Lamtumirë Genci Pulahës!
Genci Pulaha, djali ambicioz, skenaristi i RTSH-së, që bota virtuale i dha kuptimin e imazhit, është ndarë papritur nga jeta, nga një sëmundje e pashërueshme, në Austri. Dje, trupi i tij i pajetë është përcjellë për në banesën e fundit, duke marrë lamtumirën e të afërmeve dhe miqve të tij. Në moshën 40-vjeçare, që ka jetuar dhe përballuar tranzicionin e egër shqiptar, me vitalitetin e së nesërmes, Pulaha e kishte lidhur karrierën e tij me artin dhe imazhin. Djali i dramaturgut Ruzhdi Pulaha është përcjellë një ditë më parë nga miq e të afërm, njerëz të artit dhe të skenës, duke kuptuar këmbënguljen dhe sekretin e një njeriu të suksesshëm. Në media ai është shprehur se e ka ndjekur nga pas modeli i të atit, duke mësuar të rendiste mendimet dhe emocionet. Pinjolli i Pulahëve mes pasionit dhe talentit do të kuptohej si intuitë e brendshme. Kjo do të qartësohej me angazhimin e tij nëpër ekranet televizive duke sfiduar profesionalisht, si skenarist i spektakleve në RTSH. Kjo qe rruga e nisjes në atë që quhet tashmë e fuqizuar karrierë profesionale e Pulahës. Me këtë “ngarkesë” sigurie Genci do t’i hynte rrugës së biznesit.
I lindur në Tiranë, i edukuar në një mjedis artistik, të afërmit kujtojnë prirjet e tij drejt artit. Ai u diplomua për Gjuhë-Letërsi më 1989 në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Pas përfundimit të studimeve do të punonte për 4 vjet si skenarist në Departamentin e Spektakleve në RTSH e më pas drejtor artistik në departamentin e Reklamës në këtë televizion.
Duke njohur mirë terrenin informativ brenda dhe jashtë vendit, më ’94 Genci krijon të parën kompani publicitare shqiptare “Delta publicity”, me të cilën do të punonte për 3 vjet. Ka punuar në këtë drejtim, duke hyrë në kontakt me kompanitë më të mëdha të kohës që operonin në Shqipëri, si dhe me partnerët publicitarë, duke ngritur ndër të parët modelin e menaxhimit. Por bota e biznesit nuk e shkëputi nga pasioni i tij për artin, ku lidhjet me ekranin kanë qenë instinktivisht më të forta. Jo vetëm biznesi publicitar, por duke vazhduar dhe pasionin e tij si skenarist Genci është shfaqur së fundmi edhe si producent, duke tentuar edhe investimin. Disa vite më vonë ai krijon kompaninë e produksionit “Mat communication”, me të cilën operoi si producent me disa televizione private dhe kombëtare si TV dhe TV Klan.
“Për mua imazhi është po aq i rëndësishëm sa dhe vetë produkti, – thotë ai. – Nëse krijon imazh dhe i bën të tjerët kuriozë të provojnë produktin tënd, ke bërë gjysmën e punës”. Ndërsa biznesi i tij shkon drejt ambicieve për t’u shtrirë dhe në rajon, historia e këtij njeriu troket sërish në redaksinë e spektakleve të televizionit shqiptar, ku kthehet herë pas here. Bashkëpunimi i tij i fundit më ekranin mbahet mend vitin e shkuar, duke u kthyer së bashku me mikun e tij Pandi Laço si skenarist në festivalin e 46-të të RTSH-së.
V.M