Ndarja e pamundshme
Ambasadori i Francës në Prishtinë, Jean François Fitou ka deklaruar të mërkurën se ndarja e Kosovës nuk do të ndodhë kurrë.
Ai tha se ideja e ndarjes përpos që është e rrezikshme, është edhe e pamundshme.
“Ndarja nuk është në tavolinë, nuk do të jetë në tavolinë dhe është temë që as që bëhet fjalë që mund të diskutohet për të. Askush nuk do ta mbështesë dhe përfundimisht është jashtë çdo diskutimi”, ka deklaruar Fitou.
Ai ka komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë, të cilët kanë thënë se Kosova po shkon drejt ndarjes, pavarësisht kundërshtimeve nga faktori ndërkombëtar.
“Unë nuk e di pse disa ministra në Serbi flasin për një zgjidhje që as nuk është në tavolinë dhe asnjë shtet serioz nuk e mbështet. Kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë fjalë nga ndonjë shtet serioz që ka njohur Kosovën e që është në favor të ndarjes së Kosovës”, ka thënë Fitou për Radio Dukagjinin.
Për temën e ndarjes ka folur edhe Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Ai ka thënë se idetë për ndarje, që po hidhen ditëve të fundit nga zyrtarë të Beogradit, janë të rrezikshme për stabilitetin rajonal.
“Me këtë logjikë, ndarja nuk do të ndalej vetëm me Kosovën, por do të prekte edhe vendet e tjera”, ka thënë ai.
Ditë më parë, Zëvendëskryeministri serb, Ivica Dacic, tha se ndarja është zgjidhje për Kosovën.
Kuci i ka dhënë përgjigje edhe zyrtarit serb. “Unë kam menduar që ai nuk është si Miloshevici, ka ndryshuar prej kohës së Milloshevicit. Si duket është i njëjti. Logjika e ndarjeve në këtë rajon ka dërguar në logjikën e luftës, në luftën dhe gjenocidin që janë shkaktuar dhe prodhuar nga Serbia”, ka thënë Kuçi.
Gjatë ditës së mërkurë, ka folur ministri tjetër në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic.
Ai ka folur për perceptimin e serbëve në Kosovë. “Ndarjen e Kosovës e përkrahin 90 për qind e serbëve në veri të lumit Ibër. Si Ministër nuk kam të drejtë të paraqes qëndrimet personale, por e di se 90 për qind e serbëve në veri të Ibrit janë për ndarje, e po kaq janë kundër ndarjes në jug të Ibrit. Ky është realitetit aktual serb në Kosovë”, ka thënë Bogdanovic për “Blic”
Ai konsideron se kompromisi është zgjidhje, por se nuk është për ndarje.
"Nuk jam për ndarje assesi. Nuk do të jetë temë e bisedimeve që po zhvillohen me Kosovën. Qeveria për këtë nuk ka biseduar kurrë. Personalisht jam për çdo zgjidhje që sjell kompromis, e kjo do të thotë që secili të heqë dorë nga diçka”, ka deklaruar Bogdanovic.
Në anën tjetër, Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se ndarja e Kosovës është e papranueshme për shqiptarët.
“Ndaj çdo tendencë tjetër për të çuar procesin e dialogut, nga dialogu teknik në atë politikë, është e papranueshme për shqiptarët dhe se kjo mund të ketë reperkusione më të gjera në Ballkan, reperkusione të cilat do të mund të na sjellin në kohën e konflikteve të viteve të shkuara”, ka thënë Kamberi.