Çmimet Kult, sot vlerësohen më të mirët
Mbrëmja gala
Për të tetin vit radhazi, akademia KULT organizon një ceremoni të madhe çmimesh në vlerësim të artistëve shqiptarë. Mbrëmja Gala që do të mbahet sot, ora 20.00 në Universitetin e Arteve, do të jetë kurorëzimi i artistëve më të mirë nën shkëlqimin e një nate magjike, prezantuar nga këngëtarja Rovena Dilo dhe regjisori Mevlan Shanaj. Në edicionin e tetë të Çmimeve KULT janë në garë 40 artistë, të cilët konkurrojnë në 10 fusha: Artisti Pamor i Vitit, Regjisori i Vitit, Aktori i Vitit, Aktorja e Vitit, Instrumentisti i Vitit, Interpretuesi Lirik i Vitit, Albumi Muzikor i Vitit, Libri Artistik, Libri Studimor, Përkthimi i Vitit. Siç është bërë zakon, në edicionet e fundit do të ketë dhe çmime speciale surprizë. Risia e këtij viti dhe e këtij edicioni, është mënyra e re e funksionimit të jurive. Tashmë, përveç jurive profesioniste të katër fushave të mëdha, akademia KULT ka anëtarët e saj të nderit. Anëtarët e Nderit të Akademisë Kult janë zgjedhur për kontributin e rëndësishëm të dhënë ndër vite, në artin dhe kulturën shqiptare, si dhe mbështetje të vazhdueshme të synimit që ka akademia Kult për krijimin e një tradite në vlerësimin e përvitshëm të prurjeve më të mira kulturore-artistike. Çmimet për artistët më të mirë të vitit janë rezultat i punës njëvjeçare të gazetarëve të revistës Kult.
Çmimet Kult, sot vlerësohen më të mirët burimi: Gazeta Shqip