Laura Konda: Momenti më i vështirë ka qenë 11 shtatori i vitit 2001
Rrëfehet gazetarja e njohur e Zërit të Amerikës, Laura Konda
Në mesin e komunitetit të gazetareve të një nga pesë transmetuesit ndërkombëtarë që operon në 43 gjuhë të botës, Zëri i Amerikës, një vend të veçantë zë edhe profili i gazetares dhe intelektuales shqiptare Laura Konda, e cila së bashku me stafin e këtij institucioni nëpërmjet programeve në gjuhën shqipe promovojnë lirinë dhe vlerat e demokracisë amerikane, mbajnë audiencën shqiptaro-amerikane, botën shqiptare ngado, të mirinformuar me ndryshimet socialekonomike, politike e kulturore, proceset demokratike, ngjarjet historike e aktuale, brenda e jashtë trojeve shqiptare. Znj. Laura Konda si gazetare e Zëri i Amerikës në shqip jep transmetimin e programit “Ditari”, një emision sot shumë popullor dhe me një audiencë të madhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, si dhe në Diasporë, dhe përmes internetit. Znj. Laura Konda e kemi parë duke intervistuar qoftë udhëheqës, politikanë, analistë, artistë, shkencëtarë, studentë, përfaqësues të shoqërisë civile. Të intervistuarit përzgjidhen kurdoherë duke patur parasysh moton për t’i dhënë publikut informacion të saktë dhe transmetimin e vlerave. Redaktore e emisionit, gjithashtu që përkthehet nga anglishtja në shqip, për Voice of Amerika, Washington DC. Ajo është bija dy prindërve intelektualë të shquar për erudicionin e tyre shumëdimensionale, dy personazhe historikë nga më të rëndësishmit në botën shqiptare e letrave shqipe. Është bija e Drago Siliqit që pati një karrierë të shkurtër, por të shkëlqyer si poet, kritik letrar e botues, dhe e Drita Siliqit një nga personalitetet e shquara intelektuale, pedagoge, publiciste dhe përkthyese, e cila u nda nga jeta para disa ditësh,. Në këtë intervistë interesante e mbresëlënëse, Znj. Konda rrëfehet si kurrë më parë për veten e për prindërit e saj; Drago e Drita Siliqi, genin e formimit të saj intelektual dhe profesional, pa harruar të kujtojë e të shprehë mirënjohjen për ta e njerëzi që e rrethonin, veçmas për korifejtë e letrave shqipe.
Bisedoi: Raimonda MOISIU
Znj.Laura, pranoni ngushëllimet e mija të sinqerta për humbjen e nënës tuaj, znj. Drita Siliqi, një nga personalitetet e shquara intelektuale, pedagoge, publiciste dhe përkthyese. Si ishin momentet e fundit të saj?
Zonja Moisiu, fillimisht ju falenderoj për ftesën që më bëtë për intervistën. Nëna ime u fik si qiriri, pas një lufte kurajoze shumëvjeçare me sëmundjen e zemrës. Ajo luftoi deri në fund për të jetuar dhe nuk u dorëzua deri ne momentet e fundit, për këtë e admiroj edhe më shumë.
Çfarë mendoni se janë elementët thelbësorë që e bëjnë nënën tuaj të çmuar e të vlerësuar për kontributin e saj qytetar e intelektual? Si do ta përshkruani erudicionin e saj krijues, në fushën e dijes e arsimit, botimeve, patriotik e atdhetar?
