E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet hajduti i makinave në Durrës, sekuestrohen tri mjete të vjedhura



Policia e Durrësit ka ndaluar një 35-vjeçar, i cili akuzohet për grabitje të automjeteve. Në prangat e uniformave blu ra Mjaltor Lala, lindur dhe banues në lagjen nr. 16, Durrës.

Sipas burimeve zyrtare, ndalimi i 35-vjeçarit nga policia u krye pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës një ditë më parë kishte nxjerrë urdhër ndalimi, pasi strukturat e policisë kanë dokumentuar me prova ligjore se është autor i vjedhjes së tri automjeteve në qytetin e Durrësit si dhe të një arme gjahu, e cila ende nuk është gjetur, pasi mendohet të jetë shitur nga autori i vjedhjes. Sipas uniformave blu, Lala akuzohet se ka vjedhur një veturë “Fiat Uno” me targë AZ359VH në pronësi të Arben Gj. në datën 16 tetor 2009 në lagjen nr. 4 të qytetit bregdetar. Ndërkohë, ai akuzohet se më datë 19 tetor 2009 në lagjen nr. 3 të qytetit Durrës ka vjedhur autoveturën tip “Fiat Uno “ me targa DR 5115 B në pronësi të shtetasit Fatmir Sh., ndërsa para pesë ditësh në lagjen nr. 16 të Durrësit, një “Mercedes-Benz” 190 D me targa DR 8312 B në pronësi të shtetasit Ymer Ç. Gjatë një kontrolli të ushtruar në lagjen nr. 16 të qytetit bregdetar, policia gjeti edhe tri makinat e vjedhura.

Ndërkohë që i ndaluari është i përfshirë në vjedhjen e një arme gjahu, të ndodhur në 15 nëntor. I ndaluari pranoi vjedhjet e kryera, duke shtuar se armën e gjahut ai e kishte shitur. Policia ka shoqëruar në qeli të ndaluarin, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›