E Shtunë, 31 Tetor 2026

Larg Guantanamos

Prej dy vjetësh punon për një organizatë njujorkeze, që mbron fajtorët e bazës ushtarake. Qëllimi i saj është të gjejë një vend për të mbledhur të gjithë ata që nuk mund të kthehen në shtëpi

Dhjetë vite më parë, Ani Emilou Maclean zgjohej çdo ditë në orën katër të mëngjesit për të marrë vesh se çfarë ndodhte në botë. Ashtu, gjysmë e fjetur, përpiqej të merrte gazetat për të lexuar krimet që pësonin të tjerët, duke ëndërruar që një ditë mund të ishte ajo viktima.

Sot, Emilou, 30 vjeçe, është avokate e Qendrës për të Drejtat Kushtetore, një shoqatë njujorkeze që kujdeset për respektimin e Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, për Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe normat e lirisë personale të parathëna nga "habeas corpus".

Guantanamo është pika e saj e dobët. Burgu amerikan në Kubë është simboli i mbetjes së administratës Bush pas fillimit të luftës ndaj terrorizmit. Nga janari i vitit 2002, burgu ka "mirëpritur" 775 të dënuar, 225 prej të cilëve janë ende në pritje të njohjes së statusit të tyre juridik dhe të procesit. Shumë pak janë shpallur fajtorë. "Qeveria ka bërë shumë propagandë për të bindur qytetarët se këta persona ishin llum", thotë Emilou. "Në fakt, shumë prej tyre janë arrestuar, sepse gjendeshin në vendin e gabuar, momentin e gabuar, ndërsa një pjesë tjetër edhe janë shitur". Emilou tregon një fletëpalosje, që deri në fund të 2001-shit, ushtarët amerikanë shpërndaheshin nëpër fshatrat afgane dhe pakistaneze për ta ftuar popullin t‘u tregonte dyshimet e mundshme (tabloja pasqyron një burrë me mjekër). Në këmbim ofroheshin "miliona dollarë" dhe premtime për një jetë më të mirë. "Mund të shpëtoni për gjithë jetën familjet tuaja, fshatin dhe fiset", lexohet në një copë letër. "Mund të blini bagëti dhe libra shkollorë, të paguani mjekët dhe t‘i jepni një shtrat të gjithë të afërmve tuaj".

Që prej 7 vjetësh organizata njujorkeze lufton për të sqaruar krejtësisht statusin juridik të të burgosurve të Guantanamos dhe për t‘ju gjetur një avokat, i cili është i aftë t‘i mbrojë gjatë procesit. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara ka shpallur disa dekrete në favor të instancave të avancuara të organizatës: për shembull i ka shpallur të paligjshme komisionet speciale ushtarake të krijuara nga administrata "Bush", për të gjykuar të burgosurit e Guantanamos dhe ka njohur të drejtën e tyre për t‘u gjykuar në vendlindjet e tyre. Por, qeveria amerikane nuk i ka përmbushur kurrë këto vendime, duke aprovuar ligje të reja.

"Kriteri i vetëm i përdorur për të liruar të burgosurit e Guantanamos është nënshtetësia", shpjegon ajo. "Të parët janë lënë të lirë perëndimorët, më pas qytetarët e vendeve aleate të SHBA-së, siç është Arabia Saudite. Ata që kanë mbetur në burg janë vetëm ‘fajtorët‘ e vendeve të varfra dhe të parëndësishme, si për shembull Jemeni, dhe ata që nuk mund të kthehen në atdhe, sepse rrezikojnë të ekzekutohen, ose të torturohen: sirianët, libanezët, tunizianët, kinezët dhe rusët".

