E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori të ‘90-s në filmin e Pacit

Tirana Art Center prezanton në bashkëpunim me Tirana International Film Festival artistin e katërt pas prezantimeve të Tomas Saraceno, Bert Theis dhe Anri Sala. Filmi që do të prezantohet, është krijimtari e piktorit të njohur Adrian Paci, titulluar “Electric Blue”, duke u inkuadruar brenda programit të TIFF si projekt special. “Electric Blue” është filmi që Adrian Paci e ka realizuar për ekspozitën e tij personale në Kunsthaus Zurich. Ky film është frymëzuar nga një histori e vërtetë sikurse edhe video “Turn On” e prezantuar në 2005 për Biennale di Venezia. “Electric Blue” është me mjedis shqiptar në fillimin e viteve ‘90, gjatë periudhës së tranzicionit. Në film rrëfehet historia e një njeriu, i cili ëndërron të xhirojë filma në të ardhmen, por që në realitet i ndodh krejt e kundërta. I detyruar nga gjendja e rënduar ekonomike, ai fillon të xhirojë me telekamerën e tij dasma dhe funeralë, për të vijuar mandej me një biznes të ri, i cili konsiston në kopjimin dhe shumëfishin e videokasetave pornografike, mënyrë kjo që i mundëson mbijetesën. Konsekuencat e këtij profesioni të ri e shtyjnë protagonistin të shkatërrojë këto videokaseta, duke regjistruar mbi to imazhe lufte të marra nga lajmet në TV. Rezultati i këtij filmi janë 15 minuta që nuk kanë vetëm vlerën e dokumentimit historik, por mbi të gjitha i lejojnë artistit të reflektojë imtësisht rreth ekzistencës së njeriut me të gjitha karakteristikat dhe fenomenologjinë e qenies: dashuria, seksualiteti, nostalgjia, ndjenja e fajit, ekonomia e konfliktit etj. “Electric Blue” është historia e një individi, e cila vijon duke përfshirë ngjarje universale. Ky është një aspekt tipik që hasim në videot e Adrian Pacit. Në punët e tij momentet e ekzistencës së individit shndërrohen në metafora për mbarë njerëzimin.

Adrian Paci ka lindur më 1969 në Shkodër. Ai jeton dhe punon në Milano. Punët e tij janë ekspozuar në muzetë dhe aktivitetet më të rëndësishme në të katër anët e botës si Istanbul Museum of Modern Art, Center for Contemporary Art Tel Aviv, Kunstverein Hannover, Bonnier Konsthall Stockholm, Kunsthaus Zurich, P.S.1 Contemporary Art Center/MoMA New York, Contemporary Arts Museum Houston, Moderna Museet Stockholm, Centro de Cultura Contemporania de Barcelona, Biennal de Lyon, Athens Biennial, Tirana Biennal, Havana Biennale, Tate Modern London, Museion Bozen, Casino Luxembourg, San Francisco Art Institute, Kunsthalle Fridericianum Kassel, Biennale of Sydney, Biennale di Venezia etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›