Lamtumirë Viktor Gjika!
Mes duartrokitjesh, ashtu si një artist e meriton, familjarë, të afërm, miq, bashkëpunëtorë e kolegë përcollën dje për në banesën e fundit regjisorin Viktor Gjika. "Sot humbëm krenarinë"... këto janë të paktat fjalë që Thanas Gjika, vëllai i regjisorit mundi të shqiptonte dje gjatë homazheve që u zhvilluan dje në mesditë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Legjenda e kinemasë shqiptare, regjisori Viktor Gjika u shua të martën në mbrëmje pas një sëmundjeje të rëndë. I hapur, i drejtpërdrejtë, i pranishëm dhe aktiv, sa impulsiv aq edhe racional, këmbëngulës në krijimtari e polemizues në debat, një trazim butësie e rreptësie, një vrapues i palodhur i distancave të largëta të artit... kështu përshkruhet Viktor Gjika nga njëri prej miqve të tij më të ngushtë, shkrimtari Teodor Laço, e kështu përshkruhet pothuajse prej të gjithë atyre që patën fatin ta njohin nga afër. Ai asnjëherë nuk e braktisi kinematografinë. Ai mbeti besnik i filmit të cilit iu kushtua edhe në kushte të vështira. Në ceremoninë e djeshme morën pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit, kryetari i PS-së, Edi Rama. "Është një humbje, në radhë të parë për familjen dhe për artin kinematografik shqiptar. Viktor Gjika, në kujtesën e të gjithëve do të mbetet një nga figurat më emblematike të kinematografisë shqiptare. Padyshim një artist me një jetë profesionale shumë komplekse dhe jetëgjatë. Është e natyrshme që njerëzit në një moment do të ndahen nga kjo jetë, por Viktor Gjika është një nga ata që ka bërë histori. Ai ka qenë një artist shumë kompleks. E filloi si mjeshtër i fotografisë, si operator, pastaj si regjisor, pastaj ai u fut edhe në radhën e skenaristëve, çka do të thotë që është në memorien tonë dhe të të gjithëve brezave", tha Presidenti Topi. Ndërkaq, në një mesazh ngushëllimi për familjarët, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, shkruan ndër të tjera, se ndarja nga jeta e njeriut të dashur, Viktor Gjikës, personalitetit më të madh të kinematografisë shqiptare, është një humbje e rëndë, jo vetëm për familjarët dhe miqtë e Viktorit, por për mbarë botën kulturore të vendit". Viktor Gjika e ka shkruar kapitullin e tij në historinë e filmit shqiptar, me daltën e një artisti që gdhend thellë në gur, për të gjitha kohërat. Nëse do të kërkonim një tipar dallues, të kudogjendshëm në filmat e tij, ky do të ishte realizmi. Edhe në kushtet e vështira të diktatit e të censurës, ai bën pjesë me dinjitet në atë grup artistësh që ia dolën të sjellin romantiken e atdhetarizmit, heroiken e luftërave të popullit, si dhe të vërteta të tjera, shpeshherë të hidhura, të jetës së tij. Viktor Gjika lindi më 23 qershor 1937 në Korçë. Operator, regjisor e skenarist i filmit artistik dhe dokumentar, studimet e larta i kreu në Moskë në Institutin Kinematografik "VGIK" për kino-operator dhe u diplomua me filmin "Askush kurrë nuk vdes", së bashku me Dhimitër Anagnostin, me të cilin nderohen me Çmimin e Madh në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike që u zhvillua në Lodz të Polonisë në vitin 1961. Filloi punën në kinematografi si operator në filmin "Debatik", 1961, si dhe në filma kronikalë e dokumentarë. Puna e tij e parë e pavarur si operator dhe regjisor ishte filmi dokumentar "Bistricë ‘63", të cilin e realizoi në vitin 1964. Ky film u nderua me Çmimin e Republikës. Puna e parë regjisoriale në gjininë e filmit artistik ishte "Komisari i dritës", në vitin 1966, në bashkëpunim me Dhimitër Anagnostin. Viktor Gjika ka realizuar si regjisor, skenarist, apo operator gjithsej 15 filma artistikë dhe 25 filma dokumentarë. Gjatë viteve 1984-1991, kreu detyrën e drejtorit të kinostudios "Shqipëria e Re", detyrë nga e cila dha dorëheqjen më 5 nëntor 1990 për t‘iu përkushtuar tërësisht krijimtarisë artistike. Viktor Gjika ka qenë anëtar i bordit këshillimor të Kolegjit Evropian të Filmit, (1992-1995, Danimarkë, Ebeltoft) dhe anëtar jurie në Festivalet Ndërkombëtare të Filmit në Varnë (1965), Stamboll (1979), Annessy (1991), Montpellier (1992), Saint-Etienne (1998). Filmi i tij artistik i fundit ka mbetur "Nëntori i dytë", të cilin e realizoi në vitin 1982. Përveç shumë dokumentarëve, filmografia e tij përfshin edhe "Në çdo stinë", "Gjeneral gramafoni", "Njeriu me top", "Përballimi", "Rrugë të bardha", "Yjet e netëve të gjata", "I teti në bronz") dhe "Horizonte të hapura"). Pas vitit ‘90 ka xhiruar vetëm filma dokumentarë: "Kur ikin korbat", "Unë jam Ismail Qemali" dhe "Antoni Athanas", në të cilët është edhe skenarist dhe operator. Karriera e tij ka njohur vlerësime të shumta, me tituj e çmime, ndër të cilët më i rëndësishmi është Kupa e Festivalit për "Gjeneral Gramafoni".
Dritëro Agolli
Më ka ardhur shumë keq për vdekjen e Viktorit. Më duket sikur kam humbur një pjesë të jetës sime, sepse unë kam qenë bashkëpunëtor me të. Ai ka luajtur një rol të madh në kinematografinë tonë. Filmat e tij kanë luajtur një rol të madh edhe në njohjen e historisë sonë të përpjekjeve të popullit shqiptar, siç është filmi "Nëntori i dytë". Humbja e tij është një fatkeqësi e madhe. Sa më tepër të kalojë koha aq më tepër njerëzit do ta kuptojnë ç‘është kjo humbje.
Teodor Laço
Është një humbje e madhe për kulturën shqiptare e në mënyrë të veçantë për artin kinematografik. Viktor Gjika ishte nga ata krijues që i kushtoi jetën krijimtarisë kinematografike, si regjisor i filmave artistikë e dokumentarë. Është e vështirë për mua të mbaj emocionet e mëdha në këto çaste. I jam gjendur edhe në çastet e fundit të jetës dhe mund të them se ai ishte një model për të gjithë moshën tonë. Viktor Gjika ishte shumë trim.
Tinka Kurti
Për mua emri i Viktor Gjikës është shumë i madh. Ai ka qenë dhe do të mbetet gjithë jetën një emër i madh për kinematografinë shqiptare. Viktori ishte një figurë e rrallë, një kurorë e artë për artin shqiptar, të cilit i ka dhënë shumë. Ai ka realizuar mjaft filma. Më dha mua mundësinë të interpretoj rolin e nënë Pashakos në një moshë të re. Pavarësisht moshës, ai ma besoi mua këtë rol. Falë tij arrita ta interpretoj. Ishte një njeri i jashtëzakonshëm.
Rikard Ljarja
Për mua personalisht është një ditë shumë e vështirë. Na ka lënë një koleg, një mësues, një udhëheqës shpirtëror. Unë e kam jashtëzakonisht të vështirë edhe t‘i them këto dy fjalë. Viktor Gjika vërtet ishte miku im, por ishte edhe miku i të gjithë Kinostudios, edhe pak më tepër se kaq ndoshta. Kujtimet me të janë të shumta.
Piro Milkani
Sot përcjellim për në banesën e fundit një nga emrat më të shquar të kinemasë shqiptare. Është pjesë e historisë dhe e kinematografisë shqiptare. Deri dje ai ishte legjenda e gjallë e kinemasë shqiptare, ndërsa sot mbetet një legjendë. Do ta kujtojmë gjithmonë sa herë të shohim filmat e tij. Në Arkivin Shtetëror të Filmit ruhen kilometra të tërë filmash të xhiruara dhe të prodhuara nga mendja e nga talenti i tij.
Mevlan Shanaj
Unë e kam takuar e biseduar me të edhe kohët e fundit. Kam parë se si ai nuk dorëzohej, nuk jepej. Viktori kishte një personalitet të admirueshëm. Ky personalitet e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Pa dyshim dhimbja mbetet për miqtë, por humbja më e madhe i përket shoqërisë shqiptare, pasi kemi humbur një kolos të ekranit. Viktor Gjika do të mbetet një emër i madh, një emër i lakmueshëm. Rrallë i vijnë shoqërisë njerëz me kaq dije, personalitet e kaq pasion.
Timo Flloko
Duartrokitja është përshëndetja finale që i bën publiku një artisti si Viktor Gjika. Krijimtaria e tij në kinematografinë shqiptare është e gjithanshme e spikatur. Ai realizoi filma të mrekullueshëm. Është një nga regjisorët më të shquar të kinematografisë shqiptare. Si personalitet unikal, si artist, ai do të mbetet në kujtesën e kombit.