E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lavdërohet ministri

Ministri i Kulturës Memli Krasniqi e përmbylli vitin 2011 me një konferencë, në të cilën foli për arritjet e tij. Tha se ka bërë më shumë se gjithë ministrat para tij.

Hartimi i rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesionalë të trashëgimisë kulturore ishte pika e parë me të cilën ministri i kulturës Memli Krasniqi e filloi konferencën e tij të fundvitit.

Me këtë rregullore, tha ai, për herë të parë pas dhjetë viteve është zgjidhur statusi ligjor dhe material i krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe punonjësve profesional të trashëgimisë kulturore.

“Tashmë është në fazën finale nënshkrimi i të gjitha kontratave, pasi ka qenë një proces jo edhe aq i thjeshtë, por me vjen mirë që po përfundon si duhet”, tha ministri Krasniqi, duke ia lënë të gjitha meritat vetes së tij. Ai tha se ministrat e kaluar që dhjetë vjet nuk kanë bërë asgjë rreth kësaj. Sipas tij, ministrave të kaluar të kulturës u ka munguar vullneti për të rregulluar çështjen e krijuesve dhe performuesve të kulturës.

Krasniqi shtoi se prej kohës kur e ka marrë detyrën e ministrit ka mbështetur mbi 200 projekte të ndryshme në fushën e kulturës, duke filluar nga projektet individuale deri tek festivalet me renome. Vëmendje të veçantë tha se u ka kushtuar projekteve të realizuara jashtë vendit, të cilat kanë qenë në funksion të përfaqësimit të kulturës sonë jashtë vendit.

Arritje tjetër, sipas tij, është miratimi në qeveri i dy ligjeve të rëndësishme, atij për teatrot dhe ligjit bibliotekat.

“Presim që në muajt e parë të vitit të ardhshëm të miratohen në Kuvend”, tha Krasniqi. Një ligj tjetër më rëndësi që është aprovuar në Kuvendin e Kosovës është ai për të drejtat e autorit. Krasniqi tha se prej janarit priten hapa konkret në zbatimin e tij.

“Fusha e të drejtave të autorit është një sferë e gjerë dhe shumë e rëndësishme, që para se gjithash ka pasur nevojë për një ligj të mirë. Ligji për të drejtat autoriale dhe të drejtat tjera të përafërta është miratuar në Kuvend dhe nga janari priten hapa konkret në drejtim të zbatimit të tij. Siç e dini tashmë është themeluar një shoqatë kolektive për mbrojtjen e të drejtave autoriale”, tha ministri Krasniqi.

Ndërsa sa i përket fushës së trashëgimisë kulturore, Krasniqi tha se për herë të parë pas luftës Kosova është bërë me listën e monumenteve të trashëgimisë kulturore që hyjnë në mbrojtje të përkohshme nga shteti. Kjo listë përmban 930 monumente. Ai tha se shumë shpejtë do ta kenë edhe listën për mbrojtje të përhershme.

Krasniqi e përmendi gjithashtu edhe nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Ambasadën Amerikane në Prishtinë në vlerë prej 1.5 milion dollarësh për restaurimin e gjashtë monumenteve të trashëgimisë kulturore në disa komuna të Kosovës.

“Javë më parë bashkë me ambasadorin Dell dhe presidenten Jahjaga kemi përuruar nisjen e punimeve në restaurimin e disa prej këtyre monumenteve”, tregoi Krasniqi.

Ai shtoi se për herë të parë janë ndarë fonde për ndërhyrje emergjente në 16 monumente të trashëgimisë kulturore anekënd Kosovës.

Ai, midis tjerash, i përmendi edhe gërmime me karakter shpëtimi, si në fshatin Reshtan të komunës së Suharekës, pastaj renovimin e galerisë së skulptorit të ndjerë Agim Çavdarbasha, i cili është bërë me mbështetjen e plotë të MKRS-së.

E sa i përket vitit 2012, ministri Krasniqi i theksoi disa prej objektivave të tij.

“Siç e dini për vitin 2012 do të kemi një buxhet disa milionë më të madh, e që për shumëkë ka qenë ndoshta e paimagjinueshme. Në vitin e ardhshëm do të kemi një buxhet prej 18.2 milionë euro.

Më këtë buxhet do të rritet përkrahja në secilin resor të ministrisë, kulturën, sportin, trashëgiminë kulturore dhe rininë. Për institucionet e kulturës do të ketë rritje të buxhetit për 20 për qind për secilin, krahasuar me këtë vit”, tha ministri Krasniqi.

Ai tha se shpreson se me rishikim të buxhetit të vitit të ardhshëm do të arrijnë që të marrin buxhet shtesë dhe kështu të ketë edhe një rritje në të gjitha resorët.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›