E Diel, 1 Nëntor 2026

Lë grevën një ish- i përndjekur, shfaq komplikacione në zemër

Një nga grevistët e grevës së urisë, Vllasi Koçi, ka lënë grevën e urisë pasi ka shfaqur komplikacione në zemër. Ai është dërguar në spital pas probleme të shfaqura. Koçi, 55 vjeç, ka ardhur nga Vlora për të marrë pjesë në këtë grevë urie.

Disa prej grevistëve janë dërguar në spital për të marrë serume dhe mjekime të specializuara, njëri prej tyre ka shkuar në shtëpi për shkak se ka vajzën sëmurë dhe dy të tjerë Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko u dërguan jashtë shtetit në Itali dhe Greqi për të mjekuar plagët e rënda që morën nga vetëdjegia me benzinë në mjediset pranë grevës së urisë.

Nga 25 grevistët e fillimit aktualisht tani po e vazhdojnë grevën e urisë vetëm 7 ish- të dënuar politikë. Ata këmbëngulin se protesta e tyre ka vetëm kërkesa ekonomike; ish- të burgosurit politikë prej më shumë se tre javësh në grevë urie po kërkojnë dëmshpërblimin financiar për vitet në burgjet e diktaturës komuniste.

Greva e urisë është vështirësuar edhe për shkak të kushteve të motit. Shirat e rrëmbyer dhe moti me temperatura të ulëta po mbizotëron në mjediset e hapura dhe tendat e grevës, të cilat u përmbytën nga shirat e rrëmbyer gjatë natës.

Komisioni parlamentar i ligjeve vendosi që ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi të dëgjohet nesër në një raport lidhur me çështjen e të përndjekurve politikë, pas një kërkese të deputetëve socialistë të opozitës. Përveç raportit të ministrit të drejtësisë ende nuk ka ndonjë shenjë se autoritetet shtetërore mund të ulen në bisedime me grevistët e urisë. Përfaqësues të qeverisë pohojnë se greva e tyre po përdoret politikisht dhe se ligji po zbatohet rregullisht, duke u shpërndarë atyre këstet e programuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›