E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdiq avokati intelektual i Kosovës

Agjencitë austriake të lajmeve kanë bërë të ditur se Bogdan Bogdanovic, arkitekti dhe intelektuali i njohur serb, ka vdekur në moshën 87 vjeçare. Ai ka vdekur në një spital të Vjenës, si pasojë e sulmit në zemër.

Bogdanovic, njëri prej arkitektëve më të famshëm në Europë (ka botuar 15 libra për teoritë e arkitekturës), ishte kryetar i Beogradit prej vitit 1982 deri në 1986.

Ai ishte kundërshtar i hapur i politikës së Slobodon Milosevicit, posaçërisht në raport me Kosovën. Në vitin 1993 kishte emigruar në Vjenë.

Disa herë kishte deklaruar se Kosova iu takon shqiptarëve dhe se serbët do të duheshin t’iu kërkonin falje shqiptarëve.

Pjesë nga një intervistë e Bogdan Bogdanovicit, dhënë në vitin 1999.

“Kosova ka qenë pjesë e Serbisë për 100 vjet, por askush nuk ka dashur të shkojë atje, të gjithë iknin prej saj. Prandaj, në nivelin e të pavetëdijshmes, populli serb kishte hequr dorë nga Kosova.
Më vonë erdhi inteligjencia, e cila e mësoi popullin që të recitojë diçka për Kosovën. Njerëzit nuk e përmendnin Kosovën pa lëshuar psherëtimë, ndonëse nuk kishin qenë kurrë atje. E shumta, mund të kishin qenë në ekskursione.

Kosova është një fiksion serb, një fantazmë krejtësisht jointelektuale dhe e budallaftë. Nëse analizohet me kujdes, Miti i Kosovës nuk është as mit i vërtetë, sepse mitet e vërteta u krijuan në fillim të mesjetës. Ai është diçka e vonuar, një para-mit, mbase i krijuar në shekullin 18, apo në atë 19. Nuk kam dyshim se atë e ka krijuar kisha. Pikërisht ky është indoktrinimi që ka ndodhur nga poshtë - jo nga arsyeja por nga emocionet, jo nga mendja por nga ndjenjat kombëtare, zemra, etj, etj.,

Më e keqja është kur serbët thonë – dhe besojnë - se kanë fituar. Por, është një surrealizëm i kulluar t’iu shpjegohet se si kanë mundur ta fitojnë Kosovën, kur kanë hequr dorë prej saj. Kjo është qesharake. Ndoshta është edhe më keq që të vazhdohet me vajtimin për Kosovën, pra, që edhe 500 vjet tjera të pritet diçka që nuk do të ndodhë kurrë.

Më duket se kjo ka të bëjë më shumë me aspektin antropologjik, sesa me atë politik”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›