E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laroche: Shqiperia ofron pafundesi temash per filma

“Shqipëria duhet të bëjë filma shumë të mirë, sepse historia e këtij vendi është e mrekullueshme...”, u shpreh Jean-Philippe Laroche, i ftuar në “Tirana International Film Festival”. Veç prezantimit të filmit “Queen to play” (“Loja e mbretëreshës”) një film në konkurrim i regjisores Carolline Bottaro, në të cilin është producent, ai ka ardhur në Tiranë për homazh ndaj regjisorit e aktorit Claude Chabrol, si dhe për nostalgji. E ka vizituar vendin tonë për herë të parë në vitin 1991

Ardhja e Jean-Philippe Laroche në “Tirana International Film Festival” ka arsye të trefishtë. Ai gjendej në sallën e pritjes kur në sallën e Qendrës Kulturore të Ushtrisë po shfaqej “Queen to play” (“Loja e mbretëreshës”) një film në konkurrim i regjisores Carolline Bottaro, në të cilin është producent. Është ftuar të tregojë rreth eksperiencës së tij me regjisorin dhe aktorin e njohur francez Claude Chabrol, ndarë në muajin shtator nga jeta, i cili u shfaq për herë të fundit si aktor në filmin “You Should Make Movies”, i vlerësuar me çmimin e publikut në TIFF 2003. Nga ana tjetër, Laroche nuk e ka njohur Shqipërinë përmes festivaleve të filmave. Aventura e tij nis që në vitin 1991. Në përfundim të filmit “Queen to play”, për të cilin në sallën e improvizuar si kinema duhet të zgjidhje një karrige ku spektatori i një rreshti më parë të mos zinte pamjen, Laroche është i gatshëm për një bisedë mbi kinemanë, mbi Chabrol dhe për një rrëfim të aventurës së tij shqiptare. Filmi “Quen to play”, një histori e vendosur në një fshat të vogël në ishullin e Korsikës, është një meditim mbi jetën dhe lojën e saj përmes një loje shahu. Si producent, Laroche thotë se ai nuk përfaqëson atë lloj filmi që lëvrohet sot në kinemanë franceze. Filmi është individual. “Është një film shumë personal i bërë nga regjisorja e re Carolline Bottaro, një sprovë e parë në filmin artistik. Është një mënyrë personale e të treguarit histori. Ndoshta është një lloj i filmit francez, por nuk mund të thuash se kjo është kinemaja franceze sot. “Queen to play” ka lindur nga një punë e madhe përgatitore mes regjisores dhe aktores Sandrine Bonnaire, të cilat i lidh një marrëdhënie e hershme shoqërore. Ai është shfaqur në shumë vende, amerikane apo edhe aziatike dhe mesazhi i perceptuar është universal: nëse je grua apo burrë qoftë në një fshat të vogël, në jetën tuaj janë gjëra shumë specifike që një ditë të bëjnë të ndjehesh vetvetja. E njëjta gjë i ndodh edhe personazhit kryesor. Ajo kupton se në lojën e shahut mund të gjejë diçka që nuk e ka prekur më parë dhe që e lejon të jetë vetvetja”. Duke qëndruar në kinemanë franceze, TIFF ka menduar një homazh për regjisorin dhe aktorin francez Claude Chabrol, i ndarë nga jeta më shtator të këtij viti. Laroche e ka parë në sheshin e xhirimit për herë të fundit si aktor në “You Should Make Movies”. “Unë nuk jam një nga ata që mund të gjykojë mbi gjithë punën e tij, por si spektator i dua realizimet e Chabrol. I kam ndjekur filmat e tij që kur isha 15 vjeç dhe kam vazhduar të mësoj duke i parë në vazhdimësi. Eksperienca e filmit ishte shumë emocionuese për vetë historinë që trajton. Është historia e një regjisori të ri që po humbiste karrierën. Takoi një regjisor të njohur dhe i kërkoi ndihmë për të realizuar filmin e parë. Kur kërkonim aktorin që do të luante regjisorin, ne e dinim se kjo histori nuk ishte shkruar për Chabrol-in, por na duhej me domosdo një figurë e njohur, një regjisor që me figurën e tij, të përcillte që në kontaktin e parë me publikun edhe një histori të kinemasë. Claude Chabrol ishte i tillë dhe ishim shumë të kënaqur që e pranoi ftesën. E pëlqeu skenarin, sepse ndonëse ishte trillim, ishte pak a shumë një homazh i gjithë asaj që ai ka bërë në jetën e tij”, thotë Laroche. Në rini edhe Chabrol njohu dështimin, e me gjithë këtë arriti të bëhet një nga emrat më të njohur të kinematografisë. Si mund të bëhesh i tillë? “Nuk ka rregulla”, thotë Laroche duke vazhduar se “duhet ndjekur intuita. Nëse përpiqesh të arrish në krye me një përllogaritje të qartë, është e sigurt se nuk funksionon. Edhe Steven Spielberg ka pasur dështime në karrierën e tij. Kinemaja mund të jetë industri dhe gjithçka tjetër, por në fund të fundit mbetet art”, thotë Laroche. Por ndonëse nuk i beson një formule të gatshme suksesi, Laroche beson se subjekti apo historia e një filmi qëndron në themel të gjithçkaje. Menjëherë nxiton të theksojë se një film i mirë nuk mund të bëhet vetëm dhe thjesht pa asgjë tjetër veç historisë, por mendon se subjekti është baza. “Mendoj se fillimi është historia ndaj shpreh bindjen se Shqipëria duhet të bëjë filma shumë të mirë, sepse historia e këtij vendi është e mrekullueshme, kur ka talent ta tregosh del një film i mirë”, thotë ai. Ndërsa duke iu referuar kinematografisë shqiptare, regjisori thotë se ka parë pak prej saj, disa filma. “Prej pesë apo gjashtë vitesh nuk kam parë më asgjë. E megjithatë jam i sigurt se ky vend, kjo kulturë, kjo histori e mrekullueshme ofron një pamundësi temash për filma”, vijon më tej ai. Kur i referohet Shqipërisë, ai di më shumë se sa thjesht fjalë të dëgjuara rastësisht apo të lexuara diku. Laroche e ka vizituar vendin tonë në vitin 1991. “Ishte e pabesueshme. Unë erdha me anije nga Korfuzi në Sarandë. Ishte një anije me 200 shqiptarë pasi Greqia nuk i kishte pranuar. Më pas gjeta një autobus dhe u nisa drejt Tiranës. Përshkoja rrugën dhe asnjë nuk mund të mendonte se isha një turist, sepse në atë kohë nuk kishte të tillë”, kujton regjisori që i referohet kësaj eksperience, si diçka të pabesueshme e të mrekullueshme. “Rashë në dashuri me këtë vend, mënyra si më pritën, si jetonin, se me sa optimizëm prisnin se çfarë do të ndodhte këtu. Atëkohë thuajse nuk dija asgjë për Shqipërinë, edhe pse e dija se ekzistonte një stereotip i theksuar për vendin edhe për shkak të Enver Hoxhës e izolimit në të cilin vendi jetonte. E megjithatë, unë që kisha udhëtuar në të gjithë botën gjeta këtu diçka që nuk e kisha parë kurrkund: njerëz që buzëqeshnin”, përfundon ai.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›