Një problem kombëtar

Emilou kujdeset pikërisht për këta të burgosur: përpiqet që të mos i kthejnë në atdhe, duke bindur Shtetet e Bashkuara, ose ndonjë vend tjetër t‘u japë azil politik. Në nëntor të 2008-ës ishte në Zvicër për të zgjidhur çështjet e një algjeriani dhe libanezi, ku zyra federale e emigracionit kishte refuzuar mirëpritjen. "Detyra ime është të gjej vende të cilat nuk shfaqin probleme, ku janë të pranishme komunitete që flasin të njëjtën gjuhë të të burgosurve, ku priten të lirohen. Një e pesta e të burgosurve të Guantanamos po pret që të largohet nga ai ferr. Ai burg është një tmerr për të pafajshmit, për Shtetet e Bashkuara, për vendet e tjera perëndimore dhe për të drejtat njerëzore në përgjithësi. Është një problem ndërkombëtar që duhet ta zgjidhim së bashku".

Disa mendojnë se qeveria amerikane duhet ta gjejë vetë zgjidhjen për dëmet që ia ka shkaktuar vetë politika e saj, por Emilou përpiqet të jetë më realiste: "Edhe vendet evropiane që i kanë dërguar policët e tyre në Guantanamo, nuk mund të thonë që problemi nuk u përket. Obama që u zgjodh President, pavarësisht se e akuzuan që ishte spiun mysliman dhe mik i terroristëve, nuk mund t‘i lirojë të gjithë përnjëherësh këta njerëz dhe t‘i marrë në Shtetet e Bashkuara. Nga pikëpamja politike, do të ishte një lëvizje shumë e rrezikshme".

Më 22 janar, Emilou u kthye nga Nju Jorku, pasi kishte vizituar për të parën herë Guantanamon. Për t‘i marrë autorizimin e hyrjes në bazën kubane familjarëve, të afërmve dhe kolegëve, ka pranuar të merret në pyetje nga autoritetet.

Emilou punon në organizatën njujorkeze që prej vitit 2006, pasi kaloi një periudhë në Afrikën e Jugut, duke punuar si vullnetare. "Shkova në Afrikë, ndërsa isha ende një studente. Arsyeja ishte se dëshiroja të bëja diçka konkrete në rrugën e të drejtave njerëzore. Isha e magjepsur pas atij vendi dhe mendoj se Afrika ka shumë mundësi për të bërë përpara". Me kolegët e saj kujdesej për t‘u garantuar asistencë shëndetësore vendasve.

Në Afrikën e Jugut, Emili ka njohur "avokatë aktivistë". "Ata më bënë të kuptoja se po ta përdorësh ligjin në mënyrën e duhur mund të përmirësohet jeta e njerëzve", tregon ajo. Pasi u kthye në Boston, u transferua në Nju Jork për të punuar më pas në organizatën Qendra për të Drejtat Kushtetore, e cila është themeluar në vitin 1966 gjatë lëvizjeve për të drejtat e njeriut. Shpesh asaj i duhet të përballet me vështirësi të ngjashme me ato që ka hasur në Afrikë. "Këtë periudhë po punojmë për çështjet që lidhen me luftën kundër terrorizmit, torturat, ose fluturimet sekrete të CIA-s. Gjithsesi, problemet e vjetra janë ende çështja kryesore e ditës. Zezakët vazhdojnë të jenë të diskriminuar. Shpesh keqtrajtohen edhe nga policia".

Emilou tregon se familja dhe miqtë janë shumë të rëndësishëm për të mbajtur një ekuilibër. "Në fund të fundit, kush merret me probleme kaq të mëdha, ka nevojë të thithë edhe pak ajër".

Biografia

Lindi në Boston, në Shtetet e Bashkuara, më 21 dhjetor 1978. Në vitin 2005 diplomohet për shkenca politike në Universitetin e Harvardit. Në 2006-ën fillon punë në shoqatën njujorkeze Qendra për të Drejtat Kushtetore. Në nëntor të 2008-ës udhëton drejt Evropës për të bindur disa shtete që të mirëpresin ish të burgosurit e Guantanamos.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›