E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ledio Shehaj: I kam parë filmat shqiptarë që 9 vjeç

Oliverta Lila

Ledio është vetëm 17 vjeç dhe jeton në qytetin e Ballshit. Për 14 javë rresht është përballur me konkurrentë të të gjithave moshave dhe në fund është shpallur fitues i Kinema Quiz në E Diell. I ka parë filmat shqiptarë që në moshën 9-vjeçare dhe vazhdon ende ti ndjekë te kanali T në DigitAlb

Fituesi i Kinema Quiz 

Oliverta Lila

Ledio Shehaj, djali 17-vjeçar nga Ballshi është fituesi i Kinema Quiz në emisionin E Diell. Pas 14 javësh në konkurrim, në puntatën e fundit, që shënoi edhe mbylljen e këtij sezoni për E Diell, Ledio ka fituar çekun prej 5 mijë eurosh, ofruar nga DigitAlb dhe Raiffeissen Bank. Përballja e fundit ka qenë me Taulantin, një tjetër konkurrent i fortë në këtë lojë. Një pjesë e madhe e publikut është habitur me këtë djalë të ri, pasionin e tij për filmat shqiptarë, deri edhe te kujtesa e detajeve më të imta të realizimeve të para viteve 90. Ai e ka pasion kinemanë dhe ndoshta në të ardhmen mund të jetë edhe profesioni i tij.

Pas shumë javësh konkurrim, u shpalle fitues i Kinema Quiz në emisionin E Diell në Top Channel. Cilat ishin përjetimet e kësaj faze të fundit?

Ishte faza më emocionuese nga gjithë të tjerat, sepse në këtë puntatë të fundit për mua luhej karta e nderit, ose e turpit”.

E mora me qetësi dhe ia dola mbanë.

Taulanti ishte një konkurrent i fortë apo jo?  Besoj ndoshta më i forti nga të gjithë të tjerët?

Sigurisht që po. Askush s’ka pse ti hajë hakun. Madje e kanë cilësuar po aq të mirë sa dhe unë.

Na trego pak më shumë për veten. Kush është Ledio?

Sapo kam përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme në një nga shkollat jopublike të qytetit tim, Ballsh dhe jam në prag provimesh. Jam një djalë normal si gjithë bashkëmoshatarët e mi.

Më pëlqejnë sportet e ndryshme si garat me makina, noti, boksi etj. Kohën e lirë e kaloj me shoqërinë ose duke lexuar.

Për çfarë do t’i përdorësh 5 mijë eurot e fituara?

Besoj se do ti përdor për shkollimin tim të mëtejshëm.

Je bërë një figurë publike tashmë. Cilat ishin komentet që ke marrë pas ditës së diel?

Kam marrë urime dhe komplimente nga të gjithë, pa përjashtim. Më komplimentonin për lojën që bëra dhe faktin që e finalizova me fitore gjithë këtë maratonë prej 14 javësh kuiz. Jam ndier shkëlqyeshëm.

Të gjithë habiten se si një djalë në moshën tënde mund t’i dijë kaq mirë filmat shqiptarë. Që prej sa vitesh i sheh rregullisht?

Që në moshën 9-vjeçare. Ndoshta edhe më herët. Kur diçka e shikon me kënaqësi, e fikson shumë thjesht. Kështu ka ndodhur edhe me mua. Ndërsa tani vazhdoj ti shoh në kanalin T në DigitAlb.

E ke pasion kinemanë?

Po, patjetër që po. Gjithmonë më ka pëlqyer.

Duke qenë se ke mbaruar gjimnazin, mendon se do t’i futesh kësaj rruge?

Them se po. Do të konkurroj në Universitetin e Arteve për aktor ose regji.

Sa i ndjek filmat shqiptarë të realizuar pas viteve ’90?

Shumë pak. Me gishtat e dorës mund ti numërosh filmat ‘e mirë pas 90-s.

Kush janë “idhujt” e tu të filmit shqiptar?

Sigurisht që kolosët e kinematografisë si Kadri Roshi, Robert Ndrenika, Pandi Raidhi, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Liza Laska, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Bep Shiroka, Luftar Paja,  Agim Qirjaqi etj.

Ke takuar nga afër disa nga këta aktorë?

Po, kam takuar Luftar Pajën. Më ka komplimentuar për lojën dhe faktin që në lojën e personazhit, unë e gjeta që në linjë telefonike qëndronte ai.

Ke marrë pjesë në ndonjë sheshxhirim dhe si janë raportet e tua me teatrin?

Në sheshxhirim nuk kam marrë asnjëherë pjesë, ndërsa teatri nuk më tërheq aq sa kinematografia. Megjithatë, kam ndjekur edhe shfaqje teatrale, por nëpërmjet ekranit.

Cili ka qenë filmi që ke parë më shumë herë?

Ndoshta “Një shoqe nga fshati”. Duhet ta kem parë mbi 20 herë, por në kohë të ndryshme.

Cilat janë komentet e bashkëmoshatarëve të ty për këtë dhunti tënden?

Kjo punë është gjithmonë me të dhënë. Nuk mund t’ju them që shikoni sa më shumë filma shqiptarë, sepse ka gjëra të tjera shumë herë më të mira sot për të kaluar kohën, por unë kam një moto timen: “Çdo dije shpërblehet”. Kështu që ku i dihet …

Ledio Shehaj: I kam parë filmat shqiptarë që 9 vjeç burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›