E Shtunë, 31 Tetor 2026

EKONOMIA E HIJEVE



Qeveria ka garantuar se “Shqipëria nuk është prekur nga kriza financiare globale”, ndërkohë që “rritja e rrogave dhe ulja e taksave” janë deklaruar nga Kryeministri Berisha si “shtyllat kryesore të strategjisë së qeverisë, për të përballuar efektet e mundshme të krizës ekonomike globale në ekonominë shqiptare”. Sa i vërtetë është konstatimi i qeverisë dhe si i shikoni masat anti-krizë të shpallura nga qeveria?

Mendoj se gjërat duhen ndarë mirë dhe qartë, në mënyrë që t’i jap pastaj një përgjigje siç duhet pyetjeve tuaja.

Së pari, duhet thënë se kjo krizë financiare dhe ekonomike ndërkombëtare, e cila duhet parë shumë më thellë dhe më gjerë sesa një krizë që vjen thjesht nga kreditimi i pamenduar i sektorit imobiliar në Amerikë, nuk është përgjegjësia e qeverisë shqiptare. Ne jemi aq të pafajshëm këtu ku ndodhemi sa edhe një njeri që papritur, duke shkuar në punë të vet, gjendet papritur para një aksidenti. Sa i pafajshëm është një pasagjer avioni, kur motori i këtij të fundit ka një defekt e duhet riparuar. Po aq e pafajshme është edhe qeveria. Pra, ajo ndodhet para një problemi të rëndë e të komplikuar, por për të cilin nuk është përgjegjëse për krijimin, por e ka për detyrë përballimin e tij. Nuk ka çfarë bën. Nganjëherë kështu ndodh në jetë. Të tjerë e krijojnë problemin dhe të tjerë duhet ta përballojnë.

Sigurisht që vendi ynë nuk është prekur drejtpërdrejt nga kjo krizë e sistemit bankar ndërkombëtar, që në fakt përmbledh të gjitha problematikat e kohës sonë dhe të ekonomisë së saj. Ende nuk dihet të ketë krijuar probleme te ndonjë bankë që vepron në Shqipëri apo ta shtyjë ndonjë operator financiar shqiptar drejt falimentimit apo vetëvrasjes, sikurse ndodhi në Gjermani. Miliarder që i dha fund jetës te shinat e trenit. Me këto që po na dëgjojnë veshët nga aktualiteti financiar ndërkombëtar: vetëvrasje, skema piramidale në shkallë botërore, falimentime bankash, etj., njeriu i shkretë pyet veten: O Zot, ku jam? Çfarë kam bërë që më ke rezervuar një fat të tillë? Po ne ishim mirë, po pasuroheshim? Dukesh sikur jeton në gjendje natyrore. Është e vështirë jeta, nuk e kishte keq Niçja.

Por, nëse nga kjo pikëpamje, unë jam dakord me konstatimin se Shqipëria nuk është prekur ende, dhe ndofta nuk do të preket kështu dramatikisht dhe me vetëvrasje, përsëri efektet e krizës financiare të sotme, që urojmë të përfundojë sa më shpejt (ndofta brenda nja tre a katër vjetësh), rëndojnë dukshëm, prej kohe, mbi ekonominë shqiptare. Nuk e kuptoj se përse qeveria do të kishte interes për të mos e pranuar këtë veprim negativ mbi Shqipërinë, e cila nuk jeton e izoluar si më parë, por zhvillohet në një shoqëri të hapur, të globalizuar e kozmopolite.

Merita e faktorit qeveritar shqiptar do të gjendej aty, ku megjithëse konjuktura shumë e keqe e sotme financiare ndërkombëtare vepron mbi ne, politikat zyrtare synojnë ta minimizojnë veprimin e saj mbi supet e konsumatorit dhe të sipërmarrësit shqiptar. Në vendet e tjera të botës, qeveritë bile po e shtojnë dhe shumëfishojnë rrezikun që mund t’i kanoset këtij apo atij vendi, sepse kështu edhe përpjekja e përballimit del më në pah, edhe njerëzit e kuptojnë më mirë se jetojnë në një botë plot me rreziqe e shqetësime për t’i përballuar dhe aspak në një eldorado që e premton çdo opozitë që ende nuk ka ardhur në fuqi.

