E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lamtumirë nobelistit José Saramago

Shkrimtari portugez dhe fitues i çmimit Nobel, José Saramago, ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare në shtëpinë e tij në Ishujt Kanari, ku jetonte pas largimit nga atdheu më 1992.

Vuajti nga leuçemia dhe pranë pati të shoqen, Pilar del Rio. Poet, romancier, gazetar, është i vetmi autor portugez i vlerësuar me çmimin më të lartë ndërkombëtar për të letërsinë.

Për shkak të bindjeve ateiste shprehur edhe në letërsinë e tij, Saramago pati probleme me qeverinë portugeze e cila pengoi prezantimin e romanit "Ungjilli sipas Krishtit" për Çmimin Evropian në Letërsi. Për këtë arsye ai u largua nga Portugalia dhe akuzoi për censurë qeverinë. Ai ka qenë gjithnjë një zë antagonist

Saramago u lind Azinhaga, në Portugali më 1922. Romani i tij i parë në stil realist, "Toka e mëkatit" doli më 1947. Më 1959 bëhet anëtar i Partisë Komuniste e cila gjatë regjimit të Salazarit, vepronte në fshehtësi.

Në vitet gjashtëdhjetë bëhet një nga kritikët më të fortë të vendit tij dhe më '66 boton përmbledhjen e parë poetike "Vargje të mundshme". Drejton për 12 vjet një shtëpi botuese dhe 1972-'73 është kurator i suplementit kulturor të "Diario de Lisboa".

Pas viteve shtatëdhjetë shfaqet një tjetër Saramago (nëndrejtor i të përditshmes Diario de Noticias më '75 dhe shkrimtar i lirë), i aftë për ta çliruar narrativën portugeze nga rrënjët e së kaluarës. Kjo është një nga disa arsyet pse ai meritoi më 1998 Çmimin Nobel. Më 1980 botoi "Toka me emrin Alentejo" për revoltën e popullit në skaj të Portugalisë lindore.

Suksesi i tij i parë i madh ishte botimi më 1982 i romanit "Memoriali i kuvendit", pasuar nga "Viti i vdekjes së Ricardo Reis".

Në vitet '90, falë Nobelit fitoi famën ndërkombëtare dhe boton "Verbëria", "Gjithë emrat", "Shpella", "Burri mashtrues" etj. Ka mbështetur iberizmin, lëvizje për bashkimin e Spanjës dhe Portugalisë, vende të gadishulli iberik të cilit i kushton romanin "Trageti prej guri".

Është akuzuar për antisemitizëm me opinionet që ka shprehur për konfliktin në Lindjen e Mesme, ndërsa për romanet "Memoriali" dhe sidomos për "Ungjilli sipas Krishtit" dhe dramën "Jeta e dytë e Françeskut të Asizit" ka ngjallur zemërimin e Selisë së Shenjtë. (Shekulli)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›