'Lear 2011' bën bashkë 122 piktorë

Rreth 122 artistë bëhen bashkë për fundvit në Berat. Bashkia e qytetit dhe galeria e arteve “Edward Lear”, kanë çelur, të shtunën, edicionin e 15-të të ekspozitës “Lear 2011”. Ky aktivitet i përvitshëm takon piktorë profesionistë nga e gjithë bota si një përballje, por edhe shkëmbim përvoje mes tyre.
Artistët e jubileut të 15 vijnë nga Berati, Tirana, Shkodra, Korça, Vlora, Fieri, nga Turqia, Mali i Zi, SHBA, Anglia, Bullgaria, Kosova, Maqedonia etj. Të gjitha veprat pjesëmarrëse janë të paraqitura në katalogun që shoqëron ekspozitën. “Lear” është një aktivitet i përvitshëm që organizohet që prej vitit 1997.
Galeria “Edward Lear” është krijuar në vitin 1994, me përpjekjet dhe këmbënguljen e disa artistëve të qytetit, duke konfirmuar ekzistencën e traditës së rëndësishme të arteve pamore në qytetin e Beratit, por dhe si nevojë e përmasave që mori krijimtaria artistike në artet pamore dhe rëndësia e emrave të artistëve pas viteve ’90.