Nëna ime, Drita Shundi Siliqi lindi në një familje qytetare tiranase, me vlera atdhetare dhe intelektuale. Babai i saj, Athanas Shundi ishte një nga intelektualët e Tiranës dhe njeri patriot. Ai ishte mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës. Më pas shkoi për studime në Napoli, ku për rezultatet e shkëlqyera ju dha edhe titulli i rrallë “Cavaliere d’Italia”. Me pas u kthye në Shqipëri dhe hapi farmacinë e tij në Tiranë. Ai ishte delegat në Konferencën e Beratit, të vitit 1922, ku u mor vendimi që shqipja të ishte gjuha e liturgjisë së Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Nëna e Dritës vinte nga familja Spiru e Durrësit, një familje qytetare dhe patriote, por që vuajti shtetëzimet nga sistemi komunist, madje disa të afërm të saj vuajtën edhe burgjet komuniste. Kjo trashëgimi familjare i dha nënës sime edukatën që gjithkush e merr gjatë kohës së fëmijërisë, e u reflektua gjatë gjithë jetës së saj. Babai i vdiq kur ishte vetëm 6 vjeç dhe ajo u rrit nga e ëma dhe familja e xhaxhait që mori drejtimin e farmacisë pas vdekjes së të vëllait. Drita ishte një nxënëse e shkëlqyer, ku inteligjenca bashkohej me dëshirën e pa fund për të mësuar si dhe me punën e palodhur. Kështu e kujtojnë sot shoqet e saj të klasës. Vetë ajo kujtonte me shaka kur mësuesi i historisë, Prof. Aleks Buda, pas përgjigjes së shkëlqyer në provim, u ngrit nga katedra ku qëndronte komisioni dhe me një gjest nderimi, i dha dorën dhe e përcolli deri tek dera. Inteligjenca dhe vullneti për të mësuar u reflektuan më vonë në të gjithë karrierën e saj si profesoreshë, redaktore, e kryeredaktore, kritike letrare dhe së fundi, përkthyese. Ajo nxori dhjetra breza nxënësish nga shkollat e mesme të Tiranës “Sami Frashëri” e “Petro Nini” nga gjimnazi i Shkodrës, nga Instituti Bujqësor dhe nga Fakulteti i Letërsisë, në Universitetin e Tiranës. Më habiste kur kujtonte me emër shumë prej tyre megjithëse kishte kaluar një jetë e tërë. Ndjehem krenare për punën e saj me përkushtim të veçantë dhe nga fjalët e mira që kam dëgjuar në vite nga ish-studentë e ish-kolegë të saj. … Ndërsa vitet e para të rinisë ajo i kaloi në një ambient shoqëror çnjerëzor të luftës së klasave, kur edhe pse kandidate për medalje ari nuk ju dha e drejta të studionte jashtë vendit, si shumë shokë e shoqe të saj. Jeta e saj mori një kuptim të veçantë pas njohjes me poetin e ri Drago Siliqin, babain tim. Kështu, ajo e gjeti veten në mesin e shkrimtarëve të rinj e të vjetër, miq me babain tim, ajka e intelektualëve të ndershëm të Shqipërisë në vitet ’60, mes të cilëve dua të përmend Andrea Varfin, Zisa Cikulin, Sterjo Spassen, Petro Markon, Llazar Siliqin, Met Myftiun, Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Jakov Xoxën, etj. Ajo u bë dëshmitare e zhvillimit të vrullshëm të botimeve në fundin e viteve ’50 dhe fillimin e viteve ’60, kur babai im ishte Drejtor i Shtëpisë së vetme botuese, asaj “Naim Frashëri”. Në atë kohe im atë punësoi si përkthyes, intelektualë dhe përkthyes të shquar, si Lasgush Poradeci, Dhimitër Pasko, Pashko Gjeçi, Vedat Kokona. Gjithashtu ai punësoi edhe shume intelektualë të tjerë, ish-të burgosur, që ja ditën për nder tërë jetën e tyre. Mamaja më ka treguar për përpjekjet e guximshme që ka bërë im atë për t’i dhënë të drejtën e botimit një numri krijuesish dhe përkthyesish të shquar, të cilët kishin qenë në burg dhe i ishte hequr e drejta e botimit.
Pra ju jeni edhe vajza e poetit, shkrimtarit e kritikut, një vlerë kombëtare e letrave shqip-Drago Siliqit. A ka lënë dorëshkrime pas vdekjes tragjike? Kush u kujdes për botimin e tyre?
Babai im vdiq kur ishte vetëm 33 vjeç. Ai pati një karrierë të shkurtër, por të shkëlqyer si poet, kritik letrar dhe botues. Edhe sot, pas 50 vjetësh, ai kujtohet si një emër i rëndësishëm i letrave shqipe. Njohja dhe nderimi i emrit të babait tim i dedikohen në një masë të konsiderueshme nënës sime, bashkëshortes së tij, Drita Siliqi. Ajo i redaktoi, i botoi e ribotoi veprat e tij disa herë. Drago Siliqi u bë ylli i saj polar, siç u shpreh me të drejtë shkrimtari Betim Muço në fjalën e lamtumirës në funeralin e nënës sime, emrin e të cilit ajo e ruajti me nder dhe përkushtim gjatë të gjithë jetës. Nëna ime botoi çdo dorëshkrim që kishte lënë babai im i ndjerë. Ajo po ashtu u kujdes të botonte edhe librat e saj studimorë “Probleme të Gruas në Shtypin e Rilindjes dhe Pavarësisë”, përmbledhjen me përkthime dhe studime mbi Dora D’Istrian, si dhe përkthimet e dy prej librave të autores së njohur italiane Oriana Fallacci, “Seksi i Shpërfillur” dhe “Intervistë me Historinë”.
Znj. Laura, a pati ndikim erudicioni dimensional i prindërve tuaj, që Ju zgjodhët të jeni gazetare?
Në vitet e fëmijërisë unë u rrita me një mungesë të madhe, atë të babait që më la kur isha pa mbushur 2