Lamtumirë për Esma Agollin
Shuhet një tjetër aktore e njohur e skenës shqiptare. Esma Agolli është ndarë nga jeta dje, në orët e para të ditës, nga një atak kardiak në moshën 82-vjeçare. Aktorja është përcjellë me një ceremoni të thjeshtë varrimi në shtëpinë e saj, ku të afërmit dhe kolegët i kanë dhënë lamtumirën e fundit. Nuk ka pasur homazhe të zhvilluara për nder të saj në Teatrin Kombëtar, ashtu siç ka ndodhur kur janë ndarë emra të njohur të teatrit dhe kinemasë, duke përmbushur kështu një dëshirë të aktores. Esma Agolli prej kohësh ishte e tërhequr. Ajo i përket brezit të vjetër të aktorëve, figura që janë ngulitur në kujtesën e publikut të gjerë. Karrierën e saj e nisi në vitin 1946, që në fillimet e Teatrit Kombëtar, duke qenë nga të parat artiste shqiptare që thyen tabutë duke iu bashkuar këtij institucioni. Në karrierën e saj artistike teatrore, Esma Agolli Hatibi ka interpretuar rreth 60 role, ku si kryerole spikasin Mirandolina tek “E zonja e Bujtinës” dhe interpretimi te “Dhelpra dhe rrushtë” e Ezopit. Në teatër mbahen mend edhe interpretimet e Agollit te “Prefekti”, “Lulet e shegës”, “Cuca e maleve” dhe më së fundmi te “Streha e të harrurave”. Esma Agolli lindi më 1 korrik 1928 në Tiranë. Ajo ka luajtur shumë role dhe kinematografi, por rolet që spikasin janë “Mysafiri” në vitin 1979, Zonja Neriman te filmi “Përtej mureve të gurta” në 1979, “Fëmijët e saj” në vitin 1957 etj. Esma Agolli mban titullin “Artiste e Merituar”.
#