E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prognozë për 10 vjetët e ardhshëm dhe integrimi

REXHEP MEIDANI

…vijon nga numri i djeshëm (http://www.panorama.com.al/opinion/prognoze per 10 vjetet e ardhshem dhe integrimi/)

Midis institucioneve europiane dhe atyre kombëtare.
Pesë fazat e zhvillimit politik në Europë janë: shtetformimi, zhvillimi kapitalist, kombformimi, demokratizimi dhe sistemi i mirëqenies sociale, brenda një trilogjie të përzierë sipas 3 drejtimeve tradicionale (të modifikuara): realizmit (Machiavelli, Hobbes), racionalizmit ose internacionalizmit (Grotius), dhe universalizmit ose revolucionizmit (Kant). Kurse procesi i integrimit europian mund të konsiderohet si një fazë e gjashtë e këtij zhvillimi me element themelor trajtimin e kufijve, bërjen e ribërjen, lëvizjen e tyre drejt një sistemi politik shumë më të hapur e racional. Ai, ndryshe nga sistemi vestfalian, është në thelb një lloj çintegrimi. Pra, procesi i anëtarësimit në BE mund të shihet si një dinamikë integrimi- çintegrimi, e krahasuar me atë të formimit të shtetit-komb; kurse përpjekjet e deritanishme për të konceptuar një formë qeverisje mbikombëtare, siç është BE-ja, janë ende artificiale. Bile, vetë BE-ja deri më sot, ndryshe nga çpritej, nuk e ka përmirësuar kapacitetin ndërkombëtar të Europës, duke lënë paralelisht të dobët këtë kapacitet për shtetet-kombe përbërëse. Gjithashtu, integrimi europian, si një fazë e gjashtë, eklipsohet nga një fazë e shtatë nga globalizimi, që po çon në erozionin e kufijve tej nivelit europian. Veçse me një dallim: integrimi europian ka të bëjë me zhvendosje e ndërtim kufijsh, ndërsa globalizimi reflekton transcendencën, kapërcimin e kufijve, shoqëruar me krijimin e qendrave globale të qeverisjes.
Në fakt, në strukturimin e vet, BE-ja i ka lëvizur kufijtë e saj ekonomikë, ushtarakë, kulturorë etj., duke krijuar replikën pjesore të shtetit-komb dhe dimensionuar veçori të tilla të shtetit-komb, si: njëfarë shtetformimi, aftësi e cilësi demokratike, kapacitete shpërndarëse. Këtu përfshihet dhe çështja e legjitimitetit në nivel europian (në fakt, e deficitit të legjitimitetit), e të ardhmes së demokracisë (parlamentare) europiane. Sepse, në shumicën e rasteve, vendimet në nivel europian bazohen në vullnetin e qeverive kombëtare, ndërkohë që Europa ka nevojë për më tepër demokraci për të legjitimuar veten. Sidoqoftë, legjitimiteti i shtetit-komb, në një të ardhme të afërt, nuk mund të garantojë dot legjitimitetin e BE-së, sepse vetë reformimi e strukturimi i BE-së po e kufizon në vazhdimësi atë. Pra, shteti-komb (ende me legjitimitet të vetin) dhe BE-ja (me legjitimitet më tepër të qeverive kombëtare) janë dy faza zhvillimi në një proces permanent prishje – ndërtimi kufijsh, me efekt të njëkohshëm të lëvizjes së kufijve në shtetet-kombe anëtare dhe ndërtimit të kufijve të rinj në nivel europian. Kjo duhet kuptuar, dhe për këtë duhet të përgatitet (pse jo dhe të përfitojë) politika mbarëshqiptare për 10 vjetët e ardhshëm.
Demokracia konsosiacionale
