Çadra e Cirkut rrezikohet të mbyllet, në dyshim jetëgjatësia e akrobacisë shqiptare
Cirku i vetëm në vend rrezikon të mbyllet. Në një kohë kur ai ka tërhequr vëmendjen, duke rikthyer pranë tij sërish spektatorë të shumtë, çështja e pronësisë së truallit të arenës së cirkut vë në dyshim jetëgjatësinë e tij. Problemi i kthimit të pronave prek tashmë edhe arenën e cirkut, çadra e së cilës prej 50 vjetësh mbahet mend të ketë ekzistuar pikërisht në këtë truall.
Në vitin 1995 Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ia ka kthyer këtë pronë publike pronarëve, të cilët në vitin 2007 ia kanë shitur atë administratorit të Universitetit UFO. Ky i fundit kërkon largimin e çadrës së cirkut, në të cilën Bashkia e Tiranës ka investuar. Artistët e cirkut me anë të një letre i kërkojnë kryeministrit dhe Presidentit të Republikës të ndërhyjnë për të mos lejuar atë çfarë ndodhi me Estradën e Tiranës, duke mos shkelur të drejtën e pronarëve, artistët kërkojnë kompensimin e tyre. Mjeshtër i Cirkut të Tiranës, Kujtim Dume, lidhur më çështjen shprehet: Ne kërkojmë që të anulohet ky vendim, sepse pronat publike kompensohen. Në rast se është bërë gabim, të rikuperohet. Ne kemi respekt për të gjithë pronarët, por ky është oborri ku zhvillon aktivitetin Cirku i Tiranës. Ky i takon shtetit dhe si i tillë duhet të mbrohet nga ai. Drejtues të cirkut mbeten të shqetësuar sesi do të shkojë fati i Arenës së Cirkut, e cila prej disa vitesh ka treguar se është ristrukturuar dhe është bërë një institucion i rëndësishëm kulturor për jetën e kryeqytetit. Kanë qenë të shumta shfaqjet dhe premierat që janë dhënë në arenën e saj, duke u bërë një prej institucioneve më të larmishme kulturore në kryeqytet. Të rritur, të rinj dhe sidomos fëmijë nuk mungojnë në shfaqjet e tij, e ndërkohë që ai po vijon të prezantojë dhe gjatë këtyre ditëve premiera për publikun artdashës. Por pavarësisht kësaj, pronësia e tokës, ka mbetur një çështje e pazgjidhur ende. Ky truall, i cili ka pronarë të ligjshëm nuk është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, por duke marrë atributet e objektit të një vlere të veçantë, është në pronësi të shtetit shqiptar. Drejtues të cirkut mbeten me shpresën se kjo çështje do të zgjidhet brenda të gjitha ligjeve të shtetit shqiptar, në mënyrë që ky institucion i rëndësishëm të vazhdojë të kryejë detyrën e tij, në vendin në të cilin është ndërtuar, që nga periudha e qeverisjes së Mbretit Zog. Drejtues të cirkut, në emër edhe të artistëve të tjerë të kërkojnë që ashtu siç mbrohen territoret ku janë ngritur çerdhet, kopshtet, shkollat apo spitalet, të mbrohet edhe Cirku i Tiranës. Shteti i ka të gjitha mundësitë edhe ta blejë edhe t'i kompensojë pronarët. Do të ishte e pafalshme që kjo hapësirë shpirtërore në qendër të Tiranës të mund të fshihej për ndërtim, shprehet para disa ditësh dhe Kiço Londo, drejtor i Qendrës Kulturore Tirana. Bashkia e Tiranës tashmë është në proces gjyqësor me administratorin e universitetit UFO të cilit Gjykata e Shkallës së Parë i dha të drejtë. Tashmë çështja ndodhet në Gjykatën e Apelit.
Pak histori për çadrën e cirkut
Cirku i Tiranës u krijua në vitin 1952, si bërthamë e parë pranë Estradës së Tiranës. Telat Agolli, Bajram Kurti, Xhuzepina Prendi (Shkurti), Bardhyl Jareci, Abdyl Karakashi ishin të parë që themeluan trupën e cirkut, e cila në vitin 1959 doli me premierën e parë Shkopi Magjik. Ndërsa në vitin 1964 premiera Fluturime akrobatike ishte vizioni drejt së ardhmes, ku cirku u konsolidua me profile, u shtuan varietetet etj., si dhe fuqia artistike. Në vitin 1973, cirku u nda më vete si institucion nga Estrada nga ana buxhetore dhe artistike, premierat u shtuan, po ashtu shfaqet në rrethe, niveli artistik pati rritje. Dy vjet më pas vjen çadra e cirkut, ndërsa në vitin 1976 u shfaq premiera Drejt lartësive e para në çadrën arenë të cirkut. Kjo e plotësoi cirkun me varietete të reja me kuadrin artistik, me koncepte regjisoriale dhe artistike. Kjo i dha hapësirë cirkut në krijimtari duke fuqizuar aktivitetin artistik, ku çadra shëtiste ishte në rrethe të kategorisë së parë dhe të dytë. Shfaqet u kthyen në manifestime. Studio e cirkut u arrit vetëm në vitin 1977, ku u përgatitën elementët brenda trupës profesioniste, që e kanë ushqyer trupën e cirkut me elementë të rinj. Studio dhe sot e kësaj dite ekziston, po ashtu mjeshtrit e cirkut, kontributi i tyre mbi 30 -vjeçar nuk është shuar, përkundrazi në vite ka nxjerrë elementë të cilët debutojnë e kanë debutuar në arenën e cirkut, e më gjerë.
Nga Julia Vrapi