Largohet Bledi, zbulohet misioni i Enxhit
Spektakli i së shtunës ka qenë plot emocione. Surpriza të forta janë përjetuar brenda shtëpisë dhe nga publiku. Pas shumë vitesh, i ati i Seldit, i ka shkruar një letër, të cilën ia ka përcjellë përmes videomesazhit. Seldi është prekur nga letra, por nuk ka dashur të komentojë gjë. Bledi është larguar nga shtëpia, ndërsa misioni i Enxhit është zbuluar.
Graciela replikon me MirinPas daljes nga shtëpia, Graciela ka mundur të ndjekë nga jashtë jo vetëm çfarë ka ndodhur gjatë kësaj jave në “Big Brother”, por ka mësuar edhe se çfarë kanë thënë për të pas krahëve. Gjatë spektaklit, ajo ka replikuar me Jetmirin, me të cilin fillimisht kanë pasur shumë miqësi. Graciela i ka thënë se ai s’do të ketë kurrë miqësi me të jashtë shtëpisë, duke e quajtur “mashtrues të madh”. Ajo ka replikuar edhe me Oltën, e cila në klip ishte shprehur e kënaqur për eliminimin e Gracielës.
Zbulohet misioni i EnxhitPër publikun, Enxhi ishte thjesht një e infiltruar nga “Vëllai i Madh”, për t’i dhënë më shumë dinamikë ngjarjeve. Por nuk ka qenë e njëjta gjë për banorët. Ndonëse disa edhe kanë dyshuar, ata e kanë menduar që në fillim një konkurrente të fortë. E futur brenda shtëpisë me një mision, Enxhi ka tensionuar dhe vënë në rrezik raportet mes çifteve. I pari që është provokuar nga loja e saj, ka qenë Seldi. Si pasojë e “ndërhyrjes” së Enxhit, ai është ndarë me Domenikën. Pas dy javësh qëndrimi në shtëpi, “Vëllai i Madh” ka vendosur që të zbulojë misionin e Enxhit. Këtë ka zgjedhur ta bëjë përmes një loje. Fillimisht është shfaqur një intervistë e sajuar me mamanë e Enxhit, ku ajo shprehet e indinjuar për sjelljen, por edhe për veshjen e saj. Arbana lajmëron nga studio se një tjetër lojë, një eliminim i dyfishtë do të ndodhë në shtëpi. Tre të kandiduarve, Hakiut, Bledit dhe Jetmirit u kërkohet që në dhomën e rrëfimit të thonë dy emra vajzash që duan të largojnë nga shtëpia. Pavarësisht emrave që ata kanë dhënë në dhomën e rrëfimit, si e preferuar për të dalë nga shtëpia ka qenë Enxhi. Përmes një klipi, banorët kanë parë se Enxhi ka qenë thjesht e infiltruar.
Prova e javësEdhe këtë radhë, banorët do të gëzojnë buxhet të plotë. Të ndarë në dy grupe, ata kanë bërë një koreografi të viteve ‘80, ndërsa grupi tjetër ka bërë një sfilatë mode. “Vëllai i Madh” e ka quajtur të fituar provën e javës.
Seldi merr mesazhin e të atitSeldi ka treguar brenda shtëpisë për marrëdhënien e tij me të atin. Prindërit e tij janë ndarë që kur ai ishte një vjeç dhe marrëdhënia e tyre ka qenë e largët. Përmes një videomesazhi, i ati pas kaq shumë kohësh, i ka lexuar një letër. “Nuk e di se çfarë efekti do të japë kjo letër, por shpresoj të jetë pozitiv...Kam ardhur enkas në Berat për të rijetuar edhe një herë ato kujtime, kur t’i ke qenë i vogël. Eksperienca që kam kaluar, edhe pse ka zgjatur vetëm një vit, ka qenë e paharrueshme. Vitet më pas kanë qenë një ferr...
Unë jam i lumtur për atë që ke arritur. Jam pishman që nuk kam qenë më shumë prezent në jetën tënde, së paku shpresoj të kem dhënë këshillën e babait. Të uroj që të dalësh fitues e të falënderoj që më bën krenar”, shkruante mes të tjerash në letrën e tij. Seldi është shprehur se e ka falur dhe se ndoshta do të mund të takohen.
Debati me ValoninPasi Klodi ka lexuar letrën dhe ka pranuar publikisht prirjet e tij seksuale, në shtëpi ka pasur diskutime të shumta për këtë fakt. Situata ka degjeneruar deri në debat, kur një mbrëmje Valoni, pas një diskutimi të Mirit me Enxhin dhe Adën ka thënë se nuk i duron dot homoseksualët. Përveç debatit me Klodin, ai ka shkëmbyer fjalë me Bledin, të cilat kanë kaluar në fyerje dhe kërcënime. Të përballur me opinionistin Arian Konomi, Klodi ka thënë se nuk ia ka sqaruar situatën Valonit, thjesht sepse kjo gjë nuk i ka interesuar dhe nuk e ka ndier ta bëjë këtë gjë. Ndërsa sa i përket debatit të Valonit me Bledin, ky i fundit ka thënë se situata e tij me Valonin ishte e acaruar që më parë. Miri, nga ana e tij, ka sqaruar se nuk ka pasur si qëllim të nxisë Valonin të hynte në konflikt me Klodin, ka qenë thjesht një bisedë.
Dashuritë në “Big Brother”Përmes një klipi për publikun, por edhe për banorët, janë shfaqur çaste intimiteti brenda shtëpisë. Përkëdhelje dhe puthje mes Erjonit dhe Bertinës, Rezartës e Jetmirit, momente romantike mes Seldit dhe Domenikës, por edhe momente pëlqimi mes Bledit dhe Oltës. Bertina ka pranuar se “i ka hyrë pak në hak” Erjonit, por do të ndryshojë. Seldi është shprehur se vazhdon ta dojë Domenikën, ndërsa Rezarta është shprehur se nuk është ndjerë mirë gjatë kohës që Jetmiri rrinte gjatë me Enxhin, por i ka besuar atij. “Unë kam qenë gjithë kohën i provokuar dhe i kam rezistuar me zor Enxhit. Por edhe nëse ajo do kishte hyrë para apo në të njëjtën kohë me Rezin, situata ime emocionale nuk do të ndryshonte dhe koha do ta tregojë se cila është marrëdhënia ime me Rezin”, ka thënë Jetmiri. Gjatë javës, publiku ka parë një afrimitet mes Bledit dhe Oltës. Përmes një gote vere, ai i ka shprehur asaj simpatinë. Edhe në lidhje me studion, Bledi ka pranuar se ndjen më shumë se simpati për Oltën, ndërsa ajo ka thënë “jemi shokë të mirë”.
Eliminohet BlediBledi ka qenë banori i radhës që ka lënë shtëpinë e “Big Brother”. Publiku ka vendosur që lojën ta vazhdojë Hakiu dhe Jetmiri. Dalja e Bledit është komentuar si e papritur, por kjo është shpjeguar me faktin se ai ka hyrë vonë në shtëpi.
#