E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blatter pranon gabimet

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter pranon se gjatë këtij viti janë bërë gabime nga asociacioni i futbollit botëror, por thotë se nuk jetohet me pendime dhe duhet shkuar përpara. Ai thekson se emërimi i përbashkët i nikoqirëve për botërorët 2018 dhe 2022 ishte vendim i gabuar, por që nuk mund të ndryshohet. Zvicerani synon të përmirësojë reputacionin e organizatës që drejton.

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter ka pranuar se janë bërë gabime, por insistoi se nuk ka kuptim të jetohet me pendime pas një viti të “baticave dhe zbaticave” për Federatën botërore të futbollit.

Në komentet e bëra nga Tokio, në prag të finales në Kampionatit botëror të klubeve, mes Barcelonës dhe Santosit nga Brazili, Blatter, i cili muajin e kaluar u përball me thirrje për dorëheqje për komentet e tij ndaj racizmit, u zotua të vazhdojë dhe të angazhohet në përmirësimin e FIFA-s.

I pyetur nga AFP-ja nëse ka pendime dhe do të kishte dashur të bënte diçka më ndryshe pas një viti, ku fuqia e organizatës së tij u zbeh nga akuzat për korrupsion, ai tha: “Po, por nuk mund të jetohet me pendime. Ju duhet të shikoni nga një qasje pozitive. Ende kam energji të shkoj përpara. I besoj vetes se mund të shkojmë përpara”.

Ai shtoi: “U kam thënë (bashkanëtarëve të FIFA-s) se nuk mund të ktheheni në të kaluarën dhe te pendimet e saj. Kështu u kam thënë”. Ishte një vit i trazuar për FIFA-n me akuza për marrjen e ryshfetit në procesin e kandidimeve për nikoqir të kampionateve botërore 2018 dhe 2022 dhe dënimin e përjetshëm të ish-shefit të futbollit aziatik, Mohamed bin Hammam për tentim të blerjes së votave në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s.

75-vjeçari Blatter, i cili ka krijuar një reputacion të padëshiruar për deklaratat e tij të pazakonshme, edhe vetë shkaktoi stuhi të kritikave kur theksoi se racizmi në fushë duhet të zgjidhet me një shtrëngim duarsh. Ai u tha medieve në kryeqytetin japonez se gabimi më i madh ishte zgjedhja e dy nikoqirëve për kampionate botërore – Rusia më 2018 dhe Katari më 2022 – në të njëjtën kohë. Kjo ishte “krejtësisht e gabuar” dhe “jo më e mira”.

“Ju nuk mund ta ndryshoni, e kaluara është e kaluar. Tani duhet të shikojmë përpara”, theksoi ai. Blatter theksoi se sidomos në pjesën e parë të vitit, “anija jonë nuk ishte në ujëra të sigurta. Tani duam ta dërgojmë në port”.

Presidenti i FIFA-s, i cili ishte rizgjedhur në qershor për një mandat të ri katërvjeçar, pas fitimit të betejës me rivalin Bin Hammam, tha se reformat do ta udhëheqin asociacionin përpara. FIFA u desh të “përkujdesej për opinionin publik. Ne do të bëjmë, nëse është nevoja, reforma përkatëse”.

Pavarësisht kritikave, FIFA nën drejtimin e deritashëm 13-vjeçar të Blatterit është rritur dhe u bë asociacioni më i pasur sportiv në botë me rezerva prej mbi 1 miliard dollarësh. Blatter tha se financat e FIFA-s janë të “mrekullueshme” duke shtuar se “procesi i qeverisjes së mirë” synon të pastrojë reputacionin e saj deri në qershor 2013.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›