E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lavdërojnë prokurorët

Fjalë të mira u thanë për punën e prokurorëve. Raporti për punën e tyre për vitin 2010 i nxjerr ata sikur të jenë robotë. Aty del se shumica kanë punuar me qindra dosje mbi nivelin e parashikuar. Kryeprokurori i EULEX’it porositi shoqërinë civile të mos ankohet për prokurorët e korruptuar. Sipas tij, me riemërimet që janë bërë, ata nuk janë më Nga Jeton Musliu më 19 maj 2011 në ora 10:44

Një raport plot me të arritura për vitin që shkoi. Ky është dokumenti që paraqiti të mërkurën Prokuroria e Shtetit, sipas të cilit, vartësit e saj në tërë vendin kanë punuar mbi normat e parashikuara.

Kështu, në prani të përfaqësuesve të zyrtarëve të institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare, të mërkurën u bë prezantimi i këtij raporti për punën e prokurorive të Republikës së Kosovës për vitin 2010.

Nga ky raport del se prokuroritë e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2010, edhe pse funksionin prokurorial e kanë ushtruar vetëm 64 për qind të prokurorëve të nevojshëm, kanë kryer me sukses shumicën e punëve rreth zgjidhjes së lëndëve në punë.
Prokurorët komunalë gjatë vitit 2010, mesatarisht kanë zgjidhur nga 437 lëndë, në krahasim me 250 të normës vjetore. Ndërkaq, prokurorët e qarqeve kanë zgjidhur nga 105 lëndë mesatarisht, në krahasim me normën vjetore prej 60 lëndësh.

Sipas kryerpkurorit të Shtetit, Ismet Kabashi, edhe përkundër faktit se është punuar mbi normë, zgjidhja e këtyre lëndëve është e kualitetit të lartë, e këtë e dëshmojnë vendimet gjyqësore.

Sipas të dhënave, për vitit e kaluar, prokuroritë i kanë kushtuar vëmendje të posaçme edhe çështjes së transparencës së tyre, të përmirësimit dhe të zhvillimit të bashkëpunimit me institucionet tjera për zbatimin e ligjit, si me policinë, doganat dhe agjensionet tjera të pavarura për zbatimin e ligjit.

“Prokuroria e Shtetit ka arritur suksese të dukshme në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ku vetëm gjatë vitit 2010 ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me prokuroritë e Kroacisë, Shqipërisë dhe Francës”, tha kryeprokurori Kabashi.
Ai tha se në duart e prokurorëve është një segment i rëndësishëm për integrime evropiane të Kosovës, e që është sigurimi i sundimit të ligjit, prandaj në emër të kolegëve të vet premtoi se këtë detyrë, të cilën e cilësoi si borxh ndaj Kosovës, ta plotësojnë në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Këshilli Prokurial i Kosovës, i cili menaxhon sistemin prokurorial, do të jetë faktori kritik për arritjen e sukseseve më të mira, si në sferën e ngritjes së kapaciteteve njerëzore, kualitetit të punës, përgjegjësive dhe resurseve materiale të nevojshme për punë më të suksesshme të prokurorive””, tha Kabashi.

Në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, pohoi se prokuroritë do të zënë vend të veçantë edhe në Këshillin Konsultativ për Drejtësi, i cili është themeluar rishtazi me iniciativë të kësaj ministrie, me qëllim të avancimit të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit. “Kjo do të bëhet për zbatimin e strategjive të organeve gjyqësore dhe prokuroriale, të sigurimit të kushteve, propozimit dhe ndërmarrjes së masave në fushën e sistemit gjyqësor dhe atij prokuroria”, tha Kuci.

Ndërkaq, kryeprokurori i EULEX-it, Johannes van Vreeswijk deklaroi se në përgjithësi shërbimi i prokurorive të Republikës së Kosovës ka arritur një progres domethënës që nga viti 2008. Ai tha se ligje të reja të rëndësishme kanë hyrë në fuqi, që përcaktojnë cilësitë e kërkuara të kornizës ligjore dhe që parashohin paga të duhura.”PSRK-ja ka mungesë prej 72 prokurorëve për të kryer punën si duhet”, tha Van Vreeswijk, duke i porositur shoqëritë civile të mos ankohen.

“Thërras shoqërinë civile të mos ankohet për prokurorët e korruptuar sepse ata nuk janë më. Me procesin e riemërimit ata kanë shkuar”, tha kreu i organit të akuzës së EULEX’it. Sipas raportit, për vitin 2010, nga 49 mijë e 15 raste janë zgjidhur 34 mijë e 844. Sipas zyrtarëve, më së shumti problem në mbledhjen e të dhënave ka pasur në gjykatat e Mitrovicës, të cilat veprojnë në kushte mjaft të rënda, si të zhvendosura në Vushtrri.

Fakte
Sipas këtyre të dhënave të paraqitura në raport, për vitin e kaluar, çdo prokuror komunal ka përpunuar mesatarisht 437 lëndë. Më së shumti lëndë kanë pasur prokurorët e Prokurorisë Komunale në Gjilan me gjithsej 666, kurse ata të Pejës me 665. Nga prokuroritë e qarkut, prinë ajo e Prishtinës me 178 lëndë për prokuror. Të dhënat tregojnë edhe për kualitetin e punës së prokurorëve, ku vlerësohet se ka qenë mjaft i lartë. Sipas raportit, vetëm 318 persona janë liruar nga akuza, ose 2.2 për qind nga numri i përgjithshëm çfarë tregon për përgatitje të mirë profesionale të prokurorëve. Arsye për këtë u tha se është rezultati që ka dhënë procesi i riemërimit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›