E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lazio në mision

Lazio është në aksion. Klubi romak ka angazhuar përforcime të mëdha deri më tani gjatë këtij afati kalimtar të verës, përfshirë dyshen e sulmuesve të mirënjohur Miroslav Klose-Djibril Cisse si dhe mesfushorin kosovar Lorik Cana. Objektivi është i qartë, lufta për titullin e kampionit në Serie A. Nga Express më 22 korrik 2011 në ora 11:29

E dominuar në periudhën e fundit nga rivali i saj i qytetit Roma, Lazio synon të del nga hija. Dëshmia e vjen nga ky afat kalimtar i verës me transferimin e deritashëm të shtatë futbollistëve, në mesin e të cilëve edhe mesfushori kosovar Lorik Cana.

Por, ishte ardhja e sulmuesve të mirënjohur Miroslav Klose dhe Djibril Cisse ajo që zgjoi vëmendjen kryesore, indikacion se presidenti i klubit Claudio Lotito dëshiron të rikthejë famën e dikurshme.

Me 61 gola në 109 ndeshje ndërkombëtare, Miroslav Klose është legjendë në futbollin gjerman. Tani 33 vjeç dhe në skadim të kontratës së tij me Bayern Munichun, ku pjesën më të madhe të sezonit të kaluar qëndroi në pankinë, Klose mund të kishte përfunduar karrierën.

Mirëpo, ai vendosi për një sfidë të re larg Bundesligës, ku kaloi gjithë karrierën e deritashme. Pavarësisht interesimit nga klube të ndryshme, ishte Lazio që përfitoi nga vendimi për ndryshimin e destinacionit.

“Është skuadër shumë interesante, një kombinim i të rinjve me futbollistë me përvojë. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj aventure dhe jam i sigurt se do të luftojmë për titull. Ky klub ka një histori të pasur dhe Roma është qytet i mrekullueshëm”, tha Klose i cili është i vendosur të vazhdojë rrugëtimin e suksesshëm. “Jam këtu në një klub ambicioz, sikurse unë, kemi uri për të fituar”, shtoi ai.

Tre vite më i ri se Klose, Djibril Cisse po ashtu është pritur ngrohtë në kryeqytetin italian. “Jam jashtëzakonisht i motivuar”, tha francezi të cilin trajneri Edy Reja tashmë e ka emëruar La Baestia (Bisha). “Është sfidë e re për mua, pa dyshim më e rëndësishme e karrierës time deri më tani. Jam kureshtar të shoh se si do të paraqitem kundër mbrojtjeve më të fuqishme në Serie A”, u shpreh ai. Lazio është klubi i gjashtë i Cisses.

Reprezentuesi francez më parë është paraqitur në Auxerre, Liverpool, Marseille, Sunderland dhe Panathinaikos, ku dy herë përfundoi sezonin si golashënuesi më i mirë në kampionatin grek. Pas përfundimit të aventurës së tij në Greqi, Cissen tani e pret ndjekja e golave të rinj në Lazio.

“Kam shënuar shumë gola në Greqi në dy sezonet e fundit, por disa njerëz mendojnë se standardi i kampionatit nuk ishte aq i lartë. Është një arsye pse kam ardhur në Itali sepse Serie A është njëra prej ligave më të vështira në Evropë. Ende nuk kam vdekur, dua të mbetem në ekipin kombëtar. Nëse luaj mirë në Serie A, nuk ka gjasa që Franca të më injorojë”, u shpreh ai.

Përveç dyshes së mirënjohur sulmuese Klose-Cisse dhe mesfushorit Cana, Lazio deri më tani gjatë këtij afati kalimtar të verës ka transferuar edhe portierin Federico Marchetti dhe mbrojtësit Senad Lulic e Marius Stankevicius.

Tifozët e Lazios do të shpresojnë që me përforcimet e reja do të kthehen ditët e lavdishme të vitit 2000, kur fituan titullin e tyre të fundit në Serie A, të dytin në histori të klubit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›