Vidhen në Gjermani kursimet e një fshati shqiptar
Mediat gjermane raportojnë për një rast vjedhje në zonën e Essen-it.
Siç raportojnë mediat lokale, tre shqiptarë ishin nisur për në tregun e makinerive, pasi do blinin një traktor. Për të blerë mjetin e punës, ata kishin mbledhur para nga i gjithë fshati, që kishte kontribuar me kursimet e tyre.
Por kur kanë mbërritur në Gjermani, përpara u kanë dalë tre persona, të veshur si policë, të cilët kanë ushtruar një kontroll në makinë, ku kanë gjetur shumën prej disa mijëra euro. Policët fals kanë marrë shumën e parave dhe janë larguar me shpejtësi.
Tre shqiptarët kanë bërë një denoncim në polici. Një fondacion i ka ndihmuar ata me para për të bërë të mundur rikthimin në Shqipëri.
Policia thotë se po heton për autorët e krimit, që janë larguar me një VW Passat.