linjës zyrtare te PD dhe thotë se reforma zgjedhore duhet të kryhet me konsensusin e partive të vogla. "Gjeni mirëkuptimin".

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka theksuar se politika duhet të vazhdojë dialogun dhe të mos ketë përjashtime lidhur me reformën zgjedhore. Kreu i shtetit nënvizoi se dialogu politik patjetër duhet të institucionalizohet, pasi ekziston një komision parlamentar për reformën zgjedhore dhe se ky institucion detyrimisht do ta çojë reformën deri në fund. Ai ka deklaruar prerë, se është e rëndësishme që gjërat të mos bëhen asnjëherë me diktat, por të bëhen me mirëkuptim. Në këtë drejtim, Presidenti Topi nënvizoi se komisioni i reformës zgjedhore duhet të funksionojë dhe nuk duhet humbur kohë. “Jam i bindur që ekziston hapësira e nevojshme, si edhe koha e nevojshme që gjërat të realizohen mirë, të realizohen në kohë dhe në funksion të atyre që ne gjithmonë u referohemi: evenimenteve të rëndësishme që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë”, ka deklaruar ai. Gjithsesi, Presidenti i Republikës ka thënë se reforma duhet të kryhet, pasi sistemi zgjedhor që do të zgjidhet, duhet t’u shërbejë në radhë të parë shqiptarëve, institucioneve dhe në mënyrë të natyrshme Shqipërisë, për t’u integruar në sfidat euroatlantike. Ai ka thënë se, personalisht, nuk duhet të mbajë pozicion për sistemin, sepse është vullneti i partive politike për të përcaktuar sistemin. “Sistemi, nëse është i nevojshëm të ndryshohet, është vullneti i partive që do ta ndryshojë, qoftë edhe duke e prekur Kushtetutën. Mirë është që gjërat të mendohen, të konsumohen brenda vullnetit të të gjitha partive politike dhe nëse nuk ka një marrëveshje absolute, të merret mendimi i përgjithshëm”, tha ai. Në shpjegimin e tij, Presidenti Topi tha se në përfundim gjithmonë ka një vendimmarrje dhe vendimmarrja është mbi bazën e shumicës së vullneteve, në mënyrë që partitë politike të gjejnë një vullnet harmonik, sepse zgjedhjet politike kanë të bëjnë me vullnetin e të gjithë shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›