Largimi i Berishës, rilindje politike, apo opozitare?
Nuk e besova menjëherë bombastiken, të jashtëzakonshmen, autentiken Rilindje kombëtare, që nënkuptonte programi i opozitës, pasi kërkova që në fillim që ajo të hidhte hapa konkretë në artikulimin e saj. Aq më tepër që është dëgjuar shumë herë nga goja opozitare refreni i diçkaje të re, kryekëput ndryshe, që ska lidhje me të vjetrën, siç ishte slogani i zgjedhjeve të shkuara Përtej së majtës dhe së djathtës, apo dhe ky i tanishmi, i qerthulluar rreth fugës së rilindjes. Mirëpo i gjithë ky lloj reformizmi që po vëmë re gjatë këtyre viteve, përtej dëshirës së mirë, ndoshta përtej dhe pasionit të shfaqur, vuan nga karakteristikat më të dukshme që duhet të ketë një transformim autentik. Nuk zotëron durimin e këtij të fundit, e as thjeshtësinë e përulësinë e tij. Ka ngut të pamotivuar për të arritur qëllimin që i ka vënë vetes, sheh përpara i mbytur i tëri nga padurimi dhe pamaturia, duke e përpirë rrugën me kafshata të mëdha, pa e përtypur.
Është më se e kuptueshme të dyshosh pas aq shumë peripecive të rrugës që hoqi opozita jonë, mbi qëllimin e saj të vërtetë: ardhja në pushtet, apo rilindja e vërtetë kombëtare? Mirëpo fjalori që po dëgjohet këto kohët e fundit për të mbrojtur dhe paraqitur qëndrimet ose qoftë edhe pakënaqësitë e veta, nga ana e opozitës, lëkundet në shilarësin e skajshëm ku Kryeministri artikulohet në termat e otomanizmit sulltanesk, arkaik dhe pushteti në përkufizimet e maktheve fashiste, fataliste, e kështu me radhë.
E njerëzit nisin të pyesin veten: vallë kaq keq jemi katandisur? Po ne jemi në NATO, po mundohemi të marrim integrimin? E përsëri regjimi është prej sulltanësh. Edhe nga gjendja ekonomike, nuk jemi mirë, por të paktën ska recension apo kriza të frikshme si në Europë? E përsëri ekonomia është e zënë nga makthi fashist i politikës dhe borxhi një përmbytje biblike që po i turret Shqipërisë. Po të paktën, opozita po e artikulon programin e vet, ka ndryshuar, shton një tjetër, veçse harrohet se është pikërisht gjuha politike ajo që spiunon emblematikisht tërë atë humnerë besimi e vërtetësie që duhet të kapërcente opozita me qytetarët e vet, e që po e largon aq shumë nga ajo politikë moderne që ata presin apo pret edhe vetë domosdoshmëria historike e Shqipërisë.
Është ky një ves i pakuptuar në gjithë përmasën dhe rëndësinë primare që ka në kuadrin e patologjisë nga e cila vuan opozita jonë. Aq më tepër që në realitetin e sotëm shqiptar vihet re një fenomen akoma dhe më i përkeqësuar, pasi fjalët në Shqipëri, në të gjitha nivelet (qoftë dhe në media) zvetënohen dhe degjenerohen në kuptim dhe në përdorim, në mënyrë sa të thjeshtë, aq dhe ciklike. Nuk djegin atëherë kur duhet të djegin dhe përflaken kur përshkruajnë fakte më se të pritshme. Ajo çka është normale, teprohet; ajo që është e parregullt, madje dhe ilegale, përjetohet dhe paraqitet si normalitet. E kur në botën e fjalëve krijohet një konfuzion kaq i madh, do të thotë që është humbur rruga, që shkohet rrugës si një i verbër nëpër natë dhe që e vërteta me gënjeshtrën përzihen e ngatërrohen. Fjalët janë si një vend: humbet koordinatat, atëherë kur nuk korrespondojnë me kuptimin e vërtetë.
E megjithatë, gjithçka që opozita po afron në programin e saj duket të shfaqet me vezullimin dhe shkëlqimin e një ëndrre që Shqipërisë po i troket në prag. Njerëzve, qytetarëve, votuesve shqiptarë, u ngelet vetëm të hapin sytë përpara saj dhe të largojnë të keqen, errësirën që i ka mbuluar deri tani: Berisha dhe regjimi i tij. Vërtet është kaq e lehtë? – do të pyesin njerëzit. Paskëshim humbur për kaq pak gjë gjatë gjithë këtyre viteve, pa na ardhur mrekullia? Vërtet është kaq e thjeshtë, sa duhet të mblidhen edhe më të humburit a më të këqijtë e të gjithë opozitarëve, kudo që janë, ska rëndësi se çmendojnë e çduan, mjafton që koalicioni të rrëzojë regjimin e të na japë ne pushtetin, se ne jemi gjithçka ndryshe, gjithçka tjetër në administrim, në ide, në zbatim, kryekëput ndryshe edhe në zakone, në besime për jetën, për punën, për të ardhmen. Ne jemi rilindja, kuptoni o njerëz, ne jemi ëndrra që po ju troket te dera. E njerëzit ndoshta mund të besojnë se një racë e re shqiptarësh ka rilindur, nuk janë ata që i shohin sot përditë, me të cilën punojnë, jetojnë a diskutojnë e që i kanë parë të rriten bashkë me ta. Jo, ne jemi ndryshe, kjo është hileja, bërtasin, që duan të na bëjnë të gjithë njësoj. Atëherë, ka shumë që nisin ta besojnë vërtet se ka ardhur çasti fatlum.
Ekziston një poemë e bukur e Hajnrih Hajnes, që nxënësit në Gjermani e mësojnë përmendësh. Quhet Gjermania-një përrallë dimri; ajo jo vetëm që është e vështirë në përkthim, por e vështirë edhe të transmetohet se çfarë nënkupton vërtet për gjermanët: Poeti rrëfen se si kthehet një ditë në atdhe, e dëgjon një ninullë të çuditshme të kënduar nga një vajzë, me një ndjenjë të vërtetë, por me zë të gënjeshtërt. Është një këngë që evokon tokën si një luginë lotësh, që evokon gëzimet që zhduken shpejt e botën e përtejme, ku shpirti noton e transfigurohet në ëmbëlsitë e përjetshme. E përpikërisht në këtë pikë, në këtë atmosferë të magjishme, Hajne e ndryshon tërësisht tonin, aq sa e këput krejt magjinë. E kjo, për faktin se kjo këngë ishte kënga e vjetër e dorëzimit, ninulla e qiellit me të cilën përkundet populli në djep, siç e përcakton Hajne.
Një rrëfim të tillë duket të dëgjojmë çdo herë që në mbledhjet gati të përditshme, opozita shpalos programin e saj në çdo fushë të zhvillimit e të rilindjes shqiptare. Veçse gjithçka është aq e tepruar në perspektiva të ndritshme, aq bombastike në nihilizma, sa e bën të ngjashme me magjinë e ëndrrave të parealizueshme, të premtimeve të mëdha e fjalëve të papërmbajtura që sdo të donim ti dëgjonim kurrë as tani, as përgjatë zhvillimit të çdo fushate elektorale. Sepse çdo lloj zhgënjimi prej këtyre ëndrrave hap gremina para nesh. Sa më të stërmëdha iluzionet, aq më e zgjatshme është kjo flluskë dhe aq më i frikshëm shpërthimi i saj. Ëndrra të këtij lloji fillojnë me brohorima e mbarojnë duke shkaktuar në fillim pakënaqësi, pastaj zhgënjim, e në fund cinizëm. Tek e fundit, është kjo risia që i kërkohet sot politikës: ta reshtë zakonin e premtimeve që aq shumë të zmadhuara e propaganduara ngjajnë me ëndrra a flluska iluzionesh, demagogjish; ti këpusë krahët ëndrrave që nuk kanë një raport të caktuar me faktet dhe realitetin.
Por, e vërteta, autentikja, dihet, nuk vonon asnjëherë të dalë prej goje, prej shpirti, ashtu spontanisht apo rastësisht, siç u shfaq më në fund edhe prej veprimeve të opozitës. Rasti i kandidimit të zotit Visha u bë shprehja më emblematike e kuptimit se përse në këtë moment na nevojitet më shumë se asnjëherë tjetër ai ton magjithyes i Hajnes ndaj këngës së bukur të vajzës ëndërrimtare. Ky rast, ose më mirë kjo orvatje alla përtej së majtës dhe të djathtës, jo vetëm që theu zemrat e opozitarëve, por edhe magjinë e asaj shumice të heshtur, e asaj shtrese postideologjike apo antipolitike që mund të kish krijuar ndonjë iluzion për rilindjen shqiptare. E gjitha u kuptua se nuk qe parimore, idealiste, por përkundrazi, pazar i thjeshtë me vetëdijen e ardhjes në pushtet me çdo kusht. E është kjo me çdo kusht ajo që e bën akoma dhe më të frikshme këtë situatë.
Ndoshta i bindur nga Blushi dhe ideologjia e tij për një program të vërtetë opozitar, opozita ndërmori hapin e mirë e të frytshëm të paraqitjes së një vije të re qëndrimi nga dy vjet më parë. Mirëpo huqet dhe ideja e mendësisë së vjetër, se nën rrogoz duhen bërë edhe ca goditje të herëpashershme, plot marifete e truke, nuk iu shqit asnjëherë. Përkundrazi, këto truke demagogjike duket se po njollosin edhe vetë idenë e mirë për të programuar betejën elektorale mbi disa parime e kritere që të bëjnë pakt me vetëdijen e sa më shumë shtresave të shoqërisë. Mirëpo edhe njëherë, gjithçk
