E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita përballë Kuvendit të ri

Opinion nga Ermir Xama

ermir xamaDuket sikur Parlamenti i Shqipërisë në seancën e parë plenare, i nisi punimet me këmbën e mbarë. Opozita e re e djathtë mori pjesë në seancë duke bërë betimin. Krejt e kundërta do të ndodhte një ditë më pas. Kur Kryeministri i ri, Edi Rama prezantoi programin qeverisës, opozita e udhëhequr nga lideri historik i saj, Sali Berisha bojkotuan punimet e seancës pikërisht në momentin kur Rama po prezantonte programin e tij qeverisës për 4 vitet e ardhshme. Berisha, edhe pse tani një deputet i thjeshtë, por në rolin e kryetarit, me largimin e tij nga salla e parlamentit, “detyroi” edhe deputetët e djathtë të bojkotonin programin e Ramës. Pretendimi i tyre ishte se kryesocialisti përdori një gjuhë urrejtjeje ndaj opozitës, duke e sulmuar atë. Në kohën që Berisha dhe grupi i tij po linin sallën e kuvendit Rama tha se: do të marre fund nëpërkëmbja e opozitës. Ishte rastësi apo jo, pak rëndësi ka sepse në fund të fundit zëri i opozitës duhet të dëgjohet. Ata u çuan në këmbë sikur do të bënin një betejë gladiatorësh me Kuvendin e ri.

Parlamenti shqiptar që u mbajt ditën e mërkurë tregoi që opozita në vendin tonë është e pandreqshme dhe vështirë të këtë bashkëpunim pozitë-opozitë. Nga ana tjetër Lulzim Basha edhe pse nuk është prezent në parlament merr sinjalizimet dhe del duke kërcënuar se do të mbajnë qëndrime ekstreme, deri në protesta. Thua se këtë plan e kanë përgatitur gjatë pushimeve të verës?

Të respektosh, dëgjosh dhe të durosh janë vlera të çmuara, por dhe të thjeshta. Zbato këto gjëra elementare pastaj vepro. Por në Kuvendin tonë nuk dinë t’i përmbahen këtyre elementëve. Këtë gjë nuk mund ta kundërshtojnë as vetë ata që e bënë sepse kanë dëshmitarë, përveç popullit që i ndjek nga televizioni edhe faktorin ndërkombëtar që ishte prezent në seancën e prezantimit të programit qeverisës. Ambasadorët Arvizu dhe Sequi “dënuan” bojkotin e opozitës dhe vlerësuan prezantimin e programit të qeverisë. Jo se programi i Ramës ishte i mirë apo i keq, por sepse bota di të respektoje dhe di të dëgjojë. Imazhi i një opozite të tillë, duke sulmuar për të mos lënë qeverinë e re të shpalosë ato që ka në program është thjesht negativ. Nuk është ky imazhi i një opozite efikase dhe të fortë. Nuk mund të bëhet opozitë duke u larguar nga salla e kuvendit. Aty duhet të jenë të gjithë, bashkë.

Kuvendi duhet të jetë vendi ku politika duhet të bashkohet dhe të dialogojë. Vetë zanafilla e emrit kuvend të çon aty, ku rrihen e shkëmbehen lirisht mendimet për probleme të rëndësishme politike dhe shoqërore. Duhet biseduar shtruar për të zgjidhur çështje të rëndësishme të Shqipërisë. Kuvendi është institucioni më i lartë i pushtetit shtetëror, është mbajtës i sovranitetit të popullit dhe i vetmi organ ligjvënës. Populli sovran i ka sytë nga ky institucion, i ka sytë jo vetëm nga qeveria e re dhe nga ato çka ajo ka premtuar, por edhe nga veprimet e opozitës, nga bashkëpunimi i saj dhe roli që ajo do të këtë në të mirë të tyre.

Roli i opozitës, si një veprimtari politike kundër pikëpamjeve të një partie tjetër, duhet të jetë objektiv dhe bashkues në çështje kombëtare. Sjellja e opozitës në Kuvend po dhe jashtë saj tregon cilësinë dhe nivelin e demokracisë. Të bësh opozitë me bojkot dhe protesta do të thotë të mos bësh dialog dhe të mos pranosh kompromis, madje mund të mos quhesh as opozitë. Roli i opozitës nuk duhet të marrë trajta dëmtuese dhe prishëse sepse dëmton rëndë zhvillimin e vendit dhe imazhin e saj në vështrimin ndërkombëtar. Jemi vetëm në dy seancat e para dhe përçarja parlamentare u duk qartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›