Lamtumirë violonçelistit Binjaku
Një nga pjesëtarët e Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, violonçelisti Sazan Binjaku është ndarë nga jeta. Lajmi bëhet i ditur nga zyra për shtyp i TOB, ku përmes njoftimit vlerëson dhe artistin e orkestrës. “Humbja e çdo artisti aktiv është humbja e një vlere njerëzore të krijuar nga talentet e kombit tonë jo shumë numeroz dhe nga një shkollim i gjatë dhe përkushtues. Sidomos kur artistët i përkasin sektorëve artistikë komunitarë si orkestër, kori, trupa e baletit, çdo humbje e njërit ndihet kolektivisht dhe përjetohet nga një dhimbje që në shumë ndjeshmërinë e saj reflekton gjatë. E tillë është dhimbja jonë për instrumentistin e shquar, pjesëtarin e Orkestrës prestigjioze të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, violonçelistin Sazan Binjaku, që u nda mbrëmë, pa arritur të çelë siparin e Galasë së Baletit”.
Ndonëse sëmundja e tij ishte shfaqur qysh në verën e kaluar, ai nuk u nda nga skena gjithë stinën dimërore të kaluar. Mori pjesë para një jave në turneun e fundit të Orkestrës së TKOB në Greqi dhe vetëm dy ditë u largua nga provat, pa rënë në sy, sikur nuk deshi të trondiste përgatitjet për çeljen e sezonit 2009.
Sazani ka punuar gjatë në TKOB fillimisht si një nga pjesëtarët e grupit emërmirë "Na bashkoi kënga popullore" dhe më pas në Orkestrën Simfonike të institucionit.
“I gjallë dhe aktiv gjithmonë. I përkushtuar ndaj jetës familjare dhe me aftësi muzikore të shumanshme, kështu do ta kujtojnë atë miqtë, shokët e formacionit muzikor dhe i gjithë institucioni. Emri i Sazan Binjakut për gjithë ato që përmban si cilësi njerëzore dhe artistike me largimin e tij befasues dhe të dhimbshëm do t'i përkasë kujtimit të paharruar të atyre që në jetë janë bashkudhëtues të rrugës së progresit artistik të institucionit dhe përfaqësojnë një emër me individualitet në vlerat e përbashkëta të artistëve të Orkestrës Simfonike”.