E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Largimin e 1300 mësuesve nuk e mbrojmë dot ligjërisht"

Kryetari i Sindikatave të Arsimit, Dobrushi theksoi se nuk do lejojnë prekjen e vendeve të punës për mësues të tjerë. Do rishikohet ngarkesa mësimore


Largimi i 1300 mësuesve nga puna duket se nuk do të gjejë asnjë mbështetje ligjore për ti mbajtur ata ende në punë. Këtë e deklaroi kryetari i Sindikatës së Arsimit, Xheferr Dobrushi i cili theksoi se nuk do të lejojnë prekjen e vendeve të punës për të tjerë mësues. Ndërkohë ai theksoi se nuk do lejojnë që shkurtimet të shoqërohen me ngarkesa mësimore, të cilat rëndojnë mbi mësuesit e tjerë.


Largimi


Ndonëse është parashikuar në një marrëdhënie kontraktuale mes mësuesve dhe qeverisë, largimi i 1300 mësuesve nga puna vazhdon të shkaktojë polemika dhe madje edhe frikë mes arsimtarëve të tjerë për vendet e punës. Sindikata e arsimit pohon se për 1300 mësuesit me kontrata të përkohshme, me gjitha angazhimin e saj, nuk gëzojnë mbrojtje ligjore, për shkak të përkohshmërisë së kontratës.


"Është e vërtet që rreth 1300 mësues me kontratë provizore u ka mbaruar afati i kontratës dhe nuk kanë më marrëdhënie pune. Së pari është një problem social se shumë nga këta mësues kanë diploma mësuesie, janë punësuar për një afat të caktuar dhe ata kanë të drejtë në kërkesat e tyre dhe aspiratet tyre", pohon Dobrushi duke shtuar se meqenëse këto kontrata janë bërë me efekt të shkurtër në rastin konkret nuk kanë asnjë mekanizëm mbrojtës.


Ngarkesa


Sindikata e Arsimit është shprehur se këto shkurtime janë shoqëruar edhe me ngarkesa mësimore, të cilat rëndojnë mbi mësuesit e tjerë. "Ne do të negociojmë duke u mbështetur tek kontrata kolektive, ku parashikohet edhe ngarkesa mësimore.


Është duke u përpunuar një ngarkesë e re mësimore për të gjetur rastet e abuzimeve në radhë të parë ku ka minimum nxënësish apo ku ka raportime të tepërta të numrit të nxënësve për të mbajtur mësues të më tepër", pohon Dobrusha duke shtuar se është momenti që për këtë do të negociohet për kontratën e re kolektive.


Sipas tij ti analizojnë rastet një për një me qëllim që të mos ketë qëndrime subjektive ndaj këtyre mësuesve në mënyrë që të zbatohen të gjitha kriteret sipas Kodit të Punës dhe Konventave Ndërkombëtare. Me 4 shkurt Sindikata e Arsimit ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Arsimit, ku thuhet se do të ruhen të gjitha standardet e arritura deri më tani nga Ministria e Arsimit.


Sipas Dobrushit ka një rregull në arsim që herë pas here MASH-i të përcaktojë aktet normative, akte të cilat janë të harmonizuara në bazë të kontratës kolektive të punës, ku një pjesë te vçantë e zë norma mësimore


Vitin e kaluar u paralajmëruan me largim nga puna 3027 mësues

Vitin e kaluar u paralajmëruan për tu larguar nga puna 3027 mësues por ky vendim i Ministrit të Arsimit nuk u zbatua. Me një urdhër të ministrit të atëhershëm të Arsimit këta duhej të largoheshin në që nga 1 janari pra edhe rrogën që kishin marrë ta kthenin.


"Federata ndërhyri dhe e detyroi punëdhënësin që ta shfuqizojë këtë vendim dhe ata ta zgjati deri në fund të vitit shkollor.


Por në ketë rast nuk kemi mjete mbrojtëse për ta, se kanë marrë përsipër të punojnë me kontrata me kohë shumë të shkurtër", shpjegoi kryetari i Sindikatës së Arsimit, Xhaferr Dobrushi.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›