E Diel, 1 Nëntor 2026

Lefter Koka: E kam falur Berishën Nga TemaDeputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, deklaroi të martën në mbrëmje se e ka falur kryeministrin, Sali Berisha, për akuzat që ka bërë ndaj tij, duke e quajtur atë kryetar të Klanit të Zemun

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Lefter Koka: E kam falur Berishën Nga Tema

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Lefter Koka, deklaroi të martën në mbrëmje se e ka falur kryeministrin, Sali Berisha, për akuzat që ka bërë ndaj tij, duke e quajtur atë kryetar të Klanit të Zemunit. Koka tha se këtë e bën për hir të zhvillimit të vendit dhe shtoi se Berisha i bënte akuzat ndaj tij, se mendonte se ai kishte zënë një vend që mund t’i përkiste atij. Tashmë që gjërat janë “sheshuar”, kryeministri Berisha u detyrohet më së paku një sqarim shqiptarëve. Ai duhet t’u thotë atyre, nëse i ka kërkuar falje Kokës dhe a ka mashtruar, kur e quante familjen e tij si të keqen e madhe të vendit.

Berisha: Klani i Kokës, më i zi se Klani i Zemunit

Kështu deklaronte kryeministri, Sali Berisha, në periudhën kur bënte rolin e opozitarit.

Duke prezantuar biznesmenin Sami Gjergji, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2005, Berisha theksonte se PD ka zgjedhur një nga biznesmenët më të suksesshëm, i cili i ka rezistuar Klanit të Zemunit, si dhe një nga njerëzit më të ndershëm dhe profesionistë. Sipas Berishës, klani “Koka” është më i rrezikshëm se Klani i Zemunit, pasi Klani i Zemunit kontrollonte një port në Danub, kurse klani “Koka” kontrollon portin më të madh të vendit”. Sipas tij, kontrabanda e cigareve ka 3 vjet që vazhdon rregullisht në portin e Durrësit. Dhe për t’u ndalur në fakt, duhet theksuar se vëllai i Lefter Kokës, Leonard Koka, u arrestua pak pas mbërritjes në pushtet të Berishës për kontrabandë cigaresh.

Por lumi i akuzave të Berishës ndaj atij që e quante Klani Koka, nuk ndalej. Ai i akuzonte ata se kishin fshehur madje një krim të ish-kryeministrit, Fatos Nano, kur ai kishte shtypur një njeri.

“Me paratë e vjedhura të taksapaguesve shqiptarë luan kumar dhe projekton krime. Në Durrës kam denoncuar klanin e territ, se nuk ka asgjë të ndryshme nga Klani i Zemunit. Nano dhe klani i tij janë kontrabandistë dhe në garazhet ku e ka mbyllur terri, flenë krimet e kryeministrit”, - deklaronte gjatë fushatës kryeministri.

Por Berisha nuk bënte deklarata ndaj Klanit Koka vetëm gjatë fushatave, kur dhe, siç e pranon vetë, lëshon dhe limonada elektorale, por dhe në tribunën e Kuvendit, kur komentonte buxhetin e vitit 2005. Berisha i akuzonte hapur Kokët për kontrabandë cigaresh, mielli (të të gjitha llojeve) dhe sheqeri.

Sulmi ndaj Kokëve edhe pas fitores së zgjedhjeve

Kryeministri, Sali Berisha, deklaronte në një nga vizitat e para në Durrës pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2005 se qyteti bregdetar ka qenë i shfrytëzuar prej vitesh nga Klani i Zemunit dhe nuk arriti të pasurohej. Sipas tij, tani këto klane po marrin atë që u ka caktuar ligji dhe sipas shefit të qeverisë, qytetarët do të kenë hapësirat që meritojnë.

“I shfrytëzuar në mënyrën më të egër dhe çnjerëzore nga Klani i Zemunit dhe klane të tjera të krimit të lidhura me portin, qyteti vuajti gjatë këtyre viteve në mënyrën më të pamerituar, edhe pse duhet të ishte porta e pasurimit, jo vetëm e qytetarëve të Durrësit, por e mbarë shqiptarëve. Tani klanet një e nga një po marrin atë që u ka caktuar ligji dhe qytetarët do të kenë hapësirat që i meritojnë”, - u shpreh kryeministri.

Numri një i qeverisë shqiptare do e akuzonte edhe për falsifikimin e diplomës ish-kryebashkiakun e Durrësit. “Edhe Lefterin mund ta regjistrojmë në universitetin e Durrësit, por, së pari, ai duhet të marrë maturën dhe të grisë atë që e ka false”, - shprehej Berisha.

Por kryeministri do e akuzonte hapur në një mbledhje të Këshillit të Rregullimit të Territorit ish-kryebashkiakun Koka, duke thënë se ai duhej të shkonte në burg, për shkak të disa lejeve të ndërtimit që kishte lëshuar.

Era e re

Koalicioni i ri zgjedhor po sjell dhe të tjera erëra në politikën shqiptare. Kështu ka nisur një stinë faljesh dhe pendese.

Berisha do të deklaronte në një intervistë televizive në lidhje me arrestimin që i kishte bërë Ilir Meta dhe për manipulimet zgjedhore që kishte bërë ky i fundit se nuk merrej me inate personale. Ndërsa Meta vetë i kishte kthyer reston duke thënë se në atë kohë, kur kishte arrestuar liderin e opozitës, ishte i papjekur ende.

Të dy bashkë kanë pranuar publikisht se si politikanë që janë, nuk duhen besuar se çfarë thonë, pasi shpesh mund të jenë limonada elektorale. Barra në shpinë u ka rënë votuesve që duhet të dallojnë kur është limonadë ajo që thonë ata.

Kësaj loje me të falur i është shtuar dhe Koka, që të paktën pranon se e dinte që Berisha synonte të kapte atë që i takonte deri më atëherë atij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›