PS: Vendimi i KQZ-së i paligjshëm, ja shkeljet e Kodit
Përfaqësuesit e PS-së tentuan të shtyjnë shpalljen fitues të Lulzim Bashës në Tiranë. Gjonçaj:Çështja është në Kolegj, nuk mund të merrni vendim. Subashi kërkoi tabelat e 485 qendrave, të cilat nuk i kishte në dispozicion
Tiranë Në pamundësi për të ndryshuar rrjedhën e një procesi që i heq nga duart fitoren kryetarit të tyre, Partia Socialiste ka tentuar mbrëmë të shtyjë shpalljen e Lulzim Bashës fitues të Bashkisë së Tiranës. Pak minuta para vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, përsëriti atë që kishte thënë përgjatë këtyre ditëve: se KQZ po manipulon rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë. Më parë, Gjonçaj kërkoi pezullimin e shpalljes së vendimit për Tiranën, përsa kohë çështja është në proces gjyqësor. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shqyrtojë çështjen e rezultatit për Tiranën, përsa kohë ajo ndodhet në Kolegj Zgjedhor. Ky Kolegj ka përcaktuar trupin gjykues dhe ka caktuar datën, ndaj asnjë institucion tjetër nuk ka të drejtë të shprehet”, - tha Gjonçaj në KQZ. Kjo kërkesë e tij është hedhur për votim nga kryetari Arben Ristani dhe është rrëzuar me 4 vota pro dhe 2 kundër. Ky vendim ka sjellë edhe aktin në fundit të një jave të mbushur plot tension në KQZ, atë të shpalljes së tabelës përmbledhëse për Tiranën, sipas së cilës kandidati i “Aleancës për Qytetarin”, Lulzim Basha, u shpall fitues me 81 vota plus. “Procesi i këtyre ditëve tregoi se në zgjedhjet e ardhshme mund të konkurrojë çdokush e të shpallet fitues jo nga votat e popullit, por në tavolinën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve” - tha përfaqësuesi i PS-së, Genci Gjonçaj. Ai përsëriti sërish argumentet pse Kodi Zgjedhor nuk i lejon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të dalë nga roli i tij dhe të kryejë funksionet e KZAZ-së, si dhe arsyet pse vendimi i numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara duhej të miratohej me shumicë të cilësuar, pra me 5 vota. Nga ana tjetër, nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, ka kërkuar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme tabelat përmbledhëse të 485 qendrave të votimit, për të cilat tha se asnjë anëtar i KQZ-së nuk i ka në dorë. Ajo kërkoi shtyrjen e miratimit të tabelës përmbledhëse, përsa kohë nuk ishte njohur me tabelat e reja. Që prej 17 majit, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të hapë kutitë e të numërojë votat e hedhura në kutitë e gabuara, socialistët kanë kundërshtuar këtë sipërmarrje, duke e cilësuar atë të kundërligjshme. “Është ndërhyrë pa ankimim dhe pa procedura ligjore në tabelat e KZAZ-ve. Ndryshimi i vendimit të KZAZ-së për ndryshimin e tabelës kërkon shumicë të cilësuar në KQZ, duke iu nënshtruar një procedure ankimuese. Gjithë vendimmarrja që ka shoqëruar këtë proces ka qenë 4-3, që e bën të pavlefshëm”, - ka thënë Gjoncaj, duke paralajmëruar dërgimin e rezultatit për Tiranën në Kolegj Zgjedhor. Përgjatë këtyre ditëve, deputetët e PS-së dhe simpatizantët e saj kanë protestuar përballë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që është ruajtur nga qindra forca policie.