Kriza ndjehet shumë bile, sepse në Shqipëri do të hyjnë më pak parà sa kohë që ajo do të vazhdojë. A e dini se vendet perëndimore në një masë të madhe parashikojnë ritme rritjeje zero për qind për një kohë të caktuar? Është e këndshme kur shtypi shqiptar hyn në debatin jo dhjetë për qind, jo shtatë për qind rritje. A e dini rritjen zero për qind, pra mosrritjen ekonomike? Ende nuk është kuptuar se elementet e rritjes dhe treguesit e saj nuk varen aq nga qeveria, sesa nga faktorë të tjerë. Atje ku kjo varet nga shteti, tregon se ekonomia nuk është në kuadre institucionale normale dhe varet shumë nga fuqia publike. Askush sot nuk bën shtetin perëndimor përgjegjës për krizën. Ai mund të ndihmojë përballimin e saj, por përgjegjësitë për të i kanë operatorët ekonomikë. Ka njerëz në shtyp që edhe kërkojnë treg të lirë, pastaj, kur ka probleme, ia kërkojnë përgjegjësitë shtetit. Por, këto janë dy qëndrime shumë kontradiktore. Naive.

Kriza e sotme për mua është ajo e një ekonomie virtuale, të pakontrolluar dhe të lënë nën veprimin e operatorëve që duan të fitojnë sa më shumë në mënyrë spekulative. Virtualiteti dhe individualizimi i spekulimit financiar jashtë çdo kontrolli nga ana e bashkësisë njerëzore. Kjo ndodhi sigurisht në kushte të caktuara politike, ekonomike, teknike etj., që nuk mund t’i analizoj të gjitha këtu. Kjo lidhet edhe me liberalizimin e të majtave të tipit të Blerit, që gjoja në emër të kërkimit të një rruge të tretë, në fakt, e lanë konsumatorin masiv pa mbrojtje politike. Prandaj edhe elektorati i ka braktisur.

Futja e internetit dhe e kompjuterit në sistemin e sotëm ndërkombëtar financiar, zëvendësoi paranë me simbole virtuale. Vlera e pasurive të ndryshme, pra edhe imobiliare, e sipërmarrjeve etj., në fakt, prej spekulimit, shpesh rritet disa herë, artificialisht dhe kjo vlerë artificiale, që është vetëm një botë hijesh, duket sikur është vlera e vërtetë e gjërave. Por, ja që nuk është kështu. Nëse kam një palë këpucë që vlejnë vetëm 2 lekë, duke i shitur, rishitur, riblerë, rishitur artificialisht në bursat virtuale të “ekonomisë së re”, mund të ndodhë që vlera e tyre virtuale të shkojë e të bëhet disa herë më e madhe. Atëherë unë i lejoj vetes të them e lëkundem në iluzionin se kam një kapital këpucësh ta zëmë prej 20 lekësh. Dukem sikur u pasurova dhjetë herë. Këtë vlerë virtuale e vendos pastaj në një bankë dhe pres në diell të marr interesa prej saj. (E keni parë atë reklamën kur një bankë paraqet një grua poshtë një çadre dielli në plazh apo mbi një dyshek deti nën diçidurën: “Ju pushoni, ne punojmë për ju!?”. Me një fjalë jetoni me ekonominë virtuale të të ardhurave nga interesat bankare. Ha – ha – ha!).

Ose dikush për t’i blerë këto këpucët me çmim virtual prej 20 lekësh merr kredi te kjo bankë me kapital financiar virtual të rritur artificialisht, pastaj këtë kredi virtuale e përdor për ta vendosur si kapar hipotetik, me qëllimin për të marrë një kredi tjetër dhe kështu nis e futet në borxhe pas borxhesh interesash të disafishuara, duke pasur si siguri pagimi një tërësi financiare që ka sigurisht një farë vlere fillestare, por e cila është shumëfishuar artificialisht si vlerë virtuale. Kur ata që nuk kanë mundësi financiare reale nisin e blejnë të mira për konsum, shtëpi, automobila, toka, duke u financuar nga një kapital virtual, e duke u paguar në mënyrë virtuale, duke pasur mundësi vetëm virtuale honorifikimi të borxhit, atëherë e gjithë marrëdhënia ekonomike nis e i ngjan një ekonomie hijesh pas të cilave nuk ka asgjë. Unë vërtet shpresoj se borxhin do ta laj, sepse kam këpucë që gjoja vlejnë 20 lekë, por ajo pasuri është virtuale. Kur i nxjerr t’i shes këpucët e mia në tregun real, shoh se ato nuk bëjnë veçse 2 lekë ose edhe fare më pak.

