Rama: Protesta, dëshmi se PS di të reagojë me të gjitha mjetet
Kreu socialist, Edi Rama, ka thënë nga Korça se opozita nuk do të tërhiqet nga kërkesa për transparencën e zgjedhjeve. Rama u shpreh se nuk do të ketë asnjë kompromis që i mbyll rrugën transparencës dhe asaj që ndodhet në kutitë e mbyllura. Sipas liderit të opozitës, qëllimi nuk është bojkoti, protesta dhe reagimi, por është momenti për të negociuar për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës politike. “Nuk do të tërhiqemi, por do të shkojmë përpara në këtë betejë për një kompromis që nuk i mbyll rrugën transparencës, por që e hap atë. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për transparencën e një procesi që lidhet me një rezultat zgjedhjesh dhe se cila palë ka të drejtë, por për të vendosur në themelin e bashkëjetesës sonë shoqërore një kontratë midis qytetarit dhe qeverisë, të bazuar në vullnetin e qytetarit. Beteja për transparencën vazhdon dhe ne nuk do të tërhiqemi asnjë milimetër. Ndodhemi tani në një stacion ku jemi ndalur për t’i dhënë zgjidhje krizës politike, me mundësinë e dialogut. Ne nuk jemi një forcë e cila bojkoton Parlamentin, se del në protesta dhe hyn në grevë urie, sepse nuk është në gjendje të bëjë diçka tjetër, por sepse ne jemi në gjendje të reagojmë me të gjitha mjetet”, deklaroi Rama në takimin me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste në Korçë. Ai u shpreh se situata aktuale, me të gjithë kompleksitetin e saj, është pasojë e vjedhjes së votës dhe të krimit të mbyllur në kuti. Edhe rrënimi ekonomik, rritja e çmimeve apo mbyllja e vendeve të punës, sipas tij, vijnë si derivat i grabitjes së votës, pse manipulimi elektoral çon në qeveri jolegjitime dhe të papërgjegjshme. Duke iu referuar grevës dhe protestave, kreu socialist ka përcjellë vlerësimet maksimale, duke nënvizuar se përmes tyre, opozita arriti objektiva madhorë në një kohë të shkurtër. “Ne jemi në një moment kur dimë të negociojmë. Kemi arritur në një kohë të shkurtër më tepër nga çmendonim, kemi përmbysur tërësisht një situatë në të cilën u gjendëm vetëm, por duke besuar tek e drejta jonë. Por ne nuk do të tërhiqemi. Sot, vendi po vuan pasojat e vjedhjes së votës dhe krimit të mbyllur në kuti, po vuajmë pasojat e mbylljes së vendeve të punës, po vuajmë pasojat e rritjes së çmimeve, ndërkohë që fuqia blerëse bie çdo ditë. Të gjitha këto janë të lidhura me grabitjen e votës, me korrupsionin elektoral dhe ky rrënim ekonomik është rezultat i mungesës së transparencës. Sot, ne nuk kemi shifra dhe tregues realë për çka ndodh në ekonominë tonë. Kutia e ekonomisë është e mbyllur njësoj si kutia e zgjedhjeve dhe kutia e drejtësisë”, deklaroi Rama. Nga manipulimi i zgjedhjeve te kriza ekonomike, ai ka “zbuluar” ekuacionin e situatës së tanishme, e cila i ngarkon Partisë Socialiste detyrën e opozitës. Artikulimi gjithnjë e më i shpeshtë i problemeve që lidhen me përditshmërinë e qytetarit po shumëfishojnë përmasën e opozitarizmit socialist, i cii deri më tani, është përqendruar në hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk ka munguar në këtë takim të Ramës edhe një vlerësim për moralin e dëshmuar gjatë zhvillimit të grevës së urisë, e cila sipas tij, flet për faktin se në PS ka energji dhe forcë opozitare, ka afruar më shumë fjalën me veprën, duke besuar te kauza dhe qëllimi.
#