Akcizat, ndryshon niveli për gazoilin
Akciza për karburantet tani do të jetë 37 lekë për litër. Ndryshimet në ligjin “Për akcizat”, përcaktojnë një akcizë specifike për gazoilin, i cili do të jetë vetëm 37 lekë/litër. Ndryshimet u miratuan dje në ligjin "Për akcizat", nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave. Por përsëri deputetet e opozitës kanë kundërshtuar vendosjen e kësaj akcize të njëjtë për gazoilin. Zëvendësministri i Financave, Florion Mima, sqaroi deputetët se ndryshimet prekin gazoilin, për të cilin masa e akcizës, nga akcizë ad-valorem prej 75%, por me kufizim jo më shumë se 37 lekë për litër dhe jo më pak se 27 lekë për litër, bëhet akcizë specifike, vetëm 37 lekë për litër. "Ndryshimi për produktet e naftës diktohet nga fakti se sipas legjislacionit evropian, produktet e naftës taksohen me akcizë specifike dhe jo ad-valorem", - vuri në dukje Mima, duke shtuar: "Në këtë kontekst, për të përafruar mënyrën e taksimit të këtyre produkteve, është ndryshuar mënyra e taksimit, duke e specifikuar masën e aplikimit të akcizës". Me çmimet ekzistuese në tregun botëror të karburanteve impakti në buxhet, nga rishikimi i masës së akcizës, për vitin 2009 përllogaritet të jetë rreth 1.5 miliard lekë.