E Diel, 1 Nëntor 2026

Lana qelb Tiranën në verë, në lumë urinohet dhe hidhen mbetje (FOTO)

lana1—-Nga Arisa Liço—-

Tiranë- I shtrirë në të gjithë gjatësinë e kryeqytetit, Lumi i Lanës në vend që të jetë burim freskie është kthyer në ditët e nxehta në një makth të vërtetë për qytetarët e Tiranës.

Lana në këto ditë gushti veçse shterrimit të ujit, kutërbon aromë të padurueshme që pushton hundët e kalimtarëve buzë saj.

Në një vëzhgim të Gazetës IDEA, imazhet flasin qartë se si Lana është shndërruar edhe në një burim infeksioni nga mbeturinat që hidhen nga vetë dora e njeriut përgjatë shtratit të saj dhe nga kryerja e nevojave personale poshtë urave të saj. Paçka se fenomeni është denoncuar vazhdimisht në Gazetën IDEA, situata vijon të jetë shqetësuese teksa në urën e ‘Rrugës së Elbasanit’ mbeturinat po dekompozohen nga dielli, sepse ka muaj që s’janë larguar prej andej nga askush.

E nxitur edhe nga temperaturat e larta përvëluese të stinës së nxehtë të verës, aroma të pakëndshme përhapen sa që e bëjnë të padurueshëm qëndrimin në ato zona ku të duhet e patjetër të presësh dritën jeshile të semaforit, për të vrapuar në anën tjetër të rrugës.

Na qelbi. Kjo është fjalia që dëgjon më shpesh të dalë nga goja e qytetarëve bashkëvuajtës me të cilët ndeshesh pranë lumit të Lanës, të cilët flasin me një zë të mbytur për shkak se hundët i kanë bllokuar me duar për ti shpëtuar sadopak erës mbytëse.

Ndërsa rrëzave të këmbëve të urës hidhen edhe mbeturina të ndryshme, ka nga ata që hijen e shfrytëzojnë për të marrë një sy gjumë, por të tjerë shtrihen për të marrë ca rreze dielli.

Edhe në Liqenin Artificial shkruhet e njëjta historiUji i liqenit që nga vapa duket se po shteron, mbi krye i kanë dalë barishtet. E për qytetarët e shfrytëzojnë darkave ajrin e Parkut të Madh, mushkonjat dhe insektet e tjera të tërhequra nga era e rëndë dhe papastëritë e liqenit, përbëjnë shqetësimin më të madh.

Nevoja për rehabilitim të këtyre dy pasurive ujore e mjedisore të kryeqytetit mesa duket po ulëret fuqishëm për tu vënë dorë, në mënyrë që qyteti dhe banorët e tij ti shpëtojnë kutërbimit.

◄ Pas Para ► Foto    1 / 12

Lana qelb Tiranën në verë, në lumë urinohet dhe hidhen mbetje

◄ Pas Para ►
Foto 1 / 12

Lana qelb Tiranën në verë, në lumë urinohet dhe hidhen mbetje

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›