E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasuniversitare; Nis aplikimi për 480 bursa studimi



Fondi Ndërkombëtar i Visegradit financon 480 bursa për studime universitare dhe pasuniversitare për në Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Poloni. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se Visegradi ofron bursa për studime universitare ose pasuniversitare për vitin akademik 2009-2010. Mënyra për përfitimin e këtyre bursave bëhet përmes aplikimit on-line në adresën http://scholarships.visegradfund.org. Afati i fundit për plotësimin e aplikimit on-line është në datën 30 janar 2009.

Aplikuesit

Të gjithë aplikuesit duhet të kenë mbaruar shkollën e mesme ose studimet universitare. Ata mund të aplikojnë për bursa për të vazhduar studimet universitare si dhe ato pasuniversitare. Bursat janë të vlefshme për vitin akademik 2009-2010. Buxheti i vënë në dispozicion të këtyre studentëve kap shifrën e 2 milionë eurove. Gjatësia e studimeve varion deri në disa semestra shkollorë.

Bursat janë përcaktuar për studentë që vijnë nga Evropa Juglindore dhe Lindore, dhe në veçanti nga vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian. Kështu, aplikuesit shqiptarë, së bashku me ata kosovarë, maqedonas, malazezë, kroatë dhe serbë do të kenë më shumë shanse për të përfituar një bursë studimi në lëndët e ofruara nga instituti Visegrad.

Kriteret

Çekia, Sllovakia, Hungaria dhe Polonia janë këto katër vende qeveritë e të cilave janë pjesëmarrëse në Fondin Ndërkombëtar të Visegradit. Këto vende mundësojnë programe master përmes një bashkëpunimi mes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sektori i Marrëdhënieve me Jashtë njofton se Fondi Ndërkombëtar i Visegradit, themeluar nga qeveritë e 4 vendeve pjesëmarrëse në grupin Visegrad (Çeki, Sllovaki, Hungari dhe Poloni), në kuadër të Programit të Bursave Visegrad, ofron bursa për studime universitare ose pasuniversitare për vitin akademik 2009-2010.

Çdo student mund të gjejë informacion më të hollësishëm lidhur me llojin e bursave që ofrohen, mënyrës së plotësimit të formularit të aplikimit si dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikanti. Aplikantët mund t’i referohen adresës së internetit http://scholarships.visegradfund.org.

Studentët në këtë adresë do të gjejnë të gjitha të dhënat. Si llojet e bursave që janë të mundësuara në këto programe, ashtu edhe gjatësinë e tyre. Gjithashtu çdo student do të gjejë on-line formularët që duhet të plotësojë si dhe rregullat e aplikimit.

Ndërkohë që të dhënat e çdo aplikuesi do të jenë të plotësuara në formularët. Më pas do të jenë universitet që do të lajmërojnë kandidatët për çdo të re, si në lidhjet me pranimet ashtu edhe në qoftë se ata rezultojnë fitues. Për 480 bursat në katër vendet janë vënë në dispozicion rreth 2 milionë euro që u mundësohen të gjithë studentëve për të ndjekur studimet në këto vende.

2009

1 miliard lekë investime në QSUT

Ministria e Shëndetësisë do t'i kushtojë më shumë vëmendje investimit në pajisjen e spitaleve dhe të çdo strukture tjetër shëndetësore me aparatura mjekësore. "Investimet e parashikuara do të vazhdojnë në të gjitha zërat, të gjitha shërbimet e shëndetit publik në vend, shërbimet e shëndetit mendor, por dhe institucionet kombëtare si Qendra e Sigurisë, Cilësisë dhe Akreditimit, Qendra Kombëtare e Barnave, Qendra e Edukimit në Vazhdim, Qendra Kombëtare e Kontrollit të Gjakut etj", - pohuan dje burime nga MSH-ja. Nga të dhënat zyrtare të MSH-së, bëhet e ditur se investimi kryesor është pajisja me aparatura mjekësore i spitalit të ri të Sëmundjeve të Brendshme të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, në shumën 1 miliard lekëve. Ky spital, faza e parë e të cilit pritet të përfundojë në pranverë të këtij viti, ka 7 salla të reja operacioni, me shërbimin e reanimacionit, me laborator të urgjencës, traumatologjisë etj. Për sa i takon shërbimit spitalor parashikohen blerje pajisjesh mjekësore për spitalet e Vlorës, Tropojës, Lushnjes, me vlerën 50 milionë lekë, si dhe blerje pajisjesh hotelerie për QSUT-në, maternitetet, spitalet e Vlorës, Shkodrës, Korçës në vlerën 100 milionë lekë. Ndërhyrje synohen të realizohen dhe në infrastrukturën e spitaleve Elbasan, në vlerën e 1.4 milion eurove, në Fier, Lushnje, Tropojë, Kukës, Sarandë me vlerë 688 milionë lekë. Sipas MSH-së, këtë vit parashihet të përfundojnë dhe ndërhyrjet e filluara gjatë 2008-ës në spitalin e Pediatrisë dhe Neurokirurgjisë në QSUT, si dhe të sanatoriumit në Tiranë. "Gjithashtu, do të ndërhyhet për fuqizimin e shërbimeve të shëndetit mendor, në shumën 125 milionë lekë, vlerë e cila do të shkojë për ndërtimin e pavijoneve të reja akute për spitalet Vlorë dhe Shkodër, për ndërtimin dhe rikonstruksionin e qendrave komunitare të shëndetit mendor dhe për furnizimin me pajisje mjekësore të këtyre shërbimeve", - thanë të njëjtat burime. Edhe shërbimi parësor shëndetësor dhe shëndeti publik pritet të pësojnë përmirësime, pasi gjatë këtij viti parashikohet blerja e pajisjeve për laboratorët e shëndetit publik në rrethe, unite dentare, aparatura grafi, skopi dhe eko me vlerën 138 milion lekëve, blerje pajisje mobilimi për qendrat shëndetësore dhe ambulanca të ndërtuara në vitet 2006-2008, në vlerën 50 milionë lekë. Ndërhyrjet në infrastrukturën e shëndetit parësor dhe shëndetit publik parashikohen të jenë në vlerën 150 milionë lekë.

Korçë

Përfundon emërtimi i rrugëve

Në qytetin e Korçës ka përfunduar procesi i regjistrimit dhe evidentimit të adresave dhe numërimit të familjeve, i lidhur gjithashtu me emërtimin e rrugëve dhe shesheve të qytetit. Arian Bejko, nënkryetar i Bashkisë së Korçës, bëri të ditur dje se janë emërtuar gjithsej 290 rrugë dhe 5 sheshe në qytetin e Korçës dhe se vetëm kohët e fundit është vendosur emërtimi për 14 rrugë të reja, me emrat e personaliteteve më të njohura të qytetit ose që kanë dhënë kontribut për të, si “Pirro Mani”, “Andromaqi Gjergji”, “Zai Fundo”, “Rruga e Muzakajve” etj. Gjithashtu janë emërtuar dhe 5 sheshet kryesore të qytetit të Korçës me emrat "Çajupi", "Liria", "Sheshi i Demonstratave", sheshi "Rinia" dhe sheshi "Korça". Grupet e punës të ngritura nga Bashkia e Korçës, pas një pune verifikuese në terren, kryen edhe numërimin e familjeve të qytetit, duke evidentuar 24 mijë familje, thanë burimet e bashkisë. Bejko shtoi: “Përfundimi i këtyre proceseve, që mundësojnë krijimin e sistemit të adresave në qytet, do të vazhdojë me fazën e dytë, që do të jetë regjistrimi i popullsisë, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Brendshme”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›