Made in Albania në Imperial
Dokumentari
Tirana 20 vjet pas rënies së komunizmit, kontradiktat dhe ritmet e zhvillimit të një vendi që italianët e njohin kryesisht prej emigrantëve. Made in Albania, dokumentari i Stefania Casini-t prezantohet sot, ora 19.00 në kinema Imperial në Sheraton. Ky dokumentar tregon rrëmujën, kontrastet dhe vitalitetin e Shqipërisë së sotme, nëpërmjet syve të tre të rinjve. Bashkëprodhim i Bizef Produksion dhe Era Film, në bashkëpunim me Rai Cinema, dokumentari do të projektohet premierë absolute nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë. Shtysa dramaturgjike e dokumentarit buron nga Vito, një njëzet vjeçar nga Puglia të cilit i vjedhin motorin. Ai mendon krejt natyrshëm që tia ketë vjedhur ndonjë shqiptar, dhe kështu merr udhëtimin për Durrës, i vendosur për të gjetur motorin e tij shumë të shtrenjtë. Aty do të takohet me Rubin, me origjinë nga Shqipëria e Jugut, dhe Bora, me origjinë nga Veriu. Një takim që për Viton do të jetë zbulim i menjëhershëm: të brumosur me programet e televizorit italian, Rubin dhe Bora flasin një italishte sikur të ishin italianë. Dhe gjuha është surpriza e parë, shenja e parë që tregon një afrimitet si pjesë e historisë. Të flasësh për Shqipërinë, pas njëzet vitesh nga rënia e komunizmit është me të vërtetë një sfidë e madhe, që kemi dashur ta përmbledhim dhe ta mbështesim e që sot arrijmë ti prezantojmë publikut shqiptar këtë dokumentar të shkëlqyer, shprehet Sabina Kodra, bashkëproducente e filmit.