E Diel, 1 Nëntor 2026

Fitorja e Berluskonit i ve “flaken” Romes

Kryeministri fiton në Parlament. Akuzohet se ka blerë deputetët e opozitës

Mosbesimi është shndërruar në inat dhe rebelim dje në rrugët e Romës, pas “mbijetesës” ndaj 2 votave të mosbesimit ndaj Kryeministrit italian në Parlament.

Kryeministri multimiliarder, i goditur nga skandale seksuale dhe korruptive të vazhdueshme, ja ka dalë në njëfarë mënyre edhe dje që të mbajë ende në pushtet qeverinë e tij 2 vjet e gjysmë pas zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe të shmangë për momentin organizmin e zgjedhjeve të parakohshme. Ky rezultat ka shkaktuar revolta masive nga protestuesit në rrugët e kryeqytetit të vendit. Njerëzit janë acaruar nga fakti se ky Kryeministër, që gëzon shumë pak mbështetje edhe në popull, ia doli mbanë dje që të kalonte jo një, po tre vota mosbesimi. Brenda Parlamentit, opozitarët deklaruan se Berluskoni i kishte blerë votat, dhe në lidhje me këto akuza është çelur një hetim. Pasi ia ka dalë që të kalojë sprovën e dy votave të para të mosbesimit, e para në Senat dhe e dyta në Dhomën e Ulët të Parlamentit, manjati i medias pranoi me shumë kënaqësi një puthje të nxehtë nga një deputete bionde e partisë së tij, që duket se u entuziazmua shumë nga rezultati. Por nga ana, tjetër ky rezultat ka sjellë një reagim të ashpër nga parlamentarët që i përkasin partisë ‘E ardhmja e Liria’, parti e formuar nga ish-aleati i Berluskonit, Fini, të cilët i janë kundërvënë parlamentarëve të partisë në pushtet të Berluskonit. Por gjithsesi, bëhet fjalë për një fitore të arritur me një diferencë të vogël votash, 314 me 311, dhe kjo ka shkaktuar edhe trazira dhe skena dhune në sallën e Parlamentit, që janë pasqyruar edhe jashtë tij, në rrugët e Romës të cilat janë bllokuar nga policë të armatosur dhe tanke të blinduar. Tanket, madje, kanë rrethuar parlamentin. Por, turmat e inatosura të njerëzve kanë goditur dyqanet, makinat, duke ndezur edhe vatra zjarri. Për sa i përket Berluskonit, i cili që prej 18 muajsh po përballet me akuza të njëpasnjëshme për skandale seksuale dhe akuza për një qeverisje të keqe, arriti që për sa i përket votës në Senat, të fitonte 162 me 135. Sipas analistëve politikë, edhe pse Berluskoni për momentin ia ka hedhur lumit, situata e tij është shumë e pasigurt, madje që në të ardhmen e afërt.

Sipas vlerësimeve, në sheshin kryesor të Romës u grumbulluan mbi 50 mijë protestues, një grup shumë i madh njerëzish i përbërë nga studentë, pedagogë të universitetit dhe punonjës të fushave të ndryshme, të cilëve u janë bashkuar edhe viktimat e tërmetit të fundit në Abruco. Ata janë ankuar se ende jetojnë jashtë dhe në kushte të këqija, pavarësisht premtimeve të qeverisë.

Gjatë votës së mëngjesit të djeshëm në Parlamentin italian, senatori Antonio di Pietro akuzoi Berluskonin se, ishte “moralisht përgjegjës për krimin   blerjes së parlamentarëve të opozitës, të cilët e ndihmuan që të siguronte një fitore, që në kushtet normale do të kishte qenë e pamundur. Ndërsa Di Pietro fliste, Berluskoni doli nga dhoma dhe Di Pietro e talli duke i thënë: Kjo është ikje. Një njeri si ti e ka turpëruar botërisht Italinë”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›