E Diel, 1 Nëntor 2026

OSSH, prapaskenat e një ujdieNga Ervin Qafmolla, “Mapo”Marrëveshja e shitjes së aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në masën 76% te kompania çeke ĈEZ është dokumenti thelbësor mbi të cilin rregullohen marrëdhëniet ndërmjet

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

OSSH, prapaskenat e një ujdieNga Ervin Qafmolla, “Mapo”

Marrëveshja e shitjes së aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në masën 76% te kompania çeke ĈEZ është dokumenti thelbësor mbi të cilin rregullohen marrëdhëniet ndërmjet shtetit shqiptar, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Energjitikës dhe pronarëve të rinj të OSSH. Marrëveshja në fjalë, Share Purchase Agreement (SPA) e nënshkruar nga të dyja palët, përcaktohet si dokument konfidencial, por revista “Mapo” ka arritur ta sigurojë atë së fundmi, bashkë me anekset përkatëse që i bashkëlidhen. Në këtë kontratë, vazhdimisht ka referenca për “Garancitë” që shteti shqiptar në cilësinë e shitësit i ka dhënë ĈEZ në cilësinë e blerësit. Garanci, të cilat duhet medoemos të përmbushen, përndryshe blerësi mund të kërkojnë më së paku kompensim dhe çështja mund të shkojë deri te dëmshpërblimi i blerësit. Ndërkaq, qeveria shqiptare ka ngrirë rreth 60 milionë euro, të cilat janë aty që të shërbejnë si fond garancie për çdo “anomali” që mund të vërehet lidhur me garancitë që ajo i ka dhënë palës ceke.

Specifikisht, në pikën 8.2 të marrëveshjes ndërmjet palëve, theksohet se pas mbylljes së marrëveshjes, në pajtim me dispozitat e SPA dhe në mënyrë specifike me vetë Kapitullin 8, blerësi do të kërkojë kompensim nga shitësi për çdo dëm që mund t’i shkaktohet, i cili vjen si pasojë direkte e thyerjeve të garancive që blerësi (Ministria e Energjitikës) ka dhënë.

Ndërsa në pikën 10.3 të marrëveshjes për shitjen e aksioneve të OSSH thuhet se kompania ceke në cilësinë e blerësit ka të drejtë të tërhiqet në rast se verifikohen mospërmbushje të garancive nga pala shqiptare. “në rastin e shkeljes së Garancive të përcaktuara në Pikën 7.2, specifikisht në Pikën 7.2.1 (pozita e mirë)” . Lidhur me këtë pikë, apo me “pozitën e mirë” të OSSH, në kërkesën që ĈEZ i ka dorëzuar Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për rritjen e çmimeve të rrymës që përdoret nga kategori të ndryshme konsumatorësh, vetë kompania ceke ka një tjetër opinion nga ai zyrtar. Sidomos kur i referohet humbjeve. “Realisht, humbjet në total janë 35.6% për 7 muajt e parë të vitit 2009. Krahasuar me humbjet e planifikuara për të njëjtën periudhë (32%), është evidente se kemi trashëguar një ‘situatë shumë të keqe’ në lidhje me këto shifra, kështu që nuk jemi në pozitë të mirë për të arritur planifikimin vjetor prej 32% në fund të vitit 2009”. Pra situata, jo vetëm që nuk paraqitet e mirë, por madje shumë e keqe. Në fjalë të tjera, mund të thuhet se ka shumë mundësi që ĈEZ të ketë ligjërisht të drejtën t’ia rikthejë aksionet e blera shtetit shqiptar dhe të marrë mbrapsht paratë e veta. Dhe kjo nuk është aspak pozitive. Por, sakaq ka edhe valvula të tjera sigurie, ku përveç fondit prej 60 milionë eurosh, në plan të parë po del edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike.

Kompensim me pará apo me fatura?

