Lefter Koka, kreu i LSI-së në Durrës
Konferenca e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës zgjodhi dje kryetar të kësaj dege Lefter Kokën, ish-kryetarin e Bashkisë së këtij qyteti. Në këtë konferencë mori pjesë dhe Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i cili kërkoi që më 28 qershor shqiptarët të votojnë për një qeveri për integrimin. "Duhet një qeveri e përgjegjshme, e cila integrimin nuk e përmend për slogan, por punon çdo ditë që të integrohen produktet shqiptare në tregun ndërkombëtar, që të marketohen, që të standardizohen, që t'u rritet vlera dhe që të mos falimentojnë bujqit shqiptarë, prodhuesit shqiptarë, për shkak të mungesës së politikave mbështetëse nga ana e qeverisë dhe e shtetit", tha Meta. Kryetari i sapozgjedhur i kësaj dege, Lefter Koka u shpreh se "është kënaqësi për mua për vlerësimin që më bëni. Do të përpiqemi së bashku që t'i japim zgjidhje shumë problemeve që ka sot Durrësi, por dhe e gjithë Shqipëria. Ne të gjithëve së bashku na pret një punë e madhe, një sfidë, që është fitorja e LSI". Sekretari politik i LSI në qarkun Durrës, Iljaz Labi, në fjalën e tij theksoi se LSI nuk është më forca e tretë politike, por forca e parë e opozitës në Durrës, gjë që e tregojnë edhe sondazhe serioze. Labi u shpreh se LSI do të dalë forcë e parë në Durrës, se qytetarët durrsakë nuk mund të lejojnë më që të luhet me fatin e tyre, por duke mbështetur LSI ata do të ndryshojnë këtë gjendje të rëndë.