Nuk kam me çfarë të paguaj, sepse jetoj mbi virtualitetin, përderisa jam njeri i papunë, jetoj në një familje me të ardhura të vogla, kam një vend pune që më jep shumë pak të ardhura, kurse jeta është bërë e shtrenjtë. Kjo është puna: shoqëria e konsumit ngjall dëshira pa kufi për konsum. Ajo duke i zhvendosur kapitalet drejt periferisë redukton perimetrin e punëve të vërteta në sektorët materialë të ekonomisë perëndimore, pra jo të atyre të shërbimeve ideale. Hapësirën bosh që krijohet ndërmjet nevojës në rritje për konsum dhe pamundësive për ta paguar këtë nevojë realisht, e mbulon me borxhin, i cili mbështetet në dy “hije”. Hija e parë lidhet me huazimin që është virtual, sepse banka ka një kapital të rritur virtualisht, si edhe, hija e dytë, janë mundësitë e mia për ta shlyer borxhin, mundësi që janë edhe ato shumë virtuale.

Kompjuteri dhe interneti kanë dhënë mundësinë që ekonomia dhe njerëzit të qarkullojnë, duke pasur si vlera shkëmbimi simbolika virtuale, numra kompjuteri, të nxjerra në bursa virtuale, pra vlera “hije”, pa realitete prapa tyre. Por, kur vjen puna që konsumatori të shlyejë borxhin që ka marrë, banka nuk ia pranon ta shlyejë atë me vlera financiare virtuale, por realisht, i kërkon paratë realisht, i kërkon vlera materiale reale, i kërkon karta krediti të mbushura realisht.

Kjo është kontradikta e madhe mes reales dhe virtuales, që në këtë botë të internetit kërkon një përqasje tjetër.

Sipas meje, ky është thelbi i krizës: kalimi i pamatur në ekonominë virtuale, në financat virtuale, pa kontrollin që duhet nga ligji, apo nga konsumatori. Kuptohet, në kundërshtim me të tjerë, unë them se këtu nuk ka një model analize marksiste që mund të funksionojë. Kjo krizë nuk është thjesht pamundësia e të varfrit për të paguar. Do të ishte shumë e thjeshtë, banale, po të mendohej kështu. Kjo është kultura e borxhit edhe e të pasurit, që funksionon në një botë virtuale financash kompjuterike. Kriza ka prekur më shumë klasat e mesme, ato që kursejnë dhe vendosin paratë në bankë.

Kuptohet, nuk është faji i kompjuterit, as i internetit, pra i teknikës, puna është te keqpërdorimi i tyre, duke iu dhënë shkas disa operatorëve financiarë, që të funksionojnë mbi botën e një tërësie vlerash hije.

Njeriu shpesh është futur me zell e me fuqi të ekzagjeruara te një shoqëri shërbimesh. Unë qethem tek ti, ti riparon këpucët tek ai, ai mëson djalin tënd dhe qarkullojmë të gjithë një “pesëlekësh” të vetëm, bile edhe atë virtual, në kompjuter, me karta krediti. Shoqëri shërbimesh dakord, e kuptoj, patjetër, është e kohës, por puna është se kur të gjithë i shërbejnë njëri-tjetrit në një shoqëri urbane, kush i nxjerr të mirat materiale që gjenden në botën rurale? Sepse na duhet gaz dhe atë e nxjerr muzhiku atje larg, na duhet naftë dhe atë e nxjerr sheiku atje tutje, na duhet gurë për gëlqere dhe atë e nxjerr emigranti atje në gurore, na duhet bakër, hekur, krom dhe atë e nxjerr atje tej ai zezaku nëpër miniera. Qyteti perëndimor qarkullon shërbime, duke i ndërmjetësuar ato me parà virtuale ose me letra, por puna është se shoqërisë i duhen edhe të mira materiale që t’ia marrë natyrës. Shoqëria e zhvilluar urbane, sikundër jemi edhe ne, iu ka ikur burimeve natyrore, ka pak vende pune që hapen në sektorët e të mirave materiale që ia marrim natyrës, pasuri reale dhe që i përpunojnë realisht. Qarkullojmë shumë vlera simbolike, të domosdoshme, sigurisht, por “afife”, që të shkrihen në duar. Vizita mjekësore, ndeshje në stadiume, emisione televizive, pastrime shtëpish, shitje pas banakut, drejtim autoveturash, gjykata, dhënie mësimi në shkolla etj., të gjitha këto janë shumë mirë, por puna është se kush do të punojë tokën, kush do ta nxjerrë naftën, kush do ta kapë peshkun në det? Kush?

