E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gambling 2”, policia, kontroll në Durrës, dy persona nën hetim



Policia e Shtetit po ndërmerr një operacion në gjithë vendin për të goditur veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit. Ditën e djeshme, vëmendja u përqendrua në qytetin e Durrësit. Sipas burimeve nga policia, u bllokuan 11 makineri lojërash fati pa dokumentacion në qytetin bregdetar nga uniformat blu. Ndërkohë që dy ditë më parë kontrolle dhe procedime penale ndaj 10 personave pati edhe në Vlorë e Elbasan.

Nga informacionet e marra në rrugë zyrtare, në lokalin e shtetasit B. B., në rrugën “Aleksandër Goga”, u gjetën dhe u bllokuan 6 makineri pa certifikata, ndërsa tri të tjera nuk ishin pajisur me lejen përkatëse për ushtrimin e aktivitetit. Ndërsa, në lokalin e shtetasit R. Z., në lagjen nr. 5 të qytetit, u bllokuan pesë makineri lojërash fati pa dokumentacion dhe lejet përkatëse. Materialet procedurale i kaluan prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërkohë që dy administratorët e këtyre lokaleve do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë për kryerjen e veprës penale të “Organizmit të palejuar të lojërave të fatit”.

Ndërkohë, në një operacion të zhvilluar në Elbasan gjatë dy ditëve të kaluara në lokalet e lojërave të fatit, policia e këtij qyteti në bashkëpunim me atë tatimore, ka dërguar nën hetim 8 subjekte për mangësi në dokumentacion. Sipas policisë, u kontrolluan gjithsej gjatë ditës së parë të operacionit 37 subjekte, nga të cilat rezultuan 6 të rregullta me dokumentacionin dhe për 8 të tjerat janë kryer veprimet e para procedurale dhe materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme, kurse 23 subjekte të tjera u gjetën të mbyllura. Për këtë arsye policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasve Kastriot Muzhaqi, 45 vjeç; Luan Shkëlqimi, 45 vjeç; Vladimir Cerova, 45 vjeç; Hasan Daja, 23 vjeç; Gazmend Filja, 34 vjeç; Indrit Çela, 36 vjeç; të gjithë banues në Elbasan; Arben Zerani, 30 vjeç, banues në Përrenjas e Admir Spaho, 36 vjeç, banues në Devoll.

Tri ditë më parë, sektori Kundër Krimit Financiar në policinë e Vlorës kreu kontrolle në disa pika, ku sekuestroi disa makineri të lojërave të fatit dhe nisi hetimin në gjendje të lirë për dy persona.

Sipas burimeve nga policia, në lagjen “Lef Sallata” në Vlorë, në lokalin e shtetasit Oltion Varfi, banues ne lagjen “Pavarësia”, u gjetën 12 kompjutera për lojëra fati (pa licencë) të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në lagjen “Hajro Çakëri”, në lokalin e shtetasit Vladimir Koçi banues në Vlorë u gjetën 4 kompjutera për lojëra fati (pa licencë) të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›