Sytë më të njohur afgan

Në Muzeun e Artit Modern – MACRO, në Romë, po vazhdon të qëndrojë e hapur ekspozita e madhe retrospektive e fotografit Steve McCurry.
McCurry më së shumti njihet për fotografinë e tij “Afghan Girl” (Vajza Afgane), të publikuar në ballinën e magazinës amerikane ‘National Geographic’, në vitin 1985, e cila pastaj, me një shpejtësi marramendëse shëtiti gjithë botën, dhe u shndërrua në një simbol të vuajtjeve të të ikurve nga luftërat.
Vajza afgane me sy të gjelbër dhe me shikimin e saj tejet depërtues, të cilën asokohe McCurry e takoi në një kamp refugjatësh në Pakistan, nga publiku u identifikua shumë më vonë. Tek pas rënies nga pushtetit të regjimit taleban në Afganistan, në vitin 2001.
Brenda vetëm disa muajve, për sa një ekip i hulumtuesve të National Geographic qëndroi në Afganistan, u arrit ajo që nuk ishte arritur për plot 17 vjet. Ata arritën të gjenin Sharbat Gulu’n, gruan që tani shquhej me vija shumë më të buta dhe më të lodhura të fytyrës, megjithëse në sytë e saj ende shkrepte ajo flaka e gjelbër që dikur ishte përjetësuar nga objektivi i fotografit, Steve McCurry.
Posa mori lajmin për gjetjen e modeles së tij të dikurshme, autori menjëherë udhëtoi drejt Afganistanit. Kësaj radhe e fotografoi Sharbaten të rritur, për ta bërë pjesë të diptih portreteve të saj, të cilat në vitin 2002 sërish bënë një xhiro nëpër botë. Vetëm se kësaj radhe, falë teknologjisë moderne, kjo xhiro u bë shumë më shpejtë se në kohën e fotografisë origjinale, në vitin 1985.
Portreti i Sharbat Gule, por edhe shumë punë të tjera me të cilat McCurry dokumentoi jetën dhe vdekjen nëpër të gjitha kontinentet e botës, në Itali do të qëndrojnë të ekspozuara deri më 29 prill të vitit 2012.
Ata që kanë fatin të vizitojnë Romën gjatë kësaj periudhe, gjithsesi se një vizitë kësaj ekspozite nuk do t’ua prishte përshtypjet për Qytetin e Përhershëm. Aq më tepër kur dihet se bëhet fjalë për njërin nga fotografët më të njohur dhe më me ndikim të së sotmes.