Rentabiliteti ekonomik dhe financiar ka një kufi dhe nuk mund të udhëhiqet vetëm nga një modelim i maksimizuar i fitimit virtual. Nuk mund të shkojë pa fund.

Një ditë Qenan K. ishte inatosur shumë dhe më tha miqësisht:

Ku jetojmë or mik?

Përse, – i thashë. Çfarë të ka mërzitur kështu vallë?

Kam gjithë ditën, – m’u përgjigj, - që zihem me një automat! Kisha kohë që po përpiqesha të blija diçka në internet. Por, ai qeni që nga ana tjetër e ekranit më thoshte: “E ke gabim, provoje edhe një herë”. E provoja përsëri, por përsëri më nxirrte ndonjë yçkël tjetër dhe nuk ma plotësonte blerjen. E shaja, ai më thoshte: “Lëri kokëfortësitë, plotëso formularin që të kemi dhënë”.

Kështu vazhdova, – më tha Qenan K., berberi im i mirë, - për nja katër orë. Unë e shaja me libër shtëpie, por ai robi matanë vazhdonte me kokëfortësi përgjigjet e veta idiote. Nuk shante, por edhe nuk pranonte të bënte sikundër i thosha unë. Diku kishte një pakënaqësi me mua. I rashë me grusht ekranit, ndeza një cigare, nisa ta shaja me zë, edukata e fjalorit tim po shkrihej si bora në këto ditë të acarta, të ardhura nga ngrohja globale. Më në fund thirra dikë që merrte vesh më shumë se unë nga teknika. Është shitësi i pajisjeve elektronike përballë dyqanit tim. Sa erdhi ai më tha: “Qetësoju o burrë, mos shaj, ke orë të tëra që grindesh me një automat, po shahesh me një kompjuter, sepse matanë nuk ka njeri, nuk po komunikon me njeri, automati të përgjigjet standard”.

Ja kështu, – tha Qenan K., – është bërë bota e sotme. Ne rrimë nëpër kafene, janë automatët që punojnë. Ne marrim paratë e parazitizmit të fshehur, sepse ose rrimë në shtëpi, ose merremi me punë virtuale, ose tundim derën, ose punojmë kot.

Midis njeriut dhe natyrës është futur në mënyrë të ekzagjeruar virtualiteti, bota e hijeve, automati, kompjuteri. Në kompjuter unë të jap ty sa lekë të duash borxh, bile edhe t’i fal, por në fakt ato lekë nuk i kam, janë virtuale. Por, kur të kërkoj të m’i kthesh do t’i kërkoj si lekë të vërteta.

Të kthehemi tani tek pyetja juaj. Nuk më duken keq këto masat e qeverisë. Prej kohësh kam shprehur mendimin se duhet rritur disi paraja në qarkullim, qoftë edhe me pak inflacion më shumë. Duhet guxim. Kapitali ka nevojë të qarkullojë. Kurse investimet e mëdha në rrugë, në hidrocentrale, në miniera, në bujqësi, pra atje ku prodhohen vlerat reale, materiale, janë rruga kryesore e përballimit të krizës për sot dhe për mot. Jemi mbledhur shumë nëpër qytete, kemi braktisur malet, kodrat, fushat, detin, ajrin. Jemi zhytur të gjithë me frenezi drejt shërbimeve. Shihni të rinjtë që kërkojnë të studiojnë për degë që lidhen me botë hijesh, filozofi, juridik, kontabilitet, psikologji, gazetari etj. Po hekurudhat, po rrugët, po fushat? Kush do t’i administrojë? Apo ka firma të huaja? Po kush do të punojë? Apo marrim emigrantë kurdë, kinezë, turq, moldavë?

Për mua është kriza e një virtualiteti në plane të ekzagjeruara. Kompjuteri dhe ekonomia virtuale është një gjë shumë e dobishme. E ka ndihmuar njeriun. Borxhi është një mekanizëm zhvillimi. Por, me karar. Elektronizimi i shkëmbimeve dhe i qarkullimit të parasë përsëri është diçka e dobishme. Por, jo deri në atë pikë sa llogaritë për botën reale të mos jenë objektive, por vetëm hije, numra spekulues shitjesh dhe blerjesh virtuale në internet, pa asnjë realitet.

Kjo e shkatërron njeriun, ndonëse mund të duket se për një kohë gjërat ecin. Por, fundi vjen shpejt. Nuk punoj, por dua një makinë të mirë. Marr borxh, ma japin virtualisht nga një bankë me kapital të rritur virtualisht. E përdor makinën realisht ca kohë, por kur do të shlyej borxhin, më kërkojnë të kem një vlerë monetare reale apo të përkthyeshme realisht, gjë që nuk mund ta kem. Këtu zinxhiri i virtualitetit prishet. Institucioni vepron virtualisht, kurse nga konsumatori kërkon para apo vlera reale.

Shteti bën shumë mirë që nuk e mban paranë kotë pa e investuar. Kjo është kohë për investime të forta. Në pika të përqendruara, pa shpërndarje të ekzagjeruar në sektorë pafundësisht të panumërt, megjithëse të gjithë sektorët duhen ushqyer, gjë që jep mundësi për qarkullim vlerash të vërteta, që na kthejnë te natyra, te puna, te vlerat reale, materiale. Mbi këtë bazë edhe shërbimet kanë kuptim. Na shërbejnë.

Vizita e Presidentit Topi në Kosovë ka hapur debatin politik e mediatik të raporteve mes dy shteteve shqiptare. Opozita ka akuzuar qeverinë se nuk ka bërë aq sa duhet për të mbështetur shtetin e ri të Kosovës, ndërkohë që qeveria pretendon të kundërtën. (S)a mendoni se ka më shumë mundësi Shqipëria të ndihmojë Kosovën? Ku është e mundshme dhe ku duhet përqendruar kjo ndihmë?

Nuk kam parë ndonjë debat që lidhet me vizitën e Presidentit Topi në Kosovë. Nuk e di përse bëhet fjalë. Kam dëgjuar për çështjen e ambasadorit shqiptar në Kosovë që nuk është emëruar. Mirë është të emërohet sa më shpejt. Por, nuk më duket ndonjë problem për t’u përmendur. Nuk mendoj se është ambasadori ai që do t’i mbajë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë. I mirë duhet të jetë, por nuk besoj më i mirë se ai që kemi në ndonjë vend perëndimor apo tjetër. Besoj se është e lehtë puna e ambasadorit shqiptar në Prishtinë. Nuk është ndonjë hata e madhe. E vështirë besoj se është gjetiu në Ballkan, në Rusi, në Kinë, a në ndonjë vend tjetër, por jo në Kosovë.

Nuk më pëlqen termi “ndihmë”, kur flitet për marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë, sepse nënkupton një lloj tutele nga e para mbi të dytën, çka nuk i përgjigjet tashmë realitetit. Janë dy palë që qëndrojnë në pozita të barabarta. Edhe Kosova e “ndihmon” Shqipërinë.

Ka shumë për të bërë. Pa fund. Në planin social, ekonomik, kulturor. Nuk ka arsye që Veriu i Shqipërisë i hapur drejt Kosovës të mos konsiderohet si një “rajon ekonomik koherent”, dhe kjo kërkon politika fiskale dhe strategji afatgjata zhvillimi, ku mund të punohet me interes. Rrugët, përkthimet, energjitë, tregjet e konsumit të përditshëm, turizmi, shkollimi, traditat, ndarja ekonomike e punës etj. Për sa më përket, gjithmonë kam menduar se na duhen së paku tre “rajone ekonomike koherente”. Veriu i hapur drejt ish-vendeve dikur të Jugosllavisë, zona Tiranë-Durrës e hapur drejt detit, Jugu i hapur drejt Egjeut.

Kurse në planin diplomatik, mundësitë e Shqipërisë janë disi të kufizuara. Kosova nuk i merr porositë në Shqipëri. Duhet shmangur komunikimi vetëm mes vendit, “ne ju mbështesim”, “ju na mbështesni” etj. Më kujtohet se për EULEX-in reagoi negativisht edhe politika shqiptare. Problemi është se politika shqiptare nuk mund të flasë në vend të asaj kosovare. As të bëhen bashkë në Tiranë sa herë që ndofta me të drejtë kanë rezerva ndaj faktorit ndërkombëtar. Ka mënyra më të zgjuara dhe adekuate për të vepruar. Çdo metaforë artificiale tutelizimi të Kosovës nga ana e Shqipërisë jo vetëm nuk është e drejtë, nuk përputhet me realitetet, por edhe shkakton dëme për imazhin e Kosovës si shtet i pavarur dhe i krijon asaj probleme shtesë dhe të kota, me një fjalë e vonon, krijon argumente për kundërshtarët e procesit, krijon mosbesim. Duhet diplomaci, pra.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›