E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembja e pallatit në Gjirokastër, dënime qesharake për përgjegjësit Nga TemaKa përfunduar me dënime qesharake procesi gjyqësor në ngarkim të 7 të akuzuarve si përgjegjës për shembjen e një pallati në Gjirokastër një vit më parë, kur humbën jetën tre

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shembja e pallatit në Gjirokastër, dënime qesharake për përgjegjësit Nga Tema

Ka përfunduar me dënime qesharake procesi gjyqësor në ngarkim të 7 të akuzuarve si përgjegjës për shembjen e një pallati në Gjirokastër një vit më parë, kur humbën jetën tre persona. Gjykata e Gjirokastrës është mjaftuar me 10.6 vjet burg për tre prej të pandehurve, ndërsa katër të tjerë i ka shpallur të pafajshëm dhe është mjaftuar vetëm me vendosjen e gjobave ndaj tyre. Prokuroria kishte kërkuar për të pandehurit 38 vjet burg. Menjëherë pas vendimit, përfaqësuesi i organit të akuzës është shprehur i skandalizuar me vendimin dhe ka thënë se do ta apelojë atë.

Vendimi

Gjykata e Gjirokastrës është mjaftuar me dënimin e 7 të pandehurve vetëm me 10.6 vjet burg, ndërkohë që ata akuzoheshin si përgjegjës për vdekjen e tre personave, mes të cilëve edhe një fëmijë. Kështu, në vendimin e saj, gjykata ka vendosur të dënojë me vetëm 6 vjet heqje lirie presidentin e firmës ndërtuese “Arti sh. p. k.”, Sotiraq Janorën. Ndërkohë, ish-sekretarja e KRRT në Bashkinë e Gjirokastrës, Afërdita Papamihali, është dënuar me 2.6 vjet heqje lirie, 500 mijë lekë gjobë e 3 vjet heqje të drejte në ushtrimin e funksioneve publike. Për ish-shefin e Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës, Admir Shehaj, gjykata ka dhënë masën e dënimit me 2 vjet burg, 500 mijë lekë gjobë e 3 vjet heqje të drejte në ushtrimin e funksioneve publike. Inxhinieri i ndërtimit i firmës “Arti sh. p. k.”, Gjergji Meçe, u dënua me 500 mijë lekë gjobë e 3 vjet heqje të drejte në ushtrimin e funksioneve publike. Shefi i urbanistikës në Bashkinë e Gjirokastrës, Alfred Mamani, si dhe punonjësit e Inspektoratit të Ndërtimit, Leonard Mustafaraj e Petrit Maksuti, janë gjobitur me 500 mijë lekë dhe me masën e heqjes 3 vjet të së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike. Prokuroria kishte kërkuar në total 38 vjet heqje lirie për 7 të pandehurit, ndërsa gjykata i ka dënuar ata vetëm me 10.6 vjet, teksa katër prej tyre i ka shpallur të pafajshëm dhe i ka dënuar vetëm më gjoba. Në ngjarjen e rëndë, ku u shemb një pallat pesëkatësh në lagjen “11 Janari” të qytetit të Gjirokastrës, humbën jetën 3 persona, ndërsa 14 familje mbetën të pastreha. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Prokurorisë së Gjirokastrës, pas vendimit të gjykatës për shtatë të pandehurit. Organi i akuzës së qytetit jugor është shprehur se do ta apelojë vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, vendim që është cilësuar si skandaloz. Ka qenë kryeprokurori i Gjirokastrës, njëherësh edhe prokurori i kësaj çështjeje, Alfred Saliu, i cili e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe për këtë arsye, organi i akuzës do ta apelojë atë.

Tragjedia e ndodhur në qytetin e Gjirokastrës ishte paralajmëruar prej kohësh nga banorët e pallatit të shembur. Këta të fundit ishin ankuar disa herë në bashkinë e qytetit, madje kishin nënshkruar edhe një peticion për kreun e kësaj bashkie, Flamur Bimen. Por ankesat e njëpasnjëshme dhe peticionet e banorëve, ashtu siç ndodh rëndom në vendin tonë, kanë shkuar në “vesh të shurdhër”. U desh shembja e një pjesë të mirë të pallatit, ku për pasojë gjetën vdekjen tre persona, mes tyre një fëmijë, për të kuptuar se rreziku që banorët paralajmëruan, vlente më shumë sesa nevoja për ndërtime. Tragjedia edhe mund të shmangej, nëse kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, do të kishte marrë në konsideratë peticionin e banorëve të pallatit apo nëse do të zbatoheshin procedurat e domosdoshme në fushën e ndërtimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›