Që qeveria shqiptare e ka gënjyer kompaninë ĈEZ lidhur me gjendjen e OSSH para shitjes së 76% të aksioneve të saj, kjo është e qartë, sikundër edhe e drejta e kompensimit për kompaninë çeke. Por në ç’masë shtrihet e drejta e kompensimit që ĈEZ gëzon dhe si do të mundësohet ky kompensim? Mundësia më racionale është ajo e përdorimit të fondit të garancisë prej 60 milionë eurosh, çka do të thotë kompensim në pará, por ndërkaq, një mundësi tjetër, më e zymtë qëndron në horizont. Kjo mundësi lidhet me faktin që duke arsyetuar mbi nivelin e gënjeshtër të humbjeve të raportuar nga qeveria dhe nivelin faktik të tyre, çekët kanë kërkuar një rritje të konsiderueshme të çmimit të energjisë elektrike, në një masë mesatare mbi 20% të çmimit aktual.

Në Deklaratën Rregullatore të miratuar nga ERE, së cilës ĈEZ i referohet, thuhet se “ERE do të rishikoje dhe miratojë tarifat për vitin 2009 sipas Aplikimit për Rishikimin e Tarifave për vitin 2009 (“Tarifat e Rishikuara për vitin 2009”) jo më vonë se 15 Dhjetor 2009”. Deklarata sanksionon se ndryshimet ndërmjet Tarifave të Rishikuara për vitin 2009 dhe tarifave të miratuara fillimisht sipas Vendimit Nr. 21, datë 14.02.2008, të shumëzuar me sasinë e energjisë të parashikuar për t’u furnizuar gjatë gjithë vitit 2009 të vlerësuar nga OSSH në momentin e përgatitjes se aplikimit për rishikimin e tarifave për vitin 2009, do të shërbejë për të llogaritur shumën e të Ardhurave të Parealizuara të OSSH në funksionin e saj si Furnizuesi Publik me Pakice (FPP), objekt i Mekanizmit të Kompensimit, të përcaktuar në pikat 5.1 dhe 6 më poshtë. Pra në këtë pikë, kur flitet mbi rishikimin e tarifave, i bëhet referencë edhe kompensimit të kompanisë çeke.

“Në rast se humbjet aktuale për vitin 2008 janë më të larta se sa niveli i supozuar prej 32 %, dhe për rrjedhojë humbjet aktuale për vitin 2009 janë gjithashtu më të larta se 32%, atëherë ndryshimi ndërmjet kërkesës për të ardhura të llogaritur sipas programit të ri të uljes se humbjeve dhe kërkesës për të ardhura të llogaritur sipas programit fillestar të uljes se humbjeve (bazuar në nivelin e pranuar të humbjeve prej 32%), siç përshkruhet në këtë dokument, do të jete gjithashtu objekt i mekanizmit të kompensimit”, - thuhet në dokument. Në vijim Deklarata shpjegon se si funksionon mekanizmi i kompensimit në terma përllogaritës, por nuk specifikon formën e kompensimit. Pra nuk shpjegohet nëse kompensimi do të jetë në pará apo në rritje të çmimit të energjisë. Varianti i fundit nuk ka shumë gjasa të ndodhë, sepse mundësitë që kjo mënyrë kompensimi të jetë në kundërshtim me ligjin, janë të mëdha, për sa kohë paguhet direkt nga konsumatorët dhe jo nga qeveria. Megjithatë, është një variant për t’u pasur parasysh.

“Denoncimi” i çekëve

Në kërkesën që ĈEZ i ka dërguar ERE-s për rishikim të çmimeve të energjisë elektrike, çekët thonë: “Bazuar në shifrat e përllogaritura për 7 muajt e parë të periudhës së vitit 2009, të cilat janë raportuar në mënyrë zyrtare tek ERE, jemi në një situatë që humbjet aktuale janë më të larta se humbjet e planifikuara për 2009, të cilat janë në nivelin e humbjeve të 2008-ës (32%). Realisht, humbjet në total janë 35.6% për 7 muajt e parë të vitit 2009. Krahasuar me humbjet e planifikuara për të njëjtën periudhë (32%), është evidente se kemi trashëguar një situatë shumë të keqe në lidhje me këto shifra, kështu që nuk jemi në pozitë të mirë për të arritur planifikimin vjetor prej 32% në fund të vitit 2009”.

Në paragrafin e mësipërm duket se çekët nuk i kishin bërë mirë llogaritë lidhur me humbjet. Por nuk është pikërisht kështu. Ata i referohen një auditimi të kryer nga një kompani e specializuar, sipas të cilit rezulton se shifrat e raportuara fillimisht nga qeveria shqiptare mbi nivelin e humbjeve nuk ishin të vërteta.

Gjithashtu, ĈEZ, nën logon e OSSH thotë se të ardhurat e pritshme për vitin 2009 llogariten rreth 34.1 miliardë lekë, çka ndryshon me të ardhurat e kërkuara për të cilat është rënë dakord me qeverinë, prej rreth 41.4 miliard lekësh. Për këtë arsye, blerësi i OSSH kërkon një kompensim prej mbi 7.2 miliardë lekësh, ose 80 milionë dollarë. Këto para po kërkohet të paguhen përmes rritjes së çmimit të energjisë elektrike, por edhe ndonjë formë më e drejtpërdrejtë kompensimi nuk përjashtohet.

Gjithçka nisi muaj më parë, kur pronarët e rinj të OSSH me siguri do jenë tronditur kur kanë parë bilancin energjitik të vitit 2008. Jo bilanci i paraqitur nga qeveria kur ĈEZ donte të blinte OSSH, por të vërtetin, i përgatitur nga një ekspertizë e huaj, sipas të cilëve, vjedhja e energjisë elektrike është rreth 4 për qind më e lartë nga sa pritej. Gjatë negociatave të fillim-vitit 2009, ĈEZ -it iu ofrua një tablo me humbjet e energjisë rreth 32 për qind. Mbi bazën e kësaj të dhëne, investitori dhe qeveria ranë dakord të lidhnin kontratën me disa pika, ku ndër të tjera ishin uljet graduale të vjedhjes së energjisë, rritja e arkëtimeve dhe rishikimi i tarifave. Pasi mori në zotërim OSSH, ĈEZ nisi verifikimin e bilancit energjitik 2008, konkretisht të humbjeve në rrjet.

Rezultati final i auditit tregonte se humbjet e energjisë elektrike në rrjet janë rreth 4 për qind më të larta nga sa deklaroi qeveria kur nxori në shitje OSSH. Mbi bazën e humbjeve 32 për qind, qeveria arriti t‘ua shiste çekëve Operatorin e Shpërndarjes për 102 milionë euro, ndërsa investitori, duke parë këtë tregues, u zotua se do të shpenzonte rreth 200 milionë euro për të përmirësuar rrjetin elektrik. Por, 32 përqindëshi tashmë rezulton 35.7 dhe skenarët për zhvillimin e OSSH duken drejt ndryshimit.

Nga ana tjetër, dinamika praktike e kërkesës për rritje të çmimit të energjisë elektrike, nuk e përjashton këtë skenar.

Por, nuk është vetëm ĈEZ që kërkon rritje çmimi. Edhe Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) i ka dorëzuar Entit Rregullator të Energjisë një kërkesë për rritje të çmimit të energjisë që kjo kompani i shet operatorit të shpërndarjes. Sipas këtij propozimi, çmimi rritet nga 1,6 në 2,5 lekë për kilovat/orë. Drejtori i KESH, Muharem Stojku, thotë se kjo kërkesë për rritje të çmimit të energjisë ka ardhur pasi ky çmim nuk justifikon shpenzimet për investime. Kërkesa e KESH ndoqi atë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike, i cili bëri kërkesë zyrtare tek ERE për rritje të çmimit nga 0,5 lekë për kilovat/orë në 0.9 lekë për kilovat/orë pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Kërkesa e dy operatorëve, KESH dhe OST, vjen si reaksion zinxhir pas kërkesës së bërë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorin final me rreth 20 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›