PE-ja, në një përafrim holistik, është bazuar në demokracinë konsosiacionale (të dobishme për forma qeverisje, që garantojnë përfaqësimin në kushte ndarjesh të theksuara sipas linjave etnike, fetare e linguistike, pa pasur një grup shumicë). Në këtë lloj demokracie shfrytëzohen mekanizma të tillë si përfaqësimi përpjesëtimor, koalicionet e mëdha, vetoja e ndërsjellë etj., krahas kooperimit të ngushtë të elitave politike. Në PE, brenda saj arrihen të strehohen interesa të ndryshme duke krijuar entitete social-politike multinacionale tej shumës së thjeshtë të përbërësve të vet, pikërisht për të ruajtur unitetin politik edhe kur kapërcehen kufijtë kombëtarë. Kjo gjë u lejon deputetëve europianë që të kooperojnë brenda grupit politik pa pasur nevojë të sakrifikojnë diçka prej identitetit kombëtar në plotësimin e detyrave ose interesave të veta. Madje, me gjithë ndryshimet gjuhësore, fetare e etnike, arrihet një nivel kohezioni në grupin politik, pa cenuar origjinën kombëtare të gjithsecilit. Brenda kësaj skeme, pranohet se shteti-komb duhet të vazhdojë të mbetet njësi bazë politike, që të akomodohet më tej dhe jo të shkatërrohet. Ndryshe prej saj, shteti-komb konsiderohet si një aksident historik, që duhet të zëvendësohet nga një zhvillim racional federal, me etni të kompozuara nga kolektivitete të lidhura në mënyrë natyrore me gjuhën e traditat kulturore, shumë më të pranueshme se vetë shtetet-kombe. Një përfytyrim i tillë, më tepër Kantian, vë në pah imperativë moralë, sipas të cilëve në vend të kooperimit të thjeshtë midis shteteve të synohet një ndërtim më ndryshe brenda një shoqërie kozmopolite, me federimin europian si hallkë e katalizator në ecjen e duhur.
Së fundi, edhe pse nga pikëpamje institucionale, PE-ja i ka rritur fuqitë e veta, roli i tij nuk mund të krahasohet me ndikimin tradicional të parlamenteve të vendeve anëtare. Ai, edhe me fuqi të shtuara, nuk i ka ende atributet e një parlamenti kombëtar si legjislaturë. Madje, në këtë kuptim mund të flitet për një deficit demokratik e mospërputhje midis koncepteve kombëtare të fuqisë demokratike dhe autoritetit, nga njëra anë, dhe institucioneve të reja e praktikave të qeverisjes transnacionale, nga ana tjetër. Ndërkohë, çdo kompetencë e transferuar nga shtetet anëtare drejt institucioneve të BE-së perceptohet si një reduktim i vetë parimeve demokratike. E thënë ndryshe, me gjithë demokracinë në rritje dhe pjesëmarrjen popullore në qeverisje, në nivel BE-je, konkretisht të PE-së, ende ekziston një hendek demokratik në vendimmarrjen e integruar. Me kalimin e viteve, në sajë të përqendrimit më të lartë të kompetencave në nivel të BE-së, parlamentet kombëtare, paralelisht, vuajnë reduktimin e ndikimit të tyre demokratik. Ky është dhe paradoksi: BE-ja, nga njëra anë, nuk u përgjigjet tërësisht parimeve demokratike (ose të paktën duket ashtu), ndërkohë parlamentet kombëtare, nga ana tjetër, nuk janë të përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin legjislativ europian. Diçka duhet ndryshuar, diçka duhet përmirësuar! Sepse garancitë demokratike të sistemit europian si i tërë, në një shikim shumë-nivelesh, qoftë dhe pjesërisht, mund të cenohen me rrjedhjen e kohës, sidomos për vendet anëtare me pak peshë. E thënë ndryshe, në vend të procesit me shumë zero, shpërhapja e fuqive, funksioneve dhe kompetencave nga shtetet anëtare drejt BE-së duhet të shndërrohet në një proces me shumë jo zero. Sidomos në kuptimin e përgjegjësisë, llogaridhënies demokratike, kooperimit e solidaritetit! Për këtë duhet të angazhohen më tej institucionet e BE-së, në tërësi, dhe të çdo vendi anëtar të saj, në veçanti. Për këtë duhet të përgatitet e kontribuojë edhe politika shqiptare e qytetari shqiptar. Përndryshe, një Europë e dobësuar nuk i duhet kurrkujt!…

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›