E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amaneti i Gjikës: Ma botoni librin e kujtimeve

I tërhequr nga rrethi i kineastëve, me shëndetin që ia bënte gjithnjë e më të vështira ditët, Viktor Gjika nxitonte të përmbushte dëshirat e fundit. E parashikonte vdekjen. Dhe ai donte të rrëfehej. Arriti të linte një libër me kujtime, të cilin se pa dot të botuar në gjallje. Shkrimtari Teodor Laço ishte bashkudhëtar në këtë proces dhe vetëm tri javë më parë regjisori ia ka lënë edhe amanet. Ndërsa botuesi Fatmir Toçi tregon diçka më tepër rreth këtij botimi, që pritet të dalë së shpejti nga "Toena".

Një libër me kujtime, të cilin ju e keni në proces botimi, ishte dëshira e fundit e Viktor Gjikës. Për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

Të flas për Viktor Gjikën më duket pak e tepërt, duke pasur parasysh pasurinë në trashëgiminë kulturore që ai ka lënë me filmat më të njohur për publikun shqiptar. Lidhja ime me të i përket fushës së librit. Shumë pak e dinë, përveç familjarëve të tij, se Viktor Gjika ka lënë një libër me kujtime, të cilin ne e kemi në proces botimi. Po mundoheshim ta botonim sa ai ishte gjallë dhe ta gëzonte librin fizikisht. Ishte mjaft i kënaqur për këtë gjë, por nuk e arriti. Deri në vitin 1990, kujtimet i ka shkruar me dorën e tij, ndërsa më pas nuk arriti t‘i shkruante më, për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore. Miqësisht i ka kërkuar ndihmë shkrimtarit Teodor Laço dhe ia ka rrëfyer kujtimet e tij, të cilat shkrimtari i shkruante, ndërkohë që ai rrëfente.

Në çfarë faze është botimi i librit?

Tani është në fazën e redaktimit dhe korrekturës. Ne kishim menduar një titull paraprak, por pas kësaj që ndodhi po e rishikojmë së bashku me Teodorin dhe familjarët e tij. E rëndësishme është që ai i la në gjallje kujtimet, të shkruara ose të thëna nga goja e tij.

Për çfarë flasin kujtimet?

Një pjesë e vogël përfshin kujtime të fëmijërisë dhe të rritjes së tij, ndërsa pjesa më e madhe i takon anës profesionale, gjithë punës që ka bërë me filmat. Për secilin prej tyre ka shkruar diçka në veçanti, duke u marrë edhe me raportet që ka pasur me shokët, bashkëpunëtorët, raportet që ka pasur me udhëheqjen e kohës, emocionet që ka provuar me rezultatet e me suksesin e filmave të tij, për të arritur deri në vitet e pas ‘90-ës. Kjo është një etapë tjetër e kujtimeve të tij dhe e kinematografisë shqiptare, të cilën Viktor Gjika e ka pasqyruar me nota realiste. Për mua këto mendime të tij kanë vlera të jashtëzakonshme për kulturën shqiptare.

Tashmë që se pa dot në gjallje, promovimi i librit do t‘i lihet ndonjë përvjetori?

Besoj se do të dalë së shpejti në një nga ditët që do të kujtohet largimi i tij. Bashkë me kujtimet, një pjesë e librit përmban edhe fotografi krijuese, familjare, shoqërore